Ndërlidhjet

logo-print

SOT U TAKUAN GRUPET PUNUESE PËR STANDARDE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka takuar sot grupet punuese për standardet, nga të cilat ka kërkuar ndërmarrjen dhe caktimin e veprimeve konkrete për zbatimin e standardeve, sidomos atyre të përcaktuara si prioritete. Koordinatori i qeverisë vendore për procesin e standardeve Avni Arifi, tha se dinamika e filluar e punës pritet që të rezultojë me përcaktimin e të gjitha prioriteteve të veprimit deri në javën tjetër. Arifi tha po ashtu se aktualisht është duke u bërë dhe vlerësimi teknik i standardeve, kurse do të pasojë dhe vlerësimi politik i tyre:
“Vlerësimi teknik do të bëhet në shkallën fillestare, kurse vlerësimi teknik dhe vlerësimi politik mbeten që të kryhen nga UNMIK-u, mirëpo aty gjithsesi do të ketë rolin edhe kryeministri i Kosovës”, tha Arifi.
Grupet punuese janë duke identifikuar fushat e veprimeve konkrete për secilin nga tetë standardet sa janë gjithsejt. Kryesuesi i grupit të parë punues, ministri Ahmet Isufi, ku bën pjesë standardi për ngritjen e institucioneve funksionale, tha se ka disa veprime konkrete që duhet të ndërmerren, kryesisht në fushën e demokratizimit. Me mbajtjen e zgjedhjeve dhe konstituimin e institucioneve, pjesa më e madhe e këtij standardi sipas ministrit Isufi është përmbushur, kurse tani kanë mbetur dhe disa fusha të tjera më të ndjeshme që duhen përmbushur:
“Çështjet më të ndjeshme janë diku pesë pika të këtij standardi, që është përfshirja e komuniteteve, domethënë minoriteteve në nivelet që duhet të jenë në kuadër të institucioneve tona, po ashtu çështja e mediave që duhet të rregullohet me ligj, pastaj edhe niveli i barazisë gjinore në kuadër të këtyre çështjeve”, tha ministri Isufi.
Fundjavën e kaluar UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës janë pajtuar për prioritetet në kuadër të standardeve. Ato kanë të bëjnë kryesisht me pozitën e komuniteteve, siç janë liria e lëvizjes, siguria, kthimit të zhvendosurve dhe decentralizimi. Me përmbushjen e këtyre prioriteteve, bashkësia ndërkombëtare deri më tani është treguar e përkushtuar që të shtrojë më pas për definim dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës për mesin e vitit të ardhshëm.



XS
SM
MD
LG