Ndërlidhjet

HARADINAJ I HAPUR PËR DIALOG TË BRENDSHËM DHE TË JASHTËM


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyra e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, si edhe administrata e UNMIK-ut, i vlerësojnë të pa baza akuzat e Beogradit, se një qeveri e Kosovës që kryesohet nga Haradinaj, nuk mund të plotësojë një prej standardeve, që ka të bëjë me zhvillimin e dialogut Prishtinë – Beograd. Këshilltari i parë i kryeministrit Haradinaj zoti Ardian Gjini, thotë se përgjigja më e mirë ndaj të gjitha akuzave që vijnë në adresë të qeverisë së re do të jetë puna efektive e kësaj qeverie në plotësimin e standardeve:
“Kryeministri e ka bërë të ditur që në fillim, se cilado akuzë apo cilado skepcë që vjen nga cilado palë, do të marrë një përgjigje të vetme dhe ajo do të jetë puna efektive e qeverisë së Kosovës në përmbushjen e standardeve dhe sidomos në ofrimin e kushteve që minoriteti serb dhe minoritetet e tjera në Kosovë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat sikurse popullata shumicë”, tha Gjini.
Në anën tjetër, zëdhënësi i administratës ndërkombëtare Jeff Bielley, thotë se dialogu si një prej standardeve është i rëndësishëm që të zhvillohet në disa nivele, jo vetëm në raportet Prishtinë – Beograd:
“Posaçërisht ne presim zhvillimin e dialogut ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës si dhe dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit për disa çështje thelbësore”, tha Bielley, duke shtuar se në çështjen e dialogut hyjnë dhe bisedimet në kuadër të rajonit me vendet fqinje, si dhe bisedimet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare për çështje të rëndësishme.
Ajo që ne presim nga institucionet e Kosovës, tha Bielley, është që të tregohen të përkushtuara të dialogojnë, tha ai. Ndërkohë, Ardian Gjini, thotë se kryeministri Haradinaj nuk e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ai është i gatshëm për të gjitha nivelet e bisedimeve, qoftë në aspektin e dialogut të brendshëm apo edhe të dialogut të drejtpërdrejtë me Beogradin:
“Ai e ka shprehur gadishmërinë e tij që të vazhdojë dialogun në cilatdo instanca, edhe me Beogradin zyrtar, për çështjet që i preokupojnë të dy vendet dhe ne e dimë se kemi shumë çështje të hapura”, theksoi Gjini.
Dialogu me Beogradin, ku përfshihet dhe dialogu i brendshëm ndërmjet komuniteteteve, është vetëm një prej tetë standardeve për Kosovën. Qeveria e re pas takimit të parë që ka zhvilluar dje, është njoftuar se ka një javë në dispozicion që të njoftohet me pakon e ligjeve dhe prioritetet që duhet përmbushur në rrafshin e plotësimit të standardeve. Aktualisht është duke u bërë vlerësimi i fundit për këtë vit, ndërsa do të ketë dhe dy vlerësime të tjera të standardeve gjatë vitit vijues, para se UNMIK-u, Këshilli i Sigurimit dhe Grupi i Kontaktit, të japin vlerësimin e tyre për shkallën e plotësimit, para se të vendoset për hapjen për përcaktim të statusit të Kosovës. Standardet më me prioritet që do të përcaktojnë shkallën matëse të plotësimit të standardeve, kanë të bëjnë kryesisht me pozitën e pakicës serbe që përkufizohet përmes decentralizimit si dhe me sigurinë dhe lirinë e lëvizjes.


XS
SM
MD
LG