Ndërlidhjet

MOORE: A PO SHËNDRROHET UNIONI EVROPIAN NË NJË PERANDORI ANTI - AMERIKANE?


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Në numrin e fundit të revistës "Foreign Affairs" analisti Jeffrey Cimbalo thotë se "integrimi i Unionit Evropian paraqet sfidën më të madhe për vazhëdimësinë e e ndikimit të SHBA-ve në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore". Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Ai i referohet kushtetutës së propozuar të Bashkimit Evropian që është hartuar vite më parë nga një komision i kryesuar nga ish presidenti francez Valeri Zhiskar D'Esten. Dokumenti u nënshkrua në Tetor dhe tani po shqyrtohet për ratifikim nga parlamentet dhe për të do të shpallet referendum në secilin prej vendeve anëtare. Cili është problemi që e ka detyruar zotin Cimbalo të shkruajë një artikull të tillë? Ai argumenton që mënyra se si është shkruar kushtetuta, do të mundësojë forcat e fuqishme, me të cilat ai nënkupton Francën, Gjermaninë dhe aleatët e tyre, që të ndryshojnë rregullat (nga marrja e vendimeve në mënyrë unanime - në marrjen e tyre me shumicën e votave) që mund të influencohet nga më të fuqishmit. Pra ajo që sheh ai përmes kësaj kushtetute, e cila gjithashtu flet për një politikë të jashtme dhe sigurie të Bashkimit Evropian, është se ajo do të çojë në margjinalizimin apo dhënien fund të një roli të fuqishëm të sigurisë për NATO-n dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Evropë. Në rast se kjo kushtetutë nuk do të ratifikohet, Gjermania, Franca, Belgjika dhe Luksemburgu, kanë sinjalizuar se janë të gatshme për të krijuar një mini - aleancë që do të ndërmerrte misionet e veta ushtarake..... Është mjaft e qartë se kjo është bërthama e një politike evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes, drejtuar nga Franca dhe Gjermania, me qëllim përjashtimin e Shteteve të Bashkuara nga Evropa. Shohim se presidenti francez Zhak Shirak është shumë i dhënë pas përmendjes së një Evrope, me të cilën ka ndërmend një pol të udhëhequr nga Franca dhe Gjermania, në një botë multipolare..... Henri Kisinxher, ish Sekretar amerikan i Shtetit shkroi së fundi se e gjithë kjo botë multipolare është një version ndërkombëtar i balancës së pushteteve të shteteve evropiane që u dëshmua të ishte aq jo- funksional sa që çoi në konfliktin e madh të vitit 1914 (Lufta e Parë Botërore). Kisinxher ka frikë se bota multipolare e presidentit francez do të çonte në diçka edhe më shkatërrimtare se në vitin 1914.
Por, çfarë sugjeron zoti Cimbalo që të bëjnë Shtetet e Bashkuara? Duke konstatuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë ende gati për t'u larguar nga Evropa, ai sugjeroi që ajo që duhet të bëjnë SHBA-të është të mbështesin miqtë e tyre si Polonia, Italia, Danimarka dhe të tjerë, të cilët nuk janë të lumtur me një kontinent të drejtuar nga gjermanët dhe francezët, të cilët duan të marrin peng Bashkimin Evropian dhe ta shëndërrojn në një perandori antiamerikane.

RADIO EVROPA E LIRË
Gazeta "International Herlad Tribune" këto ditë ka cituar zotin Dejvid Frum të ketë thënë se "SHBA-të duhet ta kuptojnë se forma e gabuar e unifikimit evropian mund të krijojë probleme për Amerikën". Çdo të thotë "forma e gabuar" në këtë rast?

PATRICK MOORE
Zoti David Frum është një personalitet shumë afër administratës së presidentit Bush, është një ish hartues i fjalimeve të presidentit; ka shkruar për administratën sidomos për çështjet ekonomike dhe ka shkruar një libër disa vjet më parë të quajtur "Njeriu i Duhur". Është një biografi pozitive politike e presidentit Bush. Sa i përket pyetjes suaj për "formën e gabuar" të unifikimit të Bashkimit Evropian, ajo për të cilën ai flet në këtë artikull, është një unifikim i Bashkimit Evropian i drejtuar në mënyrë eksplicite kundër Shteteve të Bashkuara; përcaktimi i Evropës sipas temave, koncepteve dhe gjuhës antiamerikane; që do të kishte si qëllim dëbimin e SHBA-ve nga Evropa dhe kundërshtimin e Amerikës kudo tjetër në botë. Duhet të them se për mua, edhe pse nuk pretendoj të jem 100% objektiv, sepse jam amerikan, mënyra e të folurit të politikanëve francezë dhe gjermanë, viteve të fundit, më kujton më tepër ankesat e adoleshentëve sesa të një politike serioze. Është një çështje shumë serioze sepse presidenti francez Zhak Shirak po bën thirrje për një element tjetër të botës së tij multipolare, për Kinën që të armatoset tani nga Bashkimi Evropian. Ai do që të hiqet embargo e armëve e Bashkimit Evropian ndaj Kinës që Francës do t'i sillte disa kontrata shumë të mira armësh, ndërsa Amerikës probleme për shkak të Tajvanit. Kancelari Shrëder i Gjermanisë ka marrë një pozicion të ngjashëm. Ai sapo ka kryer udhëtimin e tij të gjashtë në Kinë. Interesat e tij kryesisht janë ekonomike, ndonëse nuk lëshoi rastin për të folur edhe kundër pushtetit amerikan. Megjithatë është diçka shumë e mirë që jo çdokush në Bashkimin Evropian mendon në këtë mënyrë dhe tentativat në samitin Kinë-BE javën e kaluara nga ana e francezëve dhe gjermanëve, për të hequr embargon e armëve dështuan, sepse shumë të tjerë duke përfshirë edhe shumicën në Parlamanetin gjerman nuk pajtohen me një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithate ka edhe sinjale sipas të cilave Presidenti Bush dëshiron të bashkëpunoj me Unionin Evropian për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Evropës dhe Amerikës. Ai ka falenderuar Unionin Evropian për përfshirjen dhe ndihmën në zgjidhjen e krizës në Ukrainë?

PATRICK MOORE
Ai ka dërguar disa sinjale të ngrohta dhe do të vijë në Evropë në mesin e muajit Shkurt me qëllim që të shtrijë mbështetjen dhe të përpiqet të gjejë rrugë bashkëpunimi. Do të shohim nëse do të gjejë partnerë që do të jenë të gatshëm të punojnë së bashku, ose diferencat që francezët, gjermanët dhe të tjerët i kanë krijuar rreth Irakut do ta bllokojnë atë. Ukraina është një shembull shumë i mirë se çfarë mund të bëhet kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë së bashku. Do doja t'i rikthehesha zotit Kisinxher, i cili disa vite më parë tha që do të ishte një tragjedi nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të humbasnin mundësinë për të bashkëpunuar, sepse kanë shumë mundësi dhe mirëqënie dhe duke punuar së bashku mund të arrijnë shumë gjëra. Ky nuk është vetëm një këndvështrim amerikan, por edhe i shumë të tjerëve në Evropë. Në këtë kontekst do doja të përmendja dy politikanë gjermanë. I pari është ish kancelari Helmut Shmit, i cili shkroi librin "Fuqitë e të ardhmes" dhe Volfgang Shojble një nga liderët kristiandemokratëve në opozitë, që shkroi librin "A do të dështojë Perëndimi?". Që të dy këto personalitete ndonëse vijnë nga krahë të kundërt të spektrit politik gjerman, theksojnë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë të përbashkëta sa i përket demokracisë, rendit ligjor, të drejtave të njeriut dhe ekonomisë së tregut dhe do të ishte vërtet një tragjedi nëse nuk do ishin në gjendje të bashkëpunonin dhe të zgjidhnin problemet e jashtëzakonshme me të cilat po përballet bota.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG