Ndërlidhjet

72 % E TË RINJVE JANË TË PAPUNË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë më shumë se 300 000 të rinj llogariten si të papunë, që në një llogaritje tjetër mund të thuhet se 72 % e njerëzve prej 25 deri 39 vjeç kërkojnë punë. Kështu u tha sot në një konferencë të organizuar nga Agjencioni rajonal për ndërmarrje. Ahmet Jetullahu, drejtor i këtij agjencioni, tha se duke marrë parasysh numrin e madh të të rinjve të papunë, ky agjencion po mundohet të ndërtojë një konsensus të qëndrueshëm mes qeverisë së Kosovës, administratës ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
"Ka patur mundësi të bëhet një sinkronizim shumë i mirë i të gjitha projekteve, programeve, aktiviteteve, që do të shkonin në të mirë të rinisë. Fatkeqësisht ka munguar ky koordinim i të gjitha grupeve të interesit dhe tani kemi një gjendje jo të kënaqshme. Ndoshta më të mjerueshmen në rajon", tha zoti Jetullahu.
Hafiz Latifi, nga Ministria për Punë dhe Mirëqënie Sociale, tha se institucionet vendore dhe ndërkombëtare duhet në mënyrë urgjente të bëjnë çmos për zbutjen e papunësisë tek të rinjtë, për të parandaluar çdo mundësi të trazirave sociale.
"Kur ke 72% të grupmoshës 16-39 vjeç, dhe kur kjo pjesë e popullatës apo kjo grupmoshë nuk ka ku ta shpenzojë energjinë e vet, por më tepër e shpenzon në konsum. Normale që nuk përjashtohet mundësia që të jetë, mund të themi, si faktor nxitës i shqetësimeve, i frustrimeve, por edhe i trazirave. Prandaj duhet të kemi kujdes këtu si shoqëri në tërësi me të gjitha institucionet, edhe qeveria si qeveri, që shumë shpejt të hartojmë mënyrat, strategjitë, në mënyrë që të bëhet zbutja e papunësisë, sidomos tek të rinjtë."
Edhe Skënder Boshtrakaj nga departamenti i rinisë në Ministrinë e Kulturës, tha se përqindja e lartë e të rinjve të papunë, është siç tha ai, një bombë sociale.
"Në këtë kuptim nuk e influencon protestën vetëm papunësia, por edhe shumë çështje të pazgjidhura në Kosovë, mungesa e perspektivës, një edukim mjaft jokualitativ, i cili nuk ja mundëson të riut hyrjen në treg dhe një kompetencë të fortë që të krijojë karrierë të qëndrueshme."
Një çështje të rëndësishme që zoti Boshtrakaj e përmendi në këtë konferencë është punësimi i të rinjve në një treg joformal. Pa kontrata pune, pa sigurim shëndetësor dhe provizione të tjera.
"Në anën tjetër është dhe një problem tjetër shumë shumë serioz i të rinjve, që lloji i punëve me të cilat të rinjtë merren, ose cili treg e pret të riun pas përfundimit të shkollës, është shumë i limituar. Unë mund të them që e pret puna në ndonjë kafeteri, e pret një punë si përkthyes n ë një numër shumë të vogël tani të organizatave ndërkombëtare dhe të gjitha punët e tjera janë të përkohshme".
Ndryshe në hulumtimin e fundit të Bankës Botërore është thënë se papunësia në Kosovë, ka arritur shkallën prej 70 %.



XS
SM
MD
LG