Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI NDIKON NË INTEGRIMIN E PAKICAVE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Duke qenë një nga standardet prioritare që pret jetësimin deri në mesin e vitit 2005, decentralizimi i pushtetit në Kosovë mund të ndikojë edhe në procesin e integrimit të pakicave në shoqërinë kosovare, kanë thënë zyrtarë të qeverisë së Kosovës. Ata, si edhe UNMIK-u, e shohin këtë një detyrë të ngutshme dhe për këtë arsye të hënën do të mblidhet grupi punues për decentralizimin.
Lutfi Haziri, Ministër i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, tha se duke pasur parasysh rolin e madh, që pushteti lokal mund të ketë në procesin e integrimit dhe proceset e tjera në Kosovë, reformimi i administratës lokale ka dalë si kërkesë e vazhdueshme dhe prioritet në kuadër të përmbushjes së standardeve:
"Tashmë është kuptuar nga të gjithë ne se në reformim e sipër, administrata lokale mund ta forcojë rolin e vet dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në integrim, duke ndërtuar besimin te komunitetet etnike se për çështje elementare, për çështje të pushtetit lokal, ata mund të vendosin vetë për interesat e tyre jetike," tha ministri Haziri.
Ndërsa përfaqësuesi i "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë" Oliver Ivanoviç, tha se aktualisht në Kosovë qarkullojnë disa opcione për decentralizimin. Sipas tij, opcioni më i mirë do të ishte ai që siguron të drejtat e serbëve dhe vetëm në këtë mënyrë, decentralizimi do të mund t’i ndihmonte integrimit të serbëve:
"Serbët do të ishin të sigurtë në shtëpitë e tyre dhe kjo do t’i relaksonte për të komunikuar edhe me komunat e tjera dhe me to të arrijnë marrëveshje të interesit," tha Oliver Ivanoviç.
Në anën tjetër, Ministri i Pushtetit Lokal, i cili sapo e ka marrë detyrën e drejtimit të njërës nga tre ministritë e reja të qeverisë së Kosovës, tha se efektet integruese të reformimit të pushtetit lokal kanë qenë edhe një nga arsyet e formimit të kësaj ministrie:
"Është njëra nga shtyllat kryesore të punës së ministrisë. Arsyeja pse është themeluar kjo ministri është dhe fakti se gjatë këtij mandati pesëvjeçar të funksionimit të pushtetit lokal në Kosovë, janë vërejtur shumë probleme në kuptimin e funksionalizimit dhe të efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe në kuptimin e integrimit të komuniteteve." Ministri Haziri ka thënë se lidhur me integrimin, ka shembuj pozitivë si juglindja e Kosovës dhe shembuj negativë si pjesa veriore e Kosovës.
Ivanoviç, megjithatë mendon se janë disa parakushte, në bazë të të cilave pushteti lokal do të mund të kishte efekte pozitive për integrimin e pakicave:
"Shëndetësia, arsimi dhe politika sociale, tatimi dhe pjesëmarrja në procesin e privatizimit, do t’u jepnin serbëve sigurinë e nevojshme për të mbetur në Kosovë," tha Ivanoviç, duke përmendur se policia dhe gjyqësia janë shumë të rëndësishme në procesin e decentralizimit dhe pushtetit lokal.




XS
SM
MD
LG