Ndërlidhjet

SHKENCËTARËT PARALAJMËROJNË RREZIQE NGA GRIPI I SHPENDËVE


Don Hill

Një virus i vogël, që madje ende nuk ekziston i ka alarmuar punonjësit shëndetësorë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Epidemia e gripit të shkaktuar nga virusi i emërtuar "H5N1" ka shkatërruar zogjtë e pulave dhe shpendët e tjera shtëpiake në Azi këtë vit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shënuar rreth 40 raste, ku qeniet njerëzore e kanë marrë gripin si pasojë e ekspozimit ndaj virusit të zogjve.
Por, ekspertët thonë se rreziku më i madh për njerëzit do jetë atëherë kur virusi të vijë në fazën kur mund të bartet direkt nga personi në person.
Klaus Stohr, drejtor i programit të gripit në OBSH, thotë se kjo kohë ka ardhur.
"S'ka dyshim se do ketë pandemi tjetër. Se kur do të ndodhë këtë vit, apo vitin e ardhshëm, nuk e dimë. A do jetë H5N1 nuk e dimë", thotë Stohr.
Drejtori i rajonit aziatiko-paqësor i OBSh-së Shigeru Omi është po ashtu i alarmuar.
"Asnjë shtet nuk do të kursehet nga pandemia. Kështu që nuk është punë e vetëm një vendi. Është punë e çdokujt, e çdo vendi dhe besoj se është koha që t'i kthejmë fjalët në vepra. Ne e dimë se kjo mund të jetë serioze", tha Omi.
Ka pasur paralajmërime tepër serioze nga zyrtarët e lartë të OBSH-së, që zakonisht matin rrezikun e ngritjes së panikut ndaj nevojës për të paralajmëruar kërcënimet e shfaqura.
Në të vërtetë, zëdhënësi i OBSH-së, Dick Thompson në një intervistë për Radion Evropa e Lirë merr një qëndrim më të matur:
"Ekzistojnë shqetësime të mëdha rreth gripit aziatik. E dimë se virusi është përhapur me shpejtësi mes zogjve në Azi. Kjo nënkupton se çdo herë është e mundur që të përcillet nga zogjtë tek njeriu", thotë Thomspon.
Ende nuk ka vaksinë kundër gripit të paralajmëruar.
Bazuar nga rastet e shumta të përcjelljes së virusit nga zogjtë në njerëz, shkencëtarët thonë se pandemia mund të vrasë mbi 7 milionë njerëz në tërë botën.
Thompson thotë se kjo shifër mund të jetë ekzagjeruar:
"Kanë qenë pak më shumë se 40 raste në vitin e kaluar. Mes tyre shumë me pasoja fatale. Por, ne ende nuk e kemi shënuar lëvizjen e virusit nga njeriu ne njeri", thotë Thompson.
Shumica e njerëzve të infektuar, që i janë ekspozuar virusit të zogjve kanë vdekur. Sipas Thompson-it, kjo nuk do të thotë se mund të jetë e vërtetë në rast të një pandemie njerëzore:
"Në të vërtetë, mund të ndodh në 70 për qind të rasteve, por nuk mund t'i besojmë kësaj shifre. Ne s'e dimë se sa njerëz janë infektuar dhe nuk janë sëmurë. Dhe ne nuk e dimë sa njerëz janë infektuar dhe kanë marrë një formë të butë të sëmundjes, nëse ka njerëz të tillë", thotë Thompson.
Pandemia e gripit të zogjve zhvillohet në cikle dhe disa shkencëtarë thonë se faza e ardhshme është më e gjata. Një shpërthim i tillë i gripit në vitet 1948 ka mbytur afërsisht 40 milionë njerëz. Pandemia e viteve 1957-58 dhe 1968-89 ka lënë të vdekur më shumë se një milion njerëz.
OBSH thotë se dy kompani amerikane kanë filluar që të punojnë në krijimin e vaksinës për të luftuar gripin e ri. Por, mund të zgjasë më shumë se një vit para se një vaksinë efektive të mund të shpërndahet në tërë botën.

XS
SM
MD
LG