Ndërlidhjet

KRIZA NË UKRAINË TENDOS MARRËDHËNIET SHBA-RUSI


Andrew Tully & Jeremy Branstein

Sipas ekspertëve në Moskë, dallimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me Ukrainën, kërcënohen ta turbullojnë partneritetin e ndërsjellë.
Në Uashington pikëpamjet duken më pak dramatike. Prej takimit të parë në 2001, presidenti George Bush vazhdon ta konsiderojë "mik" presidentin Vladimir Putin, kurse zyrtarët e administratës japin komente të pakta për marrëdhëniet amerikano-ruse.
Ditëve të fundit, zyrtarët e lartë rusë kanë ripërsëritur se është e pajustifikueshme, ajo që e quajtën ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara në punët e jashtme. Presidenti Vladimir Putin e kritikoi Uashingtonin se përpiqet të imponojë, siç tha "diktaturë" në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa për zgjedhjet e ardhshme në Irak deklaroi:
"Vërtetë s'mund ta imagjinoj si mund të organizohen zgjedhjet në kohën kur vendi është i pushtuar nga forcat e huaja", tha Putin.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov sugjeroi se perëndimi e përdor OSBE-në, si mjet për të ndikuar politikisht në ish shtetet sovjetike. Vërejtjet nxitën kundërshtimin e menjëhershëm të Sekretarit amerikan të Shtetit. Kriza e zgjedhjeve në Ukrainë nuk mund të shihet si përplasje mes Rusisë dhe Perëndimit, tha Colin Powell.
Komentet e Lavrov dhe Powell nënvizojnë sforcimet në rritje në marrëdhëniet amerikano-ruse.
Për Moskën, Shtetet e Bashkuara dhe perëndimi përzihen në Ukrainë dhe në ish shtetet sovjetike. Për amerikanët dhe perëndimorët, Rusia i mbështet votimet jodemokratike në Ukrainë, prandaj njerëzit u rebeluan dhe perëndimi tani ua mban anën demokratëve. Ndërhyri Moska, e jo perëndimi.
Dimitri Trenin nga Instituti Carnegi në Moskë, thotë se Putini i sheh ngjarjet në Ukrainë si fyerje personale.
"Putini konsideron se ngjarjet në Ukrainë janë të paramenduara, janë operacione të qëllimshme nga ana e Shteteve të Bashkuara për eliminimin e regjimit aktual dhe zëvendësimin e tij me një pro-perëndimor, ose pro-amerikan, për të ndarë Ukrainën nga Rusia dhe për të fshirë lidhjet e Ukrainës me Rusinë dhe republikat tjera të ish Bashkimit Sovjetik", thotë Trenin.
Nëse vërtet kjo është analizë objektive, mbetet të shihet, por Trenin thotë se konflikti rreth Ukrainës mund t'i dëmtojë rëndë marrëdhëniet amerikano-ruse.
"Për herë të parë prej kollapsit të Bashkimit Sovjetik, ndiej se modeli i Luftës së Ftohtë mund të kthehet në realitet në rrethana të caktuara. Ajo që ndodh në Ukrainë dhe me marrëdhëniet amerikano-ruse është shumë serioze, por mendoj se në Uashington nuk është kuptuar qartë", thotë Trenin.
Mendimet e tilla i ndan edhe Viktor Kremenyuk nga Instituti SHBA-Kanada në Moskë.
"Nuk mendoj se kemi ardhur deri te modeli i Luftës së Ftohtë, por rreziku për t'u kthyer ekziston dhe është mjaft serioz. Nëse liderët e të dy palëve këtë nuk e kuptojnë dhe nuk ndërmarrin masa urgjente për të parandaluar Luftën e Ftohtë, atëherë mund të rrëshqasim në të", thotë Kremenyuk.
Deri tani, administrata e Bushit nuk ka folur për tensionime serioze me Rusinë, por analistët në Uashington thonë se administrata përpiqet të barazpeshojë situatën.
Ted Galen Carpenter nga Instituti Cato thotë se administrata e Bushit beson që Rusia mund t'i ndihmojë Uashingtonit në çështjet kyçe, si në luftën kundër terrorit, mbështetjen në Këshillin e Sigurimit dhe mospërhapjen e armëve bërthamore në Korenë Veriore dhe Iran.
"Kemi shkuar aq larg sa për të mos vënë pyka ndërmjet Rusisë dhe perëndimit. Megjithëse duam të shohim fitoren e forcave reformatore në Ukrainë, nuk duam që ajo të bëhet në kurriz të tensionimit të marrëdhënieve me Rusinë", thotë Carpenter.
Por James Goldgeier nga Universiteti George Uashington është më kritik.
"Duhet të flasim për Ukrainën, e jo për Rusinë. Kjo nuk është çështje e Luftës së Ftohtë. Nuk bëhet fjalë nëse do të fitojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të humbë. Kjo është një mundësi për Ukrainën, ndërsa Putini përdor fjalorin e Luftës së Ftohtë", thotë Goldgeier, duke shtuar se Rusia nuk vepron si partner i vërtetë i Shteteve të Bashkuara në çështjet kyçe.


XS
SM
MD
LG