Ndërlidhjet

logo-print

HARADINAJ DHE RUGOVA PËRCAKTOHEN PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE PRIORITARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë premtuar bashkëpunim të ngushtë ndërmjet tyre për realizimin e standardeve prioritare dhe detyrave të tjera. Këto komente ata i kanë bërë në rezidencën e presidentit Rugova, me rastin e takimit të tyre të parë, pas zgjidhjes në krye të institucioneve kryesore të Kosovës të premten e shkuar. Presidenti Rugova fillimisht e ka përgëzuar kryeministrin Haradinaj për marrjen zyrtare të postit të ri dhe e ka cilësuar qeverinë një ekip unik:
"Kjo qeveri do të punojë si një ekip, pra është qeveri e koalicionit, qeveri unike dhe do t’i realizojmë detyrat dhe programet që i kemi sipas bashkësisë ndërkombëtare, pra standardet prioritare, që tashmë edhe ka filluar vlerësimi i tyre, siç e bëri edhe zoti Petersen në Këshillin e Sigurimit".
Presidenti Rugova tha se të gjithë punojnë për pavarësinë e Kosovës që do të zgjidhte edhe problemet kryesore të së ardhmes së Kosovës.
Edhe kryeministri Haradinaj, i cili pas zgjedhjes të premten në Kuvendin e Kosovës, dje mori zyrtarisht detyrën nga ish kryeministri Rexhepi, tha se kishte vizituar sot presidentin Ibrahim Rugova për t’ia paraqitur planin dhe programin e qeverisë:
"Ne erdhëm që ta informojmë presidentin për zhvillimet dhe për atë se si kemi filluar me punën, për planet që i kemi sikurse u shpjegua, për programin dhe për aspektet e tjera dhe kjo është një praktikë që ne do ta aplikojmë në të ardhmen. Pra rregullisht do ta informojmë presidentin për zhvillimet, për punën që e bën qeveria".
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se pajtohej me presidentin Rugova lidhur me detyrat parësore të përmbushjes së standardeve prioritare dhe të çështjeve të tjera, që kanë ndikin në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me këtë rast tha se puna e qeverisë së re do të jetë më e lehtë në rrugën tashmë të trasuar nga qeveria e ish kryeministrit Rexhepi:
"Me këtë rast dëshiroj t’i shpreh mirënjohje qeverisë së mëparshme, e cila i ka vënë bazat e institucioneve tona, pra të gjitha ministritë dhe kryeministrinë dhe tani është më lehtë të vazhdohet".
Presidenti Rugova dhe kryeministri Haradinaj janë zgjedhur në këto poste pas votimit të premten në seancën konstituitive të parlamentit të Kosovës, dalë nga zgjedhjet e 23 tetorit. Votimet dhe zgjedhja e krerëve të institucioneve dhe përbërja e qeverisë së zotit Haradinaj, është bërë sipas marrëveshjes për koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe disa partive të tjera më të vogla shqiptare dhe të pakicave joserbe.

XS
SM
MD
LG