Ndërlidhjet

logo-print

SUBJEKTET SERBE TË PAVENDOSURA PËR PJESËMARRJEN NË QEVERI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dy subjektet politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës ende nuk janë takuar për t’u marrë vesh lidhur me ndarjen eventuale të dy posteve ministrore, që u janë lënë në qeverinë e kryeministrit Haradinaj. Ndërkohë, përfaqësuesit e "Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë" dhe ata të Iniciativës Qytetare "Serbia", kanë qëndrime të ndryshme edhe lidhur me pranimin e këtyre posteve dhe pjesëmarrjen në institucione.
Dragisha Kërstoviç, përfaqësues i "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë" që ka marrë tetë vende në parlamentine ri të Kosovës, tha se ende nuk kanë biseduar me subjektin tjetër serb lidhur me këtë çështje:
"Ne për këtë nuk jemi ulur për t’u marrë vesh, por qëndrimi im është se situata është gjithnjë e më e vështirë," tha Kërstoviç, sipas të cilit, njëra nga pengesat kryesore për ta është pikërisht fakti që kryeministër është zgjedhur zoti Ramush Haradinaj. Ai tha se kjo e ka vështirësuar marrjen e një vendimi nga serbët për të qenë pjesë e qeverisë së re të Kosovës dhe fajin për këtë ia hedh lidershipit shqiptar, që nuk ka treguar vendosmërinë e duhur për t’i afruar serbët drejt institucioneve:
"Nëse liderët politikë shqiptarë do të kishin dashur të vënë komunikim më të mirë me bashkësinë serbe, kjo çështje është dashur të rregullohet ndryshe, në ndonjë mënyrë të pranueshme për serbët," tha Kërstoviç.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare "Serbia" që ka dy vende ne parlament, Slavisha Petkoviç, tha se qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar:
"Qëndrimi im është që serbët duhet të marrin pjesë në të gjitha institucionet dhe këtu nuk ka dyshim. Tani do të presim disa ditë për të parë nëse do të merremi vesh," tha Petkoviq, duke shtuar se po të varej nga ai, menjëherë do t’i pranonte postet në qeverinë e Kosoëvs:
"Është paska e ngatërruar kjo procedurë, pasi gjërat nuk varen nga ne, por nga ata, jo pse ne duam kështu, por për shkak të sistemit të votimit dhe këtë gjë do ta vendoste eventualisht zoti Petersen," tha Petkoviç.
Ndërkohë, përfaqësuesit e subjektit më të madh serb thanë se askush nuk i ka pyetur për ministrinë që u janë lënë serbëve:
"Qeveria është formuar, janë ndarë postet ministrore ndërsa përfaqësuesit serbë nuk kanë pasur ndonjë qëndrim dhe as kanë qenë në pozitë të thonë gjë," tha Kërstoviç. Partnerët e koalicionit qeveritar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për përfaqësuesit serbë kanë lënë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e re për Kthim dhe Komunitete. Kërstoviç tha se Ministria e Bujqësisë është jo shumë e rëndësishme, ndërsa suksesi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete matet konkretisht, prandaj marrja e një ministrie të tillë është me rrezik, kur dihet se suksesi është i vështirë.
Kërstoviç, madje as ka paralajmëruar ndonjë vendim të shpejtë lidhur me këto dy ministri.

XS
SM
MD
LG