Ndërlidhjet

GOLDBERG: JEMI TË GATSHËM TË NDIHMOJMË KOSOVËN QË TË FILLOJË PËRCAKTIMI I STATUSIT PËRFUNDIMTAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Shteteve të bashkuara të Amerikës është e gatshme të ndihmojë Kosovën për të përmbushur standardet deri në mesin e vitit 2005, në mënyrë që të fillojë definimi i statusit përfundimtar të Kosovës, ka thënë sot shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg. Këto komente zoti Goldberg i ka bërë pas takimeve që ka pasur me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, për herë të parë pas zgjedhjes në këto poste.
"Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ofrova presidentit dhe kryeministrit ndihmën tonë për përmbushjen e standardeve për Kosovën, që do të jenë me rëndësi esenciale kur të vijë koha e vlerësimit të standardeve, për të filluar diskutimet për statusin," tha shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg, sipas të cilit këto standarde përfshijnë të drejtat e pakicave, sundimin e ligjit dhe një zhvillim ekonomik të domosdoshëm, jo vetëm përmes vazhdimit të privatizimit, por edhe përmes ndërtimit të kapaciteteve të reja ekonomike.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova fillimisht e ka falënderuar zotin Goldberg dhe presidentin Bush për ndihmën prej 75 milionë dollarësh që qeveria amerikane ka akorduar për Kosovën dhe u shpreh i gatshëm për t’u angazhuar seriozisht rreth përmbushjes së standardeve:
"Ndër prioritetet është reforma e pushtetit lokal, qarkullimi i lirë i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe natyrisht mbrojtja e grupeve etnike", tha presidenti Rugova.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me zotin Goldberg kishin diskutuar për çështje më prioritare që dalin përpara Kosovës dhe qeverisë së saj:
"E informova zotin Goldberg për fillimin e punës së qeverisë, për marrjen e përgjegjësive për zhvillimet që po ndodhin në qeveri, për ndërtimin e strukturave të nevojshme për zbatimin e agjendës që del nga programi i standardeve dhe për programin e qeverisë që e kemi aprovuar sot".
Duke premtuar ndihmën dhe përkrahjen e zyrës amerikane dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Goldberg theksoi posaçërisht çështjen e të drejtave të pakicave:
"Ne besojmë fuqishëm në zhvillimin e një shoqërie të mbështetur në sundimin e ligjit dhe respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, e posaçërisht të pakicave këtu," tha shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, duke i parë të drejtat e pakicave një prej parakushteve themelore për përmbushjen e standardeve prioritare, që do të vlerësohen në mesin e vitit 2005, në mënyrë që të mund të fillojnë diskutimet për statusin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG