Ndërlidhjet

BIELEY: BEOGRADI ENDE NUK I ËSHTË PËRGJIGJUR LETRËS SË ZOTIT PETERSEN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i ka përsëritur thirrjet drejtuar autoriteteve të Beogradit, për të rinisur dialogun për disa çështje të interesit të përbashkët, që në të vërtetë është dashur të jenë pjesë e bisedave për çështje teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley, tha se shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, dy javë më parë i ka shkruar një letër kryeministrit të Serbisë Koshtunica, duke përsëritur disa gjëra që tashmë janë thënë lidhur me dialogun ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit, siç u shpreh ai. Posaçërisht shefi i UNMIK-ut e përshkruan procesin politik rreth decentralizimit që zhvillohet në Prishtinë, tha Bieley, për të shtuar se thirrjet e zotit Petersen më shumë janë drejtuar për rifillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për personat e zhdukur. Kjo është një pjesë e standardit, një nga katër grupet punuese për çështjet praktike të këtij dialogu dhe UNMIK-u dëshiron që këto çështje të bisedohen:
"Ne shpresojmë se Beogradi dhe institucionet e Kosovës do të sillen në tavolinën e bisedimeve për këtë, por fatkeqësisht nuk kemi marrë një përgjigje," tha Bieley, duke shfaqur zhgënjimin e shefit të UNMIK-ut për shkak të mungesës së vazhdueshme të një përgjigjeje nga Serbia lidhur me këtë kërkesë.
"Mendojnë se ndërlidhja e një çështjeje humanitare si kjo, me çështje që s’kanë të bëjë me të, vetëm sa e zgjat vuajtjen e familjeve që janë viktima të konfliktit," tha Jeff Bieley.
Ndërkohë zyrtarët e qeverisë së re të Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm për të biseduar për çështjet teknike me interes të përbashkët. Zëdhënësi Bieley tha se thirrjet e shefit të UNMIK-ut nuk kanë të bëjnë vetëm me dialogun me Beogradin për çështje teknike, por edhe me përfshirjen në çështjet me interes të përbashkët për vetë komunitetet në Kosovë, që zyrtarët e qeverisë së Kosovës e kanë quajtur dialog i brendshëm. Në këtë kuadër, zoti Bieley tha se UNMIK-u i ka ftuar vazhdimisht sebrët që të marrin pjesë në Grupin Këshilldhënës për Siguri që funksionon në Prishtinë e në të cilin janë të përfshirë UNMIK-u, KFOR-i, policia e UNMIK-ut, institucionet e Kosovës si dhe përfaqësuesit e serbëve dhe të bashkësive të tjera.
"Kjo është një formë e rëndësishme për koordinimin lidhur me çështje të sigurisë," tha zëdhënësi Jeff Bieley, sipas të cilit zoti Petersen është i gatshëm që për çështje të lidhura me sigurinë, të bisedojë edhe me kryeministrin e Serbisë, Vojislav Koshtunica.
Megjithëse nuk është në mesin e pesë standardeve prioritare, dialogu me Beogradin për çështjet teknike është në mesin e standardeve për Kosovën.


XS
SM
MD
LG