Ndërlidhjet

2004- EKONOMIA GLOBALE SHËNON RRITJE POR RREZIQET MBETEN


Mark Baker

Përkundër rritjes së çmimit të naftës dhe rënies së dollarit, ekonomia botërore e kaloi vitin 2004 relativisht mirë, ndërsa në 2005-ën pritet rritje modeste.
Pikëpamjet e tilla i ndajnë shumë ekonomistë. Rritje u shënua në Kinë dhe në masë më të vogël në Shtetet e Bashkuara.
Por ekspanzioni nuk është i njëtrajtshëm, sepse në shumë pjesë të botës, prej Evropës e deri në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, rritja ekonomike shënoi ngecje.
Ekonomia globale vazhdon të shënojë rritje të shëndoshë, ndonëse ekonomistët në 2005-ën shohin rreziqe, që do ta pengonin rritjen.
Instituti Ekonomik në Londër në dhjetor parashikoi se ekonomia globale në vitin 2005 do të rritet për 3%, krahasuar me 4%-in që e arriti sivjet.
Drejtori i Institutit Gerard Walsh pohon.
"Jemi të kujdesshëm, do të thoja optimistë. Edhe pse ka disa rreziqe të rëndësishme për ekonominë botërore, në përgjithësi presim që ekonomia globale të shënojë rritje, por jo me shpejtësinë që pati sivjet", thotë Walsh.
Ylli i 2004-it ishte Kina. Ekonomia e vendit më të madh në botë u rrit për 9%, me një shkallë të rritjes që dyfishohet për çdo 8 vjet. Walsh thotë se pret që rritja në Kinë në 2005-ën të jetë 8%.
Por rritja tepër e shpejtë mund të sjellë rrezikun e inflacionit. Autoritetet kineze, të vetëdijshëm për rreziqet, i kanë prezentuar masat për kufizimin e kredive bankare dhe investimeve.
Walsh thotë se masat e tilla mund të kenë sukses, por nëse teprohen mund të jenë edhe restriktive, dhe mund ta ngadalësojnë rritjen në pjesët tjera të botës.
"Instrumentet politikë që i përdor qeveria kineze nuk janë shumë të mprehta, dhe është vështirë të kuptohet nëse ato vërtetë e kanë ngadalësuar rritjen", thotë Walsh.
Boom-i kinez është sa i mirë, aq edhe i keq për ekonominë globale. Ai ka nxitur rritje të ekonomisë në Azi dhe pjesët tjera të botës, por edhe ka qenë i përcjellë me eksport të madh të suficitit tregtar kinez me Shtetet e Bashkuara, që këtë vit arriti në 124 miliardë dollarë.
Rezultati është deficiti aktual në Shtetet e Bashkuara, i cili ka ndihmuar në humbjen e besimit ndërkombëtar te dollari amerikan. Sivjet dollari shënoi rënie rekorde ndaj valutës së përbashkët evropiane.
Walsh thotë se rënia e dollarit do të vazhdojë edhe në 2005-ën.
"Gjëja e vetme që do të mund të shkaktojë korrigjim të dukshëm në deficitin aktual tregtar amerikan, jo vetëm sivjet, por gjatë 5 vjetëve të ardhshëm, është dobësimi i dollarit. Prandaj, presim që në 2005-ën, vlerën mesatare euro ta ketë 1.40 dollarë", thotë Walsh.
Ekonomistët thonë se rënia e dollarit është e menaxhueshme, dhe madje edhe e dobishme nëse do t'u ndihmonte Shteteve të Bashkuara ta zvoglojnë deficitin. Por rënia e valutës amerikane sjell rreziqe të rëndësishme, veçanërisht nëse dollari bie tepër shpejt apo shumë gjatë. Në atë rast, Banka Qendrore amerikane mund t'i rritë kamatat për ta stabilizuar valutën. Si pasojë, kjo do ta ndalonte rritjen e ekonomisë amerikane dhe botërore.
Rrezik tjetër i madh janë çmimet e naftës. Në tetor ato u ngritën në 55 dollarë për një fuçi, pas konsumit të madh në Kinë dhe rreziqeve nga sulme të mëdha terroriste në Lindjen e Mesme të pasur me naftë. OECD-ja tha se rritja e çmimit të naftës e ngadalësoi rritjen ekonomike në gjysmën e dytë të 2004-it.
Por, pavarësisht asaj që ndodh me dollarin apo naftën, në pjesën tjetër të botës, në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, që janë të pasura me energji, do të vazhdojë rritja e shpejtë ekonomike.
Ekspertët thonë se ngritjet e çmimit të naftës kanë shkaktuar 'boom' ekonomik në Rusi, Kazakistan dhe Azerbejxhan. Ndërkaq instituti nga Londra thotë se ky rajon tani ka rritje më të shpejtë ekonomike, e cila në vitin 2005 pritet të kulminojë me 6%.

XS
SM
MD
LG