Ndërlidhjet

logo-print

QYTETARËT PROTESTOJNË KUNDËR KORRUPSIONIT


Alma Çupi, Tiranë

Në sheshin Skënderbej, pikërisht në vendin ku 14 vjet më parë u shemb monumenti i diktatorit Hoxha, u shemb sot një tjetër monument historik, ai i korrupsionit. Mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së shoqërisë civile që të protestojnë në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit. Të papunë, pensionistë, intelektualë dhe punonjës u mblodhën sot në shesh dhe hidhnin parrulla kundër politikanëve dhe qeveritarëve të papërgjegjshëm, të cilët kanë abuzuar në këto vite në kurriz të taksapaguesve dhe votuesve të tyre. Analisti Andrea Stefani tha përpara njerëzve se korrupsioni është plaga më e madhe e shoqërisë dhe nuk po lejon që të ndërtohet monumenti i demokracisë.
" U shemb monumenti i diktaturës, sepse diktatura e kishte një monument. Po demokracia a do ta ketë një monument? Demokracia nuk e ka akoma një monument në Shqipëri".
Artisti i merituar Mirush Kabashi, me vargjet e poetit Ali Asllani, që flisnin për korrupsionin, ndezi turmën dhe më pas fjalën e mori kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve Kreshnik Spahiu, i cili tha se të gjithë qytetarët janë mbledhur në këtë shesh për t'i thënë ndal korrupsionit, që ka varfëruar jetën e tyre dhe ka vrarë shpresën.
"Sot jemi mbledhur në këtë shesh si katëmbëdhjetë vjet më parë. Shumë nga ju nuk kanë qenë. Shumë nga ju kanë shpresuar. Ndoshta shumëkush nga ne e kishte të qartë se shpresa ishte shumë e madhe, por shumëkush nga ne nuk mund ta kuptonte që në atë ditë aq të shënuar, në atë ditë aq të madhe, në gërmadhat e atij monumenti do të ngrihej një piramidë e re. Piramida e madhe, piramida e krimit, piramida e korrupsionit".
Kjo protestë e para e këtij lloji në Shqipëri, u mbështet edhe nga USAID-i dhe nga e gjithë media. Për herë të parë në shesh dolën për të protestuar jo militantë, por qytetarë të cilët çdo ditë ndeshen me fenomenin e korrupsionit.



XS
SM
MD
LG