Ndërlidhjet

R. HARADINAJ: PROGRAMI QEVERITAR DO FINALIZOHET NESËR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka pritur sot në një takim qeverinë e re të Kosovës. Takimi është mbajtur në prag të miratimit të programit të qeverisë, që pritet të finalizohet nesër, si dhe në kohën kur UNMIK-u është duke përgatitur raportin e radhës, ku bëhet vlerësimi i procesit të përmbushjes së standardeve. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha pas këtij takimi, se aty janë shtruar për diskutim çështjet programore dhe standardet, duke shtuar se kishte dhe ballafaqime mendimesh për çështje të ndryshme:
“Ishte një mundësi e mirë për ne si qeveri e re të vërtetojmë se ne jemi në punë, pra i kemi pranuar përgjegjësitë dhe po ashtu se kemi plane vepruese të menjëhershme, por edhe afatgjatë. Sikurse dihet, programi i qeverisë do të jetë i gatshëm nesër, ndërsa agjenda e standardeve për Kosovën do të jetë më e zbatueshme me një program të qeverisë që do të jetë i gatshëm”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se takime të tilla, të qeverisë me kreun e UNMIK-ut do të mbahen rregullisht çdo muaj.
Nesër pritet që qeveria e re të finalizojë programin e vet, i cili më pas do t’i dorëzohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Sipas procedurës, deputetët duhet të kenë në duart e tyre të paktën pesë ditë në shqyrtim, para se të thirret seanca plenare e Kuvendit, ku pritet miratimi eventual i këtij programi. Ndërkohë, kryeministri Haradinaj, ka paralajmëruar se do t’i takojë jo vetëm udhëheqësit e institucioneve, por dhe liderët e opozitës, që t’ua paraqesë për shqyrtim këtë program. Çështjet kryesore që përmenden si prioritete të qeverisë së re janë plotësimi i standardeve me prioritet deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe zhvillimi ekonomik, përderisa UNMIK-u vazhdimisht përsërit qëndrimin se në këto prioritete hyn dhe decentralizimi.


XS
SM
MD
LG