Ndërlidhjet

GOLBERG TAKOHET ME IVANOVIÇIN NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk do të hyjnë në institucionet e Kosovës në situatën kur në krye të qeverisë është Ramush Haradinaj, ka thënë sot në Mitrovicë udhëheqësi i "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë" Oliver Ivanoviç, subjekti i të cilit ka tetë vende në parlamentin e Kosovës. Këto komente zoti Ivanoviç i ka bërë pas një takimi në pjesën veriore të Mitrovicës me shefin e zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, i cili ka thënë se qeveria është zgjedhur sipas rregullave demokratike. Ivanoviç tha se zgjedhja e Ramush Haradinajt kryeministër i Kosovës e ka vështirësuar edhe më pozicionin e bashkësisë serbe:
"Në këto kushte përfaqësuesit e zgjedhur të serbëve nuk do të hyjnë në institucione dhe as që do të përpiqen të vënë ndonjë kontakt të veçantë," tha Ivanoviç. Sipas tij serbët e Kosovës dyshojnë që zoti Ramush Hardinaj mund të realizojë tre gjëra vitale: marrëdhënie më të mira me bashkësinë serbe, dialogun me Beogradin dhe siç u shpreh ai, komunikimin normal me Tribunalin e Hagës.
Mirëpo, shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg tha se qeveria ka dalë nga një proces demokratik:
"Ne jemi të vetëdijshëm për këto probleme. Pozicioni ynë është se qeveria që e ka marrë detyrën në Prishtinë është rezultat i procesit demokratik," tha Philip Goldberg, për të precizuar se zgjedhjet kanë qenë demokratike dhe korrekte dhe me rastin e formimit të qeverisë janë respektuar rregullat demokratike. Ne do të punojmë me qeverinë e Kosovës për të bërë përparime dhe këto përparime kanë të bëjnë edhe me çështje vitale për bashkësinë serbe, tha zoti Goldberg, duke përmendur posaçërisht çështjen e decentralizimit, që kishte zënë një vend me rëndësi në diskutimet e sotme. Ivanoviç, ndërkaq tha se kjo situatë nuk ishte e dëshirueshme për vetë serbët:
"Një situatë e këtillë e tendosur sigurisht se nuk na përgjigjet, pasi tërhiqet vëmendja nga çështje shumë të rëndësishme, pasi më nuk flitet për kthimin dhe sigurinë dhe për asgjë tjetër në interesin e serbëve," tha Ivanoviç. Ai kërkoi ndërkohë që Beogradi të ketë rol aktiv jo vetëm në procesin e decentralizimit, por edhe në zhvillimet e tjera në Kosovë.
Takimi i sotëm ndërmjet zotit Goldberg dhe përfaqësuesve të serbrëve të Kosovës ka koinciduar me një mbledhje të Kuvendit të Bashkësive të Komunave Serbe të Kosovës, një organizëm që nuk e njeh UNMIK-u. Në këtë takim është vendosur që të ndërpriten marrëdhëniet me institucionet e Kosovës dhe të formohen struktura paralele të serbëve.
Shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg tha se qëndrimi amerikan për strukturat paralele është tashmë i njohur:
"Ajo që mund t’ju them është se Zyra Amerikane dhe bashkësia ndërkombëtare kundërshtojnë strukturat paralele," tha Goldberg, duke ftuar serbët që të bashkëpunojnë dhe para strukturave paralele të përqendrohen në decentralizimin, me çka pushteti lokal do të fitojë më shumë kompetenca, e me këtë do të përfitojnë edhe interesat vitale të qytetarëve serbë të Kosovës.


XS
SM
MD
LG