Ndërlidhjet

POZITA DHE OPOZITA DO BASHKËPUNOJNË PËR ÇËSHTJET MADHORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas përfundimit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, qëndrimi i përbashkët i pushtetarëve të rinj të Kosovës dhe i opozitës, ka qenë përkushtimi i tyre për konstruktivitet të dyanshëm dhe angazhim të përbashkët në çështjet madhore, siç është statusi i Kosovës. Lideri i opozitës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se shpreson që në mandatin e ardhshëm trevjeçar, pozita dhe opozita do të kenë më shumë pika bashkëpunimi sesa dallime, duke pasur parasysh rëndësinë që ka procesi i standardeve dhe ai i përcaktimit të statusit të Kosovës:
"Mendoj se sot Kosova ka dhënë një provim për përmbushjen e standardeve, duke zgjedhur institucionet. Me gjithë vërejtjet procedurat ishin të rregullta. Besoj se do të kemi progres dhe ne si opozitë do të jemi opozitë e fortë, opozitë e ofrimit të projekteve për avancimin e procesit politik, bërjen e shtetit të Kosovës. Uroj që të kemi pika shumë më të shumta të bashkëpunimit me pozitën sesa të mospajtimit, për të bërë Kosovën shtet të pavarur", tha Hashim Thaçi, ndërkohë që presidenti i rizgjedhur Ibrahim Rugova, vlerësoi se Kosova është e aftë të hyjë në atë shkallë të demokracisë, ku do të ketë një spektër pozitë dhe opozitë, duke premtuar bashkëpunim me opozitën për çështjet që në Kosovë konsiderohen si madhore:
"Kemi edhe qeverinë edhe opozitën. Për herë të parë Kosova po provon diçka të rëndësishme. Është diçka pozitive, demokratike dhe është e aftë ta bëjë këtë, do të thotë edhe qeveria, edhe institucionet edhe qeveria që është brenda dhe do të jetë pozitive për Kosovën. Gjithsesi detyrat tona i dini, qeveria është e aftë t'i kryejë".
Zotimet e tij për bashkëpunim me opozitën, i ka shprehur dhe kryeministri i zgjedhur sot Ramush Haradinaj. Ai tha, se të hënën, kur do të bëhet pranim – dorëzimi i mandatit të qeverisë së vjetër me atë të zgjedhur sot, ai do t'i paraqesë kabinetit të tij qeveritar programin e tij qeverisës, para se ai të kalojë për miratim në Kuvendin e Kosovës:
"Qeveria e Kosovës, por edhe institucionet e Kosovës, do të jenë të hapura për ekspertë vendorë, jo vetëm në çështje të rëndësishme sikurse është statusi, por në përgjithësi në të gjitha çështjet me të cilat ne do të angazhohemi. Ndërsa sa i përket çështjeve madhore dhe statusit përfundimtar, ne do i gjejmë mënyrat të bashkëpunojmë me opozitën, me shoqërinë civile, por edhe me ekspertët".
I vetmi subjekt politik, që nuk mori pjesë në seancën e sotme, "Lista Serbe për Kosovën e Metohinë", sipas liderit të saj Oliver Ivanoviç, i mban rezervat e veta ndaj kryeministrit dhe qeverisë së re. Ai tha se këto rezerva që i mban për kryeministrin e zgjedhur Haradinaj, kanë të bëjnë me raportet e tij me Beogradin, si dhe rezervat që i shpreh bashkësia ndërkombëtare ndaj tij:
“Kryeministri i ri do ta ketë të vështirë të vërë kontakte normale me Beogradin, që është një prej prioriteteve edhe në kuadër të standardeve”, tha Ivanoviç. Për dallim nga Ivanoviç, përfaqësuesi i
subjektit tjetër serb në Kuvend, me emrin Iniciativa Qytetare "Serbia", Sllavisha Petkoviç, ka kërkuar sot që qeveria e re të ketë një prej prioriteteve kthimin e serbëve dhe nuk ka shprehur ndonjë kundërshtim për kryeministrin dhe qeverinë e re të Kosovës.

XS
SM
MD
LG