Ndërlidhjet

PRIORITETET E QEVERISË HARADINAJ IDENTIKE ME ATO TË UNMIK-ut


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e re e Kosovës i ka dorëzuar kryesisë së Kuvendit boshtin e programit qeverisës, i cili pritet të hyjë si pikë e rendit të ditës për shqyrtim dhe miratim eventual, në seancën e radhës së Kuvendit që mbahet javën e ardhshme. Boshti i programit qeverisës është prezantuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, përderisa ai ka kërkuar që ndërkohë, të gjithë ministrat të përgatisin pjesët e programit nga secila ministri përkatëse, në mënyrë që programi të kompletohet si tërësi.
Ardian Gjini, këshilltari i parë i kryeministrit Haradinaj, tha se boshti i programit qeverisës është rezultat i marrëveshjes së koalicionit qeverisës dhe pritet që të miratohet si i tillë:
“Në takimin e parë me kabinetin e tij, kryeministri Haradinaj u ka prezantuar ministrave këtë bosht. Ata kanë marrë përsipër që ndërkohë të përgatisin planet specifike të ministrive, planet e veprimit, që të kompletohet programi i qeverisë në një afat sa më të shkurtër, do të thotë deri në mbledhjen tjetër. Atëherë kryeministri do ta prezantojë para Kuvendit të Kosovës dhe do t’ju jepet deputetëve për miratim”, tha Gjini.
Në anën tjetër, zëdhënësi i administratës ndërkombëtare, Jeff Bielley, thotë se programi qeverisë së re është shqyrtuar edhe nga ana e UNMIK-ut. Kryesisht tha Bielley, prioritetet programore janë të ngjashme me ato të UNMIK-ut:
“Më duket se ka qenë fillim i mbarë, sepse edhe qeveria edhe ne, ndajmë prioritete të njëjta për standardet, për decentralizim dhe për progresin që duhet të arrihet para mesit të vitit 2005”, theksoi Bielley.
Këtë të premte, pritet që në kuadër të takimeve të rregullta që kryeministri i Kosovës i zhvillon me kryeadministratorin ndërkombëtar, të shqyrtohet edhe një herë programi i qeverisë Haradinaj. Duke vënë si prioritet çështjen e zbatimit të standardeve, Haradinaj u ka premtuar grupeve punuese dinamizimin e procesit, kurse nga ministrat ka kërkuar që deri në mesin e javës së ardhshme të njoftohen me pakon ligjore, që kërkohet të miratohet në planin e standardeve, si dhe me priorotetet e përcaktuara për t’u plotësuar deri në mesin e vitit të ardhshëm.


XS
SM
MD
LG