Ndërlidhjet

CARMONY: KOSOVARËT DHE KFOR-I AMERIKAN KANË MARRËDHËNIE TË SHKËLQYESHME


Gjeneral Tod Carmony, komandant i KFOR-it amerikan

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti gjeneral, si do ta vlerësonit situatën aktuale të sigurisë në zonën e përgjegjësisë së KFOR-it amerikan?

GJENERALI CARMONY
Brigada Shumëkombëshe e Lindjes është e qetë. Ne kemi punuar shumë me UNMIK-un, SHPK-në dhe me popullin e Kosovës, për të siguruar një ambjent të qetë dhe njerëzit në përgjithësi kanë gjetur mënyra paqësore për zgjidhjen e mospajtimeve, që mund të kenë. Për shembull, shumë bashkësi kanë formuar këshilla shumëkombëshe, që kujdesen për çështjet që kanë të bëjnë me shqetësimet e përgjithshme. Për më tepër, shtatë komuna të Brigadës Shumëkombshme të Lindjes kanë formuar këshillat për parandalimin e krimit, që i afron zyrtarët civilë, ata të UNMIK-ut dhe Shërbimin Policor të Kosovës, në mënyrë që të forcohet kontrolli i bashkësive. Kosova para pak kohësh ka mbajtur zgjedhjet dhe më e rëndësishmja është se ato kanë qenë të qeta.
Stacionet e policisë në Brigadën Shumëkombshe të Lindjes do të jenë të gjitha të udhëhequra nga SHPK, pasi edhe stacioni i policisë në Kamenicë do të jetë nën kompetencat e SHPK-së.
Sigurisht se ka ende sfida, mirëpo deri sa njerëzit punojnë të qetë, respektojnë sundimin e ligjit dhe punojnë në kuadër të sitemit për zgjidhjen e mospajtimeve, Kosova do të ketë mundësi të ecë përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
KFOR-i amerikan është përgjegjës për një pjesë të madhe të kufirit me Serbinë dhe me Maqedoninë. Cila është situata aktuale në zonën kufitare?

GJENERALI CARMONY
Situata aktuale në kufi është e qëndrueshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të vëzhgojmë me të dyja anët e kufirit, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe qytetarët e Serbisë për të garantuar sigurinë në kufij.
Ka thashetheme lidhur me çështjet e kontrabandës që bëhet përmes brezit kufitar. Kontrabanda dhe aktivitetet e tjera kriminale e kërcënojnë ambjentin e qetë dhe të sigurt.
Ne do të vazhdojmë kryerjen e misionit, duke vëzhguar dhe pamundësuar kontrabandën dhe aktivitetet kriminale.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë herë në deklaratat e zyrtarëve serbë, por edhe të disa liderëve serbë të Kosovës flitet për egzistimin e kampeve të Al-Qaeda-s në Kosovë. Sa të vërteta ka në këto deklarata?

GJENERALI CARMONY
Nuk ka të vërteta në pohimet për egzistimin e kampeve për trajnimin e çfarëdo organizate terroriste në zonën e Brigadës Shumëkombshe të Lindjes. Ne do të vazhdojmë të përcjellim gjithëçfarë ndodh në zonën tonë të përgjegjësisë dhe do të veprojmë, nëse do të kemi informacione të tilla. Nëse dikush ka informacione të tilla, të na i tregojë dhe ne do t’i hetojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
NATO ka vendosur që të mos i zvogëlojë efektivat e KFOR-it në Kosovë. A do të ketë zvogëlim të numrit të pjesëtarëve amerikanë të KFOR-it?

GJENERALI CARMONY
KFOR-i vazhdon të ketë numrin e nevojshëm të forcave për kryerjen e misionit në Kosovë. Ky numër shqyrtohet dhe vlerësohet rregullisht. Numri i ushtarëve amerikanë këtu është i njëjtë. Ky numër do të mbetet i pandryshuar edhe gjatë rotacionit të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet ndërmjet banorëve vendorë dhe anëtarëve të KFOR-it amerikan?

GJENERALI CARMONY
Banorët vendorë dhe KFOR-i amerikan kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Unë personalisht kam pasur kënaqësinë të takohem dhe të punoj me popullin e Kosovës për përmirësimin e situatës në Kosovë.
Populli i Kosovës vazhdon të punojë me të gjitha kombet përbërëse të KFOR-it dhe me institucionet që po ndërton, siç janë SHPK-ja dhe TMK-ja. Ky bashkëpunim do t’i mundësojë Kosovës të vazhdojë rrugën drejt të ardhmes më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zona e përgjegjësisë suaj dallohet për bashkëpunim të jashtëzakonshëm me SHPK-në dhe TMK-në. Ku qëndron çelësi i marrëdhënieve të tilla?

GJENERALI CARMONY
Ne kemi kontakte të përditshme me TMK-në dhe SHPK-në. Edhe gjenerali Çeku, komandant i TMK-së, edhe gjenerali Ilazi, komandant i zonës së gjashtë të TMK-së e kuptojnë nevojën që TMK ta ndihmojë popullin e Kosovës.
Përmes përpjekjeve të gjeneralit Ilazi dhe të tjerëve nga zona e gjashtë, ata kanë siguruar komunikim të mirë me ne. Kjo është arsyeja që TMK ka qenë kaq e suksesshme në sektorin tonë. Ata e kuptojnë qartë marrjen e rolit pozitiv të TMK-në në të gjitha bashkësitë etnike dhe për gjithë popullin e Kosovës.
SHPK, posaçërisht ka pasur një përparim të madh për marrjen e përgjegjësive mbi policinë në komuna dhe vazhdon të përparojë çdo ditë. Nevojiten së paku dhjetë vjet për të ndërtuar një polici hetimore dhe detektive. SHPK është organizatë e re dhe do t’i duhet kohë për t’u zhvilluar. Ata do të vazhdojnë të rriten dhe të forcohen dhe popullata do t’i drejtohet SHPK-së për hetimin e aktiviteteve të dyshimta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka paralajmërime se deri në fund të vitit do të ngrihet edhe një aktakuzë nga Tribunali i Hagës kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. A do të ndikojë kjo në situatën e sigurisë – cili është vlerësimi juaj?

GJENERALI CARMONY
Askush nuk është mbi ligjin. Ne e përkrahim plotësisht Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte dhe do t’i ndihmojmë në kuadër të direktivave të KFOR-it.
Përderisa njerëzit e respektojnë ligjin, unë e shoh këtë si një mundësi për Kosovën që të dëshmojë para botës se e respekton sundimin e ligjit. Njëkohësisht ky është një rast i mirë për t’i dëshmuar se e kuptojnë që ngritja e një aktakuze nuk do të thotë domosdoshmërisht fajësi, por se ka mjaft dëshmi për ta sjellë dikë para gjyqit, i cili vendosë më pas nëse personi është fajtor apo i pafajshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në konferencën e fundit për gazetarë keni deklaruar se pjesëtarët e KFOR-it kanë marrë me shumë autorizime. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

GJENERALI CARMONY
Shumë kufizime kombëtare për anëtarët e KFOR-it në lidhje me përgjigjen vdekjeprurëse ose jovdekjeprurëse janë hequr, kur bëhet fjalë për të dyja situatat- për situatën e luftës dhe për mbajtjen e turmave nën kontroll. Nuk mund të flas për operacionet apo për rregullat e tashme të angazhimit. Mund t’ju them se kemi marrë pajisje të reja për t’i përdorur si përgjigje ndaj situatave të tilla.


EVROPA EVROPA E LIRË
Është fundi i vitit. Cila është porosia juaj për qytetarët e Kosovës?

GJENERALI CARMONY
Paqja dhe stabiliteti, liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit janë pjesë e një recete për një të ardhme të mirë dhe të ndritshme. Ka pasur shumë përparim, siç shihet edhe në Shtërpce, ku nga dy autobusë në javë që shkonin me përcjellje, tani ka pesë autobusë në ditë që udhëtojnë pa përcjellje të sigurisë. Kjo liri e lëvizjes është e rëndësishme për furnizimin me mallra dhe për shërbimet. Demokracia dhe toleranca çojnë drejt krijimit të kushteve dhe lulëzimit të ekonomisë dhe begatisë.
Duke përkrahur ambjentin e qetë dhe të sigurt, Kosova bëhet më terheqëse për investuesit e huaj.
Shumë prej jush sapo kanë përfunduar kremtimin e Ramazanit. Ditët e ardhshme, shqiptarët e krishterë dhe serbët do të fillojnë përgatitjet për krishtlindje. Shpresojmë se gjatë festave tona do të shpërndajmë paqen dhe falënderimin për të gjitha të mirat që i kemi dhe t’u ndihmojmë atyre që nuk janë aq të lumtur sa jemi ne.

Intervistoi Gëzim Baxhaku


XS
SM
MD
LG