Ndërlidhjet

PETERSEN: QEVERIA E KOSOVËS ME MË TEPËR PËRGJEGJËSI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka filluar të kalojë gradualisht në rolin dytësor duke ia lënë rolin parësor qeverisë së Kosovës, ka thënë sot shefi i administratës ndërkombëtare Soren Jessen Petersen. Këto komente, Petersen i bëri pas një takimi që zhvilloi sot me kryeministrin Ramush Haradinaj, ku u tha se është diskutuar për ndërmarrjen e disa veprimeve konkrete për bartjen e disa përgjegjësive te qeveria e Kosovës në fushën e ekonomisë. Nisur nga prioritetet kryesore të qeverisë së Kosovës, siç janë standardet dhe zhvillimi ekonomik, Petersen tha se ka vendosur ndërmarrjen e tre veprimeve konkrete për bartje kompetencash, pasi për t’i arritur këto qëllime, si tha ai, qeveria duhet të ketë përgjegjësi të mjaftueshme për të vepruar:
“Para se gjithash, sa i përket këtij transferi, ne do t’ia japim drejtimin e Këshillit Ekonomik Fiskal kryeministrit, pasi deri tani, kryesues ka qenë UNMIK-ut dhe unë personalisht," tha Petersen, kurse tani e tutje këtë detyrë do ta marrë kryeministri. Po ashtu, shtoi shefi i UNMIK-ut, qeverisë i janë bartur kompetencat edhe në lidhje me sistemin bankar dhe pyjet e Kosovës. Petersen tha se roli i UNMIK-ut çdo ditë e më tepër po kalon në dytësor, duke i lënë hapësirë qeverisë vendore të funksionojë me sa më tepër përgjegjësi:
“Transferi i kompetencave nënkupton kalimin e Institucioneve të Përkohshme dhe qeverisë në ballë dhe kjo është mënyra më e mirë për arritjen deri te vlerësimi pozitiv i standardeve dhe bisedimet për statusin”, tha Jessen Petersen, duke shtuar se UNMIK-u do të vazhdojë ndërkohë të zvogëlohet vazhdimisht, kurse Institucionet e Përkohshme dhe qeveria duke u rritur.
Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj tha se e mirëpret fuqizimin e vazhdueshëm të qeverisë së tij, duke e vënë kështu qeverinë në ballë të proceseve të ardhshme në Kosovë:
“Janë identifikuar disa fusha me qëllim që qeveria e Kosovës të nxirret përballë punëve dhe roli i UNMIK-ut, në vazhdimësi të kalojë në rol këshilldhënës. Kjo sigurisht se do të përcillet edhe me fusha të tjera”, tha kryeministri i Kosovës.
Haradinaj tha se në bisedat për bartje kompetencash nga fusha e ekonomisë nuk është përfshirë ende diskutimi për privatizimin, duke i mbetur kjo përgjegjësi Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, që drejtohet nga UNMIK-u.
Kryeministri Haradinaj, edhe sot është shprehur i gatshëm të ballafaqohet me të gjitha detyrat që e presin, dhe i ka përsëritur ofertën Beogradit për bisedime për të gjitha çështjet e evidentuara si interesa të dyanshme të diskutimeve në nivelin teknik, sidomos çështjet që kanë të bëjnë me peronat e zhdukur gjatë luftës:
“Kemi gadishmërinë tonë që të zhvillojmë dhe riaktivizojmë grupet punuese për dialogun teknik. Po ashtu qëndrimin që jemi të interesuar të vendosim kontakte politike me të gjitha vendet fqinje dhe me këtë rast kemi bërë disa përparime të dukshme në kontaktet me disa prej këtyre vendeve, por ne konsiderojmë se është në dobi që të vendosim dhe kontakte me qeverinë e Beogradit dhe zyrtarët në Beograd”, tha Haradinaj.
Fuqizimin e institucioneve të Kosovës, e ka kërkuar në takimin e fundit dhe Grupi i Kontaktit, i cili i ka rekomanduar UNMIK-ut që nga viti vijues të fillojëme përgatitjen e bazës juridike për bartjen e përgjegjësive dhe në fusha të caktuara të drejtësisë dhe sigurisë.


XS
SM
MD
LG