Ndërlidhjet

LIBRARITË ELEKTRONIKE, NJË HAP PËRPARA PËR NJOHURITË E NJERËZIMIT


Imagjinoni që përmes kompjuterit të keni qasje të menjëhershme në librat e disa nga bibliotekave më të mëdha në botë.
Kjo ëndërr po bëhet realitet.
Të martën Google, që është programi më i madh i kërkimeve në internet, njoftoi marrëveshjet me 5 bibliotekat më të mëdha botërore për të dixhitalizuar miliona vëllime të koleksioneve të tyre, në mënyrë që disa pjesë të materialeve të përdoren falas nga përdoruesit e internetit.
Ema Linaker, është zëdhënëse e kompanisë në Londër.
"Puna me bibliotekat është një zgjerim i programit Google Print që fokusohet në publikimet. Ky program i shtypit ka për qëllim të marrë informacionet e pasura në materialet e printuara si librat, revistat dhe materialet e tjera dhe të mundësojë leximin e tyre në internet," thotë Linaker.
Ronald Milne është drejtor i përkohshëm i Bibliotekës Bodleian të Universitetit të Oksfordit, i cili po punon në projekt me Google, së bashku me bibliotekat në Harvard, Standford, Universitetin e Miçiganit dhe Bibliotekën Publike të Nju Jorkut.
Milne, nga ana e tij, beson se projekti është një zhvillim shumë i madh në historinë e njohurive njerëzore:
"Mendoj se ky është vërtet një revolucion gati i ngjashëm me zbulimin e makinës së shtypit nga Johanes Gotenberg në vitin 1450. Kemi një revolucion, ku përmes dixhitalizimit, librat dhe materialet e tjera, mund të lexohen nga çdokush në internet", thotë Milne.
Ai thotë se nga projekti do të përfitojnë njerëzit e tërë botës:
"Në Oksford, që nga themelimi i Bibliotekës Bodleian, në vitin 1602, ne i kemi dëshiruar mirëseardhje jo vetëm studiuesve, por çdokujt që ka pasur interesim serioz në ndonjërën nga materialet tona. Dixhitalizimi i koleksioneve tona nënkupton faktin që çdokush në botë mund të ketë qasje në këto burime", thotë Milne.
John Wilkin, një bibliotekar në Universitetin e Miçiganit, thotë se projekti do të ndryshojë bibliotekat në tërë botën.
Paul le Clerk nga Biblioteka Publike e Nju Jorkut e ka quajtur projektin e Google, një mundësi domethënese për të shpërndarë informacione në botë.
Milne thekson se meqënëse projekti përfshin librat e vjetra, nuk ngriti çështjen e të drejtave të autorësisë së publicistëve komercialë:
"Biblioteka Bodleian, që është parimisht një biobilotekë kërkimore e Universitetit të Oksfordit, po i bën të mundur Google që të kompletojë materialet e shekullit 19, që nuk kanë të drejta autoriale. Google do të dixhitalizojë më shumë se një milion nga këto materiale", thotë Milne.
Projekti përfshin gati një të pestën e koleksionit të përgjithshëm të Bodleianit. Zyrtarët e Google thonë se duhen 6 vjet për të dixhitalizuar 7 milionë vëllime të bibliotekës së Universitetit të Miçiganit. Për punimet, që janë ende nën mbrojtjen e të drejtave të autorit, përdoruesit do të kenë qasje vetëm në ekstraktet ose bibliografitë.
Biblioteka e Nju Jorkut po i lejon Google që të përfshijë vetëm një pjesë të librave të liruara nga e drejta e autorit. Universiteti i Harvardit ka kufizuar pjesëmarrjen vetëm në 40 mijë libra.
Disa studiues dhe bibliotekarë kanë shprehur shqetësimin se bibliotekat elektronike mund t'i joshin më shumë përdoruesit nga blerja e librave dhe materialeve të tjera.
Por tani për tani, këto shqetësime duken se lihen nën hije nga perspektiva e qasjes së lirë ndërkombëtare në librat e bibliotekave më të mëdha botërore.
XS
SM
MD
LG