Ndërlidhjet

KOSOVA BALLAFAQOHET ME KRIZË TË RËNDË SOCIALE DHE EKONOMIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Gjatë dy viteve të fundit Kosova nuk ka shënuar zhvillim ekonomik, thonë ekspertët vendorë. Për dallim nga faza e parë e pasluftës, gjatë viteve 1999 – 2001, kur vlerësohet se kishte një rritje të madhe të bizneseve, falë potencialit vendor, donacioneve dhe ndihmave humanitare, nga viti 2002 e këndej, pra edhe viti 2004, sipas drejtorit të institutit RIINVEST, nuk ka shënuar zhvillim ekonomik, por ka shënuar përkeqësim i gjendjes socio-ekonomike:
“Situata socio-ekonomike në këtë moment në Kosovë është mjaft e vështirë, e ngarkuar me një status-kuo, e ngarkuar me mëdyshje të dy blloqeve të qeverisjes në Kosovë, UNMIK-ut dhe institucioneve rreth strategjisë së zhvillimit, me politika jo shumë adekuate për zgjidhjen e problemit të papunësisë”, tha Muhamet Mustafa.
Në anën tjetër, Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, vlerëson se Kosova në njëfarë mënyrë është lënë anash nga komuniteti ndërkombëtar, duke pasur parasysh se kompetencat në ekonomi i ka pasur ekskluzivisht UNMIK-u. Mirëpo edhe ato përgjegjësi që i kanë pasur vendorët, sipas tij, nuk janë shfrytëzuar sa duhet:
“Ky vit ka qenë shumë i rëndë dhe shumë i vështirë për ekonominë e Kosovës, sepse në rend të parë, synimet e ekonomisë së Kosovës nuk janë realizuar ashtu siç kanë qenë të projektuara. Kjo për shkak se, sot e asaj dite ende nuk është rrumbullaksuar ambjenti juridik në Kosovë, për shkak se Kosova nuk ka qasje në institucionet monetare ndërkombëtare, Kosova sot e asaj dite nuk ka mundësi që t’i angazhojë mjetet financiare me të cilat disponon dhe për fat të keq ekonomia e Kosovës i është lënë vetëvetes nga ana e institucioneve ndërkombëtare”, tha Ibrahimi.
Mustafë Ibrahimi vlerëson po ashtu se mungesa e një strategjie zhvillimore, reflektohet drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, ndërsa një rol në këtë drejtim, sipas tij kanë dhe institucionet monetare ndërkombëtare që në këtë rast janë paraqitur më tepër si pengesë për hartimin e kësaj strategjie:
“Strategjia për zhvillimin ekonomik i një vendi është një rrugë nëpër të cilën duhet të orientohet zhvillimi ekonomik i një vendi. Fatkeqësisht Kosova nuk e ka një strategji të vetën. Disa tentime të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë edhe të një grupacioni tjetër të quajtur ESPIG që të bëjë një strategji, janë si duket vetëm dëshira të kosovarëve. Fatkeqësisht institucionet që duhet ta mbështesin Kosovën që të ketë strategji, në këtë rast Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, në njëfarë mënyre kosovarëve ua kanë bërë me dije se nuk duhet të kenë strategji të zhvillimit ekonomik, por strategji të eleminimit të varfërisë, që për neve është dekurajuese”, tha Ibrahimi.
Zvarritjet në procesin e privatizimit, mungesa e vendeve të punës dhe shtimi i fuqisë punëtore, duke pasur parasysh moshën e re të popullatës në Kosovë, vlerësohet se e rëndojnë çdo ditë e më tepër gjendjen edhe ashtu të vështirë socio-ekonomike. Duke u nisur nga kjo gjendje Muhamet Mustafa përmend ndërmarrjen e tre hapave konkretë për vitin vijues që të fillohet me rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë:
“Prioritetet e Kosovës, domethënë prioriteti numër një është zgjidhja e problemit të papunësisë nëpërmjet krijimit të një mjedisi miqësor për investime, që përfshinë zhvillimin e infrastrukturës, shtetit ligjor dhe edukimit. Domethënë papunësia në Kosovë mund të zgjidhet vetëm nëse jemi të vendosur t’i tejkalojmë këto probleme, veprimi i shtetit ligjor, tejkalimi i izolimit të Kosovës në infrastrukturën rajonale dhe përmirësimi i vendosur i sistemit të edukimit”, tha Muhamet Mustafa.
Ndërsa prodhimtaria është e ulët kurse ekonomia mbështetet në tregëti, Kosova megjithatë nuk ka arritur të përfshihet në liberalizimin e tregut në rajon, pasi që deri tani ka nënshkruar vetëm një marrëveshje me Shqipërinë. Integrimet rajonale dhe evropiane, vlerësohen nga ekspertët me peshë të veçantë për zhvillimin e saj ekonomik. Gjatë kësaj jave, kryeadministratori Soren Jessen Petersen ka premtuar dorëzimin e kompetencave në disa fusha të ekonomisë tek qeveria vendore, mirëpo duke pasur parasysh mandatin e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, nuk besohet se në këto kompetenca do të përfshihet edhe privatizimi i ndërmarrjeve, që deri më tash është realizuar vetën në shkallën tre përqind, pavarësisht se mandati i AKM-së është që deri në mesin e vitit të ardhshëm t’i privatizojë të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore e publike.


XS
SM
MD
LG