Ndërlidhjet

GREVAT PËR RRITJE RROGE DHE KRIZA E SHËRBIMEVE PUBLIKE


Mungesa e dialogut, organizimi i dobët sindikalist, plotësimi i kërkesave në minutën e fundit dhe mungesa e një reforme rrënjësore në sistemin e pagave të administratës publike janë karakteristikat kryesore që dalin në pah në grevat e fundit në Shqipëri.
Pas plotësimit të kërkesave për autonomi financiare të arsimit të lartë, edhe arsimi parauniversitar dhe sistemi shëndetësor në vend ka zhvilluar greva paralajmëruese me kërkesën për rritje pagash deri në 50%. Kërkesat bëhen në prag të miratimit të buxhetit të shtetit. Qeveria ka ofruar rritje simbolike deri në 12% të pagave për sistemin arsimor dhe 8% për shëndetësinë. Ministri i Financave ka paralajmëruar se nëse plotësojmë gjithshka, rrezikojmë gjithshka. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, tha; “Ju nuk shkoni në punë dhe kërkoni rritje rroge!”. Mbase kjo deklaratë nxjerr më në pah gjendjen në të cilën ndodhet shërbimi publik në vend: në formë publik dhe në përmbajtje “privat”. Eshtë një realitet i pamohueshëm që mësuesit, mjekët dhe infermierët kanë paga shumë të ulta që variojnë nga 100 deri në 150 dollarë në muaj.
Qeveria ka bërë një sy qorr duke toleruar dy punësimin, rënien e shërbimit dhe ryshfetet dhe përballë kërkesave minimale ndodhet tërësisht e pa përgatitur. Grevat e fundit që kanë efekt paralizues në arsim dhe shëndetësi kanë zbuluar një realitet të prekshëm për të gjithë qytetarët, por të fshehur me këmbëngulje nga legjislativi dhe ekzekutivi. Në hartimin e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm asnjë nga dikasteret nuk kishte parashikuar ngritje pagash dhe vetëm pasi zërat e buxhetit nisën të bëhen publike, nisën grevat.
Grevat nxorrën në pah edhe mungesën e organizimit sindikalist. Sindikatat që në Shqipëri kanë luajtur një rol vendimtar në ndryshimin e sistemit në vitet ’90 sot janë vetëm një kopje e keqe e fuqisë së dikurshme të tyre. Gjendja e sindikatave reflekton edhe krizën e komunitetit qytetar dhe profesional që karakterizon sot shoqërinë shqiptare. Nëse në vende të Perëndimit, në krye të sindikatave janë profesorë, në Shqipëri përgjithësisht janë njerëz që “u zgjodhën” në këto poste në vitet '90, ose që nuk kanë shkëlqyer në profesionin e tyre. Mungesa e sindikatave ka sjellë edhe mungesën e kultivimit të kulturës së dialogut me parlamentarët. Problemi i shpërndarjes së buxhetit dhe kontrolli janë cështje për deputetët dhe sindikatat, OJF-të dhe grupe të tjera interesi kanë gjithmonë kohën e mjaftueshme për të lobuar, negociuar dhe për të ushtruar presion për realizimin e kërkesave të tyre.
Nëse kërkesat bëhen publike vetëm në prag të miratimit të buxhetit, atëherë ka pak të ngjarë të arrihen rezultatet e kërkuara.
Vetëm një reformë tërësore në sistemin e pagave në administratën publike, një mjedis ku njihet, vlerësohet dhe shpërblehet më i miri, një mjedis që nxit etikën, rregullin dhe sistemet vetëkorrigjuese, do të bëjë të mundur daljen nga situata që duhet të paguash për cdo shërbim dhe kjo pagesë të konsiderohet si “kompensim rroge”. Tolerimi i rryshfeteve të vogla, që paguhen pak për të mbijetuar familja e nënpunësit publik, ushqen prodhimin e një spiraleje të korruptuar dhe një situatë ku nëse klienti nuk paguan nuk i shërbehet. Në kohën kur shëbimet publike po kalojnë me shpejtësi në duar të privatëve, publiku ka të drejtë të kërkojë jo vetëm rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përdorimin më efektiv të taksave që paguan, por edhe një standart më të mirë në sektorin privat. Por nëse edhe shërbimi publik dhe ai privat operojnë në një treg të pandershëm, të molepsur nga korrupsioni atëherë ka pak të ngjarë të prodhojë atë cfarë kërkon komuniteti.
Për fat të keq, mësimi që u nxorr nga greva e pedagogëve të universiteteve është se vetëm një presion maksimal mund të detyrojë qeverinë të të marrë seriozisht. Zgjidhja e kërkesave me presion dhe jo me dialog është filozofia që po bëhet mbizotëruese në grevat shqiptare.


Lutfi Dervishi
XS
SM
MD
LG