Ndërlidhjet

HARADINAJ: QEVERIA DO TË MBËSHTESË DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka finalizuar sot programin qeverisës duke ia përcjellur atë më pas Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim. Prioritetet kryesore të programit të qeverisë janë standardet dhe statusi, forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeverisjes dhe rrumbullaksimi i infrastrukturës ligjore, ndërtimi i një administrate publike të përgjegjshme dhe i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës e prioritete të tjera. Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se kabineti i tij i ministrave e ka kompletuar sot boshtin e programit të propozuar duke i dhënë formën përfundimtare:
“Nga ministritë u dha vlerësimi se programi është një program i mirë. Janë dhënë edhe disa mendime, të cilat janë pjesë e programit dhe është miratuar programi në qeverinë e Kosovës, i cili që sot është i gatshëm që t’i kalohet parlamentit”, tha kryeministri i Kosovës.
Qeveria Hardinaj pret që programi i saj të miratohet nga Kuvendi për një afat sa më të shpejtë të mundshëm. Ndërkohë duke u ndërlidhur me procesin e decentralizimit dhe takimit të mbajtur dje, ndërmjet ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, ku janë shprehur dallime konceptuale rreth parimeve bazë për decentralizimin dhe pilot projektet, kryeministri Haradinaj, tha se qeveria e tij e mbështet decentralizimin, ndërsa deklarimet e djeshme të njërit nga ekspertët vendorë, ai i quajti më tepër si shpërputhje me politikën e qeverisë së re:
“Ka ndodhur një shkëputje komunikimi me ekspertin që ka përfaqësuar në grup. Qeveria e Kosovës me kohë do të komunikojë me ekspertin e caktuar apo me ekspertë të tjerë, që do të përfaqësojnë qeverinë që ato që janë orientime të qeverisë të përfaqësohen në grup. Ju i dini orientimet e qeverisë, ne do të mbështesim decentralizimin dhe po ashtu do të mbështesim edhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete në këtë çështje”, tha Haradinaj.
Kabineti qeveritar i kryeministrit Haradinaj është njoftuar dhe me prioritetet që duhen përmbushur gjatë gjashtë muajve në vijim në kuadër të standardeve. Haradinaj tha se ka kërkuar dinamizim të procesit. Ai ka emëruar koordinatorin e ri për procesin e zbatimit të standardeve, ndërsa ka kërkuar sot nga të gjitha ministritë që të emërojnë koordinatorët e tyre për secilin grup punues. Kryeministri Haradinaj është shprehur i bindur se prioritetet e përcaktuara do të plotësohen, për t’u hapur kështu rrugën bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës për mesin e vitit të ardhshëm. Në pjesën e parë të programit të miratuar sot, qeveria e Kosovës angazhohet që statusi i Kosovës të zgjidhet mbi bazën e vullnetit të popullit të saj.


XS
SM
MD
LG