Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDON PAQARTËSIA MES SERBËVE TË KOSOVËS PËR PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qëndrimi i përfaqësuesve të dy subjekteve politike serbe në Kosovë rreth pjesëmarrjes së tyre në institucione, mbetet i pandryshueshëm. Ndërsa "Lista Serbe për Kosovën e Metohinë" qëndron në pozicionin e vet që gjatë tre muajve të ardhshëm nuk do të kyçen në institucione, duke pritur kështu plotësimin e kushteve të vëna UNMIK-ut dhe institucioneve vendore, Iniciativa Qytetare "Serbia" shprehet e gatshme që të përfaqësohet jo vetëm në kuvend, por edhe në qeverinë e Kosovës.
Dragisha Kërstoviç, njëri prej përfaqësuesve të "Listës Serbe" thotë se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në institucione, pa u miratuar disa nga kërkesat e vëna UNMIK-ut dhe institucioneve vendore, kërkesa këto që i ka parashtruar edhe Beogradi:
“Nëse ndërkohë do të ndërmerren disa hapa pozitive te institucionet e përkohshme dhe misioni ndërkombëtar, atëherë me siguri se do të kyçemi në institucione, por tani për tani gjithçka është e paqartë”, tha Kërstoviç. Kërkesat e këtij subjekti politik ndërlidhen shumë dhe me procesin e decentralizimit, përmes së cilit përfaqësuesit e "Listës Serbe" kërkojnë krijimin e komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë.
Në anën tjetër, kryetari i Iniciativës Qytetare "Serbia", thotë se nuk ka ndonjë parakusht dhe kërkon që serbët t’i marrin vendet që u takojnë në institucione:
“Qëndrimi i Iniciativës mbetet i pandryshueshëm, që do të thotë se ne jemi për pjesëmarrjen e serbëve në të gjitha institucionet”, pohon Petkoviç.
Këto dy subjekte kanë zhvilluar një takim të përbashkët, që të merren vesh për ndarjen e vendeve që i takojnë bashkësisë serbë në institucione:
“Po mundohemi të arrijmë disa marrëveshje, se cilat vende do t’i merrte në qeveri Iniciativa Qytetare "Serbia", pasi ata kanë vendosur të hyjnë në institucione”, tha Kërstoviç.
Këto bisedime, sipas Sllavisha Petkoviçit, do të vazhdojnë edhe javën tjetër, dhe nëse nuk arrihen rezultate atëherë sipas tij do të bisedohet drejtpërdrejt me qeverinë e Kosovës:
“Iniciativa Qytetare me siguri se për vendet që i takojnë do t’i fillojë bisedimet e njëanshme me qeverinë, në mënyrë që t’i marrë ministritë që i takojnë”, tha Petkoviç.
Në rast se Iniciativa Qytetare hyn në qeveri, pa një marrëveshje me subjektin tjetër serb, atëherë sipas Dragisha Kërstoviçit, subjekti i tij nuk do të reagojë, sepse do ta konsiderojë këtë, si veprim të pavarur të Iniciativës Qytetare të Petkoviçit. Sidoqoftë, deri më tani, përveç paralajmërimeve, Petkoviç nuk ka zhvilluar ndonjë takim për këtë çështje me qeverinë e re të Kosovës, por siç shprehet ai, ky takim me gjasë do të realizohet javën tjetër.



XS
SM
MD
LG