Ndërlidhjet

logo-print

NATO BIE DAKORD PËR MOSNDRYSHIM TË TRUPAVE NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Në takimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel është diskutuar edhe për situatën në Kosovë për të cilën shumë ministra kanë thënë se po hyn në një fazë të rëndësishme. Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powel, i cili për herë të fundit ka marrë pjesë në një konferencë ministrore të NATO-s në cilësinë e shefit të diplomacisë amerikane, madje në konferencë për shtyp ka thënë se Kosova tani në vitin 2005 po hyn në një vit vendimtar. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat në Kosovë NATO-ja ka vendosur se është e domosdoshme për atje që të mbahet numri i tanishëm i ushtarëve, sepse situata konsiderohet të jetë ende jostabile.
"Kosova është e brishtë. Procesi i vështirë politik është duke u zhvilluar atje dhe nuk do të ketë zvogëlim të trupave të KFOR-it," ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, duke informuar gazetarët për rrjedhën e diskutimeve për Kosovën, që është zhvilluar sot gjatë drekës.
Ai po ashtu ka thënë se të gjithë ministrat mbështesin fuqishëm punën që atje bën shefi i UNMIK-ut Petersen, ndërsa ka dërguar mesazh për qeverinë e Kosovës, që seriozisht të angazhohet në përmbushjen e standardeve. Jaap de Hoop Scheffer po ashtu ka thënë se në emër të ministrave të NATO-s ka edhe një mesazh për kryeministrin e Kosovës zotin Haradinaj, nga i cili kërkon që të sillet në mënyrë të arsyeshme nëse rastësisht do të ndodhë që ai të jetë i akuzuar nga ana e Tribunalit të Hagës. Presim nga zoti Haradinaj dhe nga mbështetësit e tij që të sillen në mënyrë të arsyeshme, nëse do të ketë ndonjë aktakuzë nga ana e Tribunalit të Hagës. Kjo çështje nuk është që të vendoset nga ana e NATO-s, por nga ana e Tribunalit, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer.
Ndryshe zyrtarët e shumë shteteve të NATO-s, sot kanë vlerësuar se viti 2005 do të jetë shumë i rëndësishëm si nga aspekti politik ashtu dhe nga ai i sigurisë. Përveç Kosovës sot ministrat diskutuan situatën në Irak dhe Afganistan, ndërsa Këshilli i NATO-s në nivel të ministrave, po ashtu ka çmuar lart misionin e deritanishëm të NATO-s në Bosnje Hercegovinë, i cili para disa ditësh i është dorëzuar Bashkimit Evropian. Ministrat e NATO-s kanë bërë thirrje po ashtu për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës, që është po ashtu edhe kusht për ecje drejt integrimeve evroatlantike. Për Kosovën pritet të diskutohet edhe në nivel të ministrave të ministrave të jashtëm të 47 vendeve të kyçur në Partneritetin për Paqe, në të cilin përveç vendeve të NATO-s janë edhe vendet partnere.



XS
SM
MD
LG