Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS MERR KOMPETENCA SHTESË NË FUSHËN E EKONOMISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i ka ofruar sot kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, kompetenca të reja në fushë të ekonomisë për qeverinë e tij dhe ka premtuar që në vitin e ardhshëm do të diskutohet edhe për bartjen e kompetencave në fushën e drejtësisë dhe policisë. Kjo është bërë e ditur sot në mëngjes pas një takimi të rregullt të zotit Petersen me kryeministrin Haradinaj
"Unë i dorëzova kryeministrit sot një propozim për bartje të mëtejshme të kompetencave në fushën e ekonomisë," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, duke mos dashur të flasë për detaje të tjera lidhur me këto kompetenca. Ndërkohë që kryeministri Haradinaj e ka mirëpritur propozimin e shefit të UNMIK-ut dhe ka thënë se përgjigja përfundimtare e qeverisë do të merret gjatë javës së ardhshme:
"Unë e kam mirëpritur propozimin për transfer të përgjegjësive në ekonomi dhe mund t’ju them se është një lajm i mirë për të gjitha ato që ne i presim në ekonomi".
Në anën tjetër, zoti Petersen tha se procesi i bartjes së kompetencave do të vazhdojë:
"Bartja e kompetencave është proces dhe ne tashmë kemi transferuar mjaft kompetenca, e kemi informuar kryeministrin dhe ai po vepron për formimin e tre ministreve të reja," tha Jessen Petersen, duke premtuar se vitin e ardhshëm do të diskutohet për bartjen e një pjese të përgjegjësive edhe në fushën e drejtësisë dhe të policisë për qeverinë e Kosovës.
Dy bashkëbiseduesit thanë sot se janë pajtuar përfundimisht edhe lidhur me prioritizimn e standardeve. Kryeministri Haradinaj tha se qeveria e tij e ka miratuar planin e UNMIK-ut për standardet prioritare:
"Në qeverinë e Kosovës, pasi i kemi trajtuar me kujdes prioritetet që janë nxjerrë nga standardet, ne tashmë e kemi dhënë aprovimin për këto prioritete, pra i kemi mbështetur. Siç dihet ne jemi në fazën e zbatimit të tyre tani, meqë strukturat e qeverisë së Kosovës janë aktivizuar".
Standardet prioritare sipas planit janë sundimi i ligjit, liria e lëvizjes, kthimi i qëndrueshëm dhe dialogu i drejtpërdrejtë. Jessen Petersen dhe Haradinaj thanë se edhe Grupi i Kontaktit kishte përkrahur dje planin për prioritizimin e standardeve.

XS
SM
MD
LG