Ndërlidhjet

HARADINAJ: ÇËSHTJET QË KANË TË BËJNË ME PAKICËN SERBE DO TË ECIN SUKSESSHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës dhe në qeverinë e tij është e rëndësishme dhe se bisedimet për këtë po vazhdojnë. Komentet e kryeministrit Haradinaj kanë pasuar një deklaratë të djeshme të udhëheqësit të "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë" Oliver Ivannoviç, pas një takimi me shefin e Zyrës amerikane Philip Goldberg, se nuk do të marrin pjesë në institucione.
Kryeministri Haradinaj tha se në nivelin lokal, serbët janë pjesë përbërëse e disa bashkive, ndërsa në nivelin qendror janë duke i vazhduar bisedimet edhe me zotin Ivanoviç, por edhe me liderin e subjektit tjetër të serbëve, Petkoviç:
"Ne kemi siguruar hapësira në nivel ministrash, zëvendësministrash dhe të këshilltarëve, që serbët e Kosovës të mund të jenë pjesë e asaj që po ndërton qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës, për të gjithë në Kosovë. Procesi do të vazhdojë, qeveria do të vazhdojë së vepruari dhe funksionuari, pasi kemi zëvendësministrat dhe ne do t’i presim kur të vijnë për të vazhduar punën në qeverinë e Kosovës", tha Haradinaj.
Sipas marrëveshjes për koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në qeverinë e kryeministrit Haradinaj, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete do të udhëhiqen nga përfaqësuesit e serbëve.
Mirëpo, sipas Oliver Ivanoviç, subjekti i tij që ka tetë nga dhjetë vendet e rezervuara në parlament, nuk do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, nën këtë udhëheqje të qeverisë. Subjekti tjetër i udhëhequr nga Slavisha Petkoviç, pret arritjen e një marrëveshjeje me Ivanoviçin për mënyrën e pjesëmarrjes në organet udhëheqëse.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley tha se UNMIK-u nuk ka ende ndonje përgjigje ndaj deklaratës së zotit Ivanoviç, por, tha Bieley, UNMIK-u disa herë e ka bërë të qartë pozicionin e vet, që vërtet ka nevojë për gjetjen e rrugëve të përfshirjes së serbëve dhe komunitetet e tjera në proceset politike këtu:
"E kuptoj se ka qëndrime politike që janë shprehur nga palë të ndryshme lidhur me zgjedhjen e qeverisë së re, por mendoj se të gjithë liderët politikë duhet të mendojnë për nevojat e njerëzve që i përfaqësojnë," tha zëdhënësi Bieley, duke përsëritur qëndrimin e zotit Petersen për nevojën e ecjes së Kosovës përpara:
"Bojkoti nuk ndihmon. Zoti Petersen e ka bërë të qartë këtë edhe me rastin e vizitës së fundit në Beograd, kur ka thënë se ne në Kosovë po ecim përpara dhe duhet të ecim përpara," tha Jeff Bieley. Ai tha se një rast i mirë për serbët është pjesëmarrja në procesin e decentralizimit, ku propozimet e Beogradit do ta pasurojnë planin e qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut për reformën e pushtetit lokal.
Ndërkohë, të gjitha standardet prioritare që pritet të vlerësohen në mesin e vitit 2005 kanë të bëjnë me pakicën serbe. Kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar të rëndësishme pjesëmarrjen e serbëve në institucione, por "me gjithë bojkotin disamuajsh të institucioneve nga pakica serbe, ne kemi projekte konkrete se si ministritë do të mund të arrijnë pakicat dhe pakicën serbe," tha zoti Haradinaj.
"Ne do të veprojmë, ashtu siç kemi vepruar në procesin e rindërtimit të asaj që ndodhi në mars dhe procesin e decentralizimit, që është në zhvillim e sipër. Do të them se është me dobi një pjesëmarrje politike në nivelin e ministrave, por shumë çështje që kanë të bëjnë me pakicën serbe do të ecin suksesshëm."
Ndërkohë, zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley, ka thënë se UNMIK-u e vlerëson pozitivisht angazhimin e qeverisë së re për përmbushjen e standardeve dhe presin që programi i qeverisë të përqendrohet në fushat prioritare. "Ne duhet të shkojmë përpara dhe konsiderojmë që pjesëmarrja është mënyra më e mirë që serbët të përfaqësojnë interesat e tyre," tha Bieley.



XS
SM
MD
LG