Ndërlidhjet

logo-print

HARADINAJ: SOT FILLOI FAZA E ZBATIMIT KONKRET TË STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka takuar sot grupet punuese për standardet, nga të cilat ka kërkuar ndërmarrjen dhe caktimin e veprimeve konkrete për zbatim e standardeve, sidomos atyre të përcaktuara si prioritete.
Në bazë të përcaktimit të qeverisë që standardet janë prioritet i punës së qeverisë, dita e sotme u është kushtuar në tërësi standardeve duke i mbledhur grupet punuese në nivelin e ministrave dhe përfaqësuesve të lartë të UNMIK-ut. Pas përcaktimit të prioriteteve të premten e kaluar, kryeministri Haradinaj tha se dita e sotme ka shënuar fillimin e zbatimit konkret, duke përcaktar detyrat dhe afatet kohore për vlerësimin e tyre:
“Ne si qeveri, mund të them se nga dita e sotme jemi në fazën zbatuese të standardeve", theksoi Haradinaj. I tërë procesi, sipas tij do të ketë shumë vështirësi, por ai u zotua se me dakordimin që takimet e tilla të jenë javore dhe vendosmërinë që në çdo takim të evidentohen rezultatet e arritura, do të arrihen vlerësime positive.
Në anën tjetër, koordinatorja e UNMIK-ut, Sara Mekintosh tha se prioritizimi i standardeve të premten e kaluar, është pasuar me këto veprime konkrete, duke mbledhur grupet punuese, që janë normale për arritjen e standardeve.
“Përmbushja e prioriteteve do të mundësojë krijimin e një shoqërie shumetnike në Kosovë ku të gjithë qytetarët e Kosovës do të jetojnë të lirë, të barabartë dhe me prosperitet”, tha Mekintosh. Prioritizimi i standardeve, sipas saj, është i rëndësishëm ngase zhbllokon progresin kundër çdo bllokade eventuale.
Caktimi i prioriteteve, ku bëjnë pjesë liria e lëvizjes, siguria, kthimi i të zhvendosurve dhe decentralizimi, të cilat kryesisht bien në fushat e përgjegjësive të rezervuara për shefin e UNMIK-ut, sipas kryeministrit Haradinaj nuk paraqesin më pengesë për qeverinë që t’i zbatojë këto standarde:
“Mendoj se kemi kaluar krejtësisht në një periudhë të re në Kosovë, ku dallimi në atë se kush i mban përgjegjësitë nuk ekziston më. Në shumë aspekte ne po punojmë si grupe të përbashkëta të punës. Janë disa detyra që i ndërmarrim ne e që janë përgjegjësi e institucioneve vendore, kurse në detyrat që dalin në kuadër të standardeve ku përgjegjësitë janë të rezervuara, puna bëhet bashkarisht. Prandaj, mund të them se nuk kemi pengesa në zbatim”, pohoi kryeministri Haradinaj.
Përmbushja e prioriteteve në kuadër të standardeve, konsiderohet sfida kryesore e qeverisë Haradinaj. Ato kanë të bëjnë kryesisht me pozitën e komuniteteve, dhe se me përmbushjen e tyre, bashkësia ndërkombëtare deri më tani është treguar e përkushtuar që të shtrojë më pas për përcaktim dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës për mesin e vitit të ardhshëm. Edhe takimet e sotme të grupeve punuese, janë bojkotuar nga përfaqësuesit e subjekteve të pakicës serbe.


XS
SM
MD
LG