Ndërlidhjet

logo-print

IBRAHIM RUGOVA: “PAVARËSIMI I KOSOVËS NDIHMON INTEGRIMIN E SERBËVE”


Ibrahim Rugova, President i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president, po i afrohemi vitit 2005, nga mesi i të cilit priten të fillojnë bisedimet për përcaktimin e statusit përfundimtar. Si e shihni ju Kosovën në mesin e vitit të ardhshëm?

IBRAHIM RUGOVA
Kosovën, po ju them që në fillim, dëshiroj sot apo nesër, ta shoh si vend të pavarur; të njihet pavarësia e Kosovës dhe Kosova të jetë e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një parashikim, një rrugë ndërkombëtare është kjo që të bëhet një rishikim, një rivlerësim, apo një vlerësim i progresit të Kosovës që kemi arritur dhe që po i themi standarde etj. Pra, standardet prioritare që janë stabiliteti, mbrojtjen e grupeve etnike minoriteteve, dhe reformën e administratës së Kosovës, pra të pushtetit lokal, që është një proces për të cilin jemi përcaktuar, do ta fillojmë dhe ky është një proces që do të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë tërhequr vërejtjen se megjithatë rruga deri tek fillimi i bisedimeve nuk do të jetë dhe aq e lehtë për institucionet kosovare, në kuadër të përmbushjes së standardeve.
Si e shikoni ju një skepticizëm të tillë?

IBRAHIM RUGOVA
Ne kemi përmbushur mjaft standarde, tani duhet t'i vlerësojmë ato. Po të vendosim standarde të hekurta mbi Kosovën apo edhe mbi ndonjë tjetër më të zhvilluar, apo të pavarur, do të ketë probleme. Pra neve duhet të na hapen mundësitë për t'i realizuar më shumë standardet, më shpejt. Natyrisht pavarësia do ta hapte këtë rrugë të gjerë. Ndërkohë, po ashtu të kemi më shumë kompetenca, të cilat zoti Petersen ka filluar t'i bartë tek institucionet e Kosovës. Është problem po të shohim çdo gjë me skepticizëm. Duhet t'i shikojmë me optimizëm. Ne jemi optimistë për vlerësimin e standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush deri në çfarë mase mund të ndikojë mospjesëmarrja eventuale e përfaqësuesve të komunitetit serb në procesin e përgjithshëm të përmbushjes së standardeve?

IBRAHIM RUGOVA
Kemi bërë të gjitha përpjekjet dhe i kemi kryer obligimet tona që t'i afrojmë dhe t'i integrojmë grupet etnike, pakicat, në këtë rast, serbët, sepse të tjerët janë integruar dhe e kanë pranuar integrimin në Kosovë. Por siç e dini, me minoritetin serb janë ato problemet e tyre të ngarkesave të së kaluarës, ende manipulohen nga Beogradi. Me një pavarësi më të shpejtë edhe kjo çështje do të zgjidhej. Serbët do të pranonin të integroheshin në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Mos harrojmë, ne i kemi bërë të gjitha. Nga ana jonë ata kanë vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës. Pra serbët i kanë 10 vende, minoritetet e tjera 10 vende të tjera, tani kanë dy ministri serbët dhe zëvendësministër. Në komunat ku janë më shumë ata udhëheqin. Shqiptarët nuk bëjmë probleme. Mitrovica është një rast tjetër, ka disa shenja pozitive. Pra, ata duhet të pranojnë të integrohen dhe të jenë pjesë e kësaj shoqërie. Po ashtu ne kemi gjithashtu benificione për komunitetin serb, kanë buxhet të veçantë nëpër vendbanimet e tyre, shkolla, ambulanca, gjuha e tyre përdoret etj. Pra është një çështje që lidhet me pavarësinë. Po të njihet pavarësia atëhere do të pushonin edhe manipulimet e Beogradit. Por mospjesëmarrja e tyre nuk do t'i pengojë proceset në Kosovë, sepse duhet që shumica të avancohet, të bëhet zhvillimi ekonomik dhe demokratik dhe edhe ata do të përfitojnë prej kësaj padyshim, nëse shkojnë proceset kryesore pozitivisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Viti që do të lemë pas për shumë kënd do të mbahet mend për nga trazirat e muajit mars. Sipas jush sa kanë arritur institucionet në Kosovë që të sanojnë dëmet, jo vetëm materiale por edhe dëmet që kanë shkaktuar këto trazira në raportet ndëretnike në përgjithësi?

IBRAHIM RUGOVA
Siç e dini sanimi i dëmeve materiale etj është kryer rreth 90 %. Kanë mbetur edhe disa që janë në proces e sipër. Të mos harrojmë se të gjitha këto janë bërë nga buxheti i Kosovës. Natyrisht ishin ngjarje të këqia për Kosovën. Por kemi arritur të sanojmë gjendjen. Po ashtu kemi edhe një klimë më të mirë ndëretnike apo politike me komunitetet, me komunitetin serb, me minoritetet e tjera. Dhe mund të themi se këto raporte mes shumicës edhe pakicave janë sanuar edhe në planin politik, apo nëse mund të themi edhe shpirtëror. Pra kemi bërë përpjekje të mëdha dhe kemi patur sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër në kuadër të raporteve ndëretnike, e cila thënë kushtimisht është ripërtërirë së fundi në skenën politike, është çështja e dialogut mbi çështjet teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë dialog?

IBRAHIM RUGOVA
Çdo bisedë me Beogradin është shumë e vështirë. Ne kemi provuar vitin e kaluar pak edhe në fillim të këtij viti, nëse ju kujtohet, kemi biseduar për disa çështje teknike, por ata janë shumë të ngarkuar rreth Kosovës. Nuk pranojnë atë që ka ndodhur pas vitit 1999, që do të thotë se Kosova tani është diçka tjetër, Kosova është e lirë, de fakto një vend i pavarur dhe gjithnjë përpiqen ta destabilizojnë Kosovën. Ne mund të bëjmë përsëri përpjekje, por është shumë problem të bisedohet me Beogradin dhe më lehtë do të ishte me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pra, po të njihet drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, atëhere do të mund të bisedonim më lehtë me Beogradin dhe me vendet e tjera fqinje, ku marrëdhëniet i kemi në progres e sipër.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mesin e sfidave të cilat gjenden përballë institucioneve në Kosovë, është edhe gjendja ekonomike, me më shumë se 50 % varfëri dhe më shumë se 70 % papunësi. Cilët janë shkaktarët kryesorë të kësaj gjendjeje dhe cila është rrugëdalja?

IBRAHIM RUGOVA
Në përgjithësi kemi një gjendje të mirë në Kosovë. Po flas vetëm për stabilitetin, sigurinë. Tek çështja e varfërisë janë disa shkallë që i përmendin 50 e të tjera, por varfëri të mizershme nuk kemi. Natyrisht mund të flasim për një nivel tjetër të varfërisë, sa ndihma kanë shtresat sociale, sa kanë mundësi për zhvillim dhe punësim. Po ashtu edhe tek punësia ne duhet ta shikojmë konceptin e punësisë tek ne, sepse flitet 70, 80, 90 % etj etj, por ende është një koncept i vjetëruar rreth punësisë. Përpara, vetëm ata njerëz që kanë punuar në zyrë apo në ndonjë fabrikë janë numëruar të punësuar ose të papunë. Duhet të shikojmë ata që jetojnë nga bujqësia, nga e cila sot mund të jetohet mirë, nga rezultatet e tjera të punës. Sektorin privat e kemi mjaft të fuqishëm. Statistikat e fundit flasin për mbi 270 mijë të punësuar. Natyrisht që është një numër i të rinjve që pret punë dhe ne duhet të bëjmë çmos që të hapim perspektivën e zhvillimit ekonomik. Pengesa janë që ne ende nuk kemi kompetenca, të cilat zoti Petersen tani ka filluar t'i japë në fushën e ekonomisë. Duhet të garantohen investimet, pastaj të vazhdojë procesi i privatizimit. Tek ne privatizimi është treguar shumë produktiv. Jo që nuk po redukton vendet e punës, por po i shton, sepse siç e dini ekonomia e Kosovës ka qenë komplet e shkatërruar, po flas për atë shtetërore. Natyrisht që pa njohjen e pavarësisë, ne kemi problem të marrim kredi nga Banka Botërore, nga Banka Evropiane për zhvillim, sepse ata na kanë ndihmuar këto pesë vjet, por na thonë duhet të jeni anëtarë dhe t'i gëzoni të gjitha të drejtat për një zhvillim më të fuqishëm ekonomik. Ne do të bëjmë përpjekje që t'i privatizojmë ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, të aktivizojmë sërish sektorin e minierave, të energjisë dhe të fushave të tjera. Po ashtu edhe disa investime në bujqësi që mund t'i kemi për prodhimet e vogla, pasi eksporti i prodhimeve tona do ta shtonte edhe punësimin. Ne prodhojmë diçka por e kemi shumë problem të eksportojmë sepse është çështja e kodit të vendit, të shtetit, për të cilat tani është bërë një lehtësim me Brukselin. Këto janë pengesat kryesore që nuk kemi qasje, nuk kemi mundësi tek fondet financiare, sepse ka ardhur koha për zhvillim më të gjerë dhe më të hovshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president, kalojmë pak tek koalicioni që partia juaj ka bërë me partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj. Disa forca politike, të cilat pas marrëveshjes për themelimin e koalicionit kanë mbetur në opozitë, kanë shprehur një skepticizëm mbi këtë koalicion, duke e quajtur të panatyrshëm. Cila do të ishte përgjigja juaj?

IBRAHIM RUGOVA
Çdo koalicion që bëhet me vullnetin e dy palëve apo tre palëve është i natyrshëm. Natyrisht ato janë vërejtjet, kritikat e opozitës, të njerëzve që mendojnë asisoj. Unë kam respekt për mendimin e lirë. Por është një koalicion i natyrshëm, do të jetë një qeveri më efikase dhe do të ketë më shumë mundësi të veprojë. Natyrisht edhe opozita do të kritikojë, do ta bëjë punën e vet, edhe qeveria do të punojë më shumë, pra ministrat, sepse Kosova po hyn në një fazë kur duhet të ketë zhvillim më të shpejtë dhe një efikasitet më të madh. Ju e dini që kemi patur në mandatin e kaluar një qeveri të një marrëveshjeje të gjerë, e cila ka vënë bazat e institucioneve, por ka patur vështirësi të jetë më efikase sepse ishte një marrëveshje e gjerë. Kjo qeveri do të jetë shumë më efikase, shumë më e fuqishme edhe në veprimet e saj. Dhe, natyrisht varet prej kompetencave, sa më shumë kompetenca që të ketë, aq më shumë aktive do të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do të ishte porosia juaj me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri?

IBRAHIM RUGOVA
Së pari urime për Krishtlindjet, për Vitin e Ri dhe një mesazh që të gjithë të angazhohemi edhe më shumë, edhe pse deri tani jemi angazhuar për progresin e Kosovës, për të mirat e Kosovës. Dhe, po ashtu në planin shpirtëror, njerëzor të kemi një tolerancë, mirëkuptim më të madh ndërmjet njëri tjetrit, një respekt për njëri tjetrin dhe një vetërespekt, të cilin kosovarët e kanë por edhe duhet ta mbajnë gjithmonë. Dhe gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe që sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat evroatlantike. Pra sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës, e cila do të hapte perspektiva të reja për popullin dhe gjithë qytetarët e vendit tonë.

Intervistoi Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG