Ndërlidhjet

THAÇI:"QEVERINË DO TA SFIDOJMË ME IDE DHE ALTERNATIVA DHE JO ME KONFRONTIME


Hashim THAÇI, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, viti në të cilin po hyjmë është cilësuar si i rëndësishëm për shkak të vlerësimit të stanndardeve. Sa besoni që mesi i vitit 2005 mund të shënojë edhe fillimin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Unë vazhdoj të jem i bindur se komuniteti ndërkombëtar do t’i vlerësojë pozitivisht përpjekjet e kosovarëve për implementimin e standardeve për Kosovën, kritere këto demokratike të domosdoshme për ndërtimin dhe funksionimin demokratik të institucioneve dhe të një shoqërie të re moderne. Kam besim, gjithashtu, se do të krijohen kushtet dhe rrethanat e përshtatshme dhe të vlerësuara nga komuniteti ndërkombëtar që, ose mesi i vitit 2005, ose vjeshta e vitit 2005, të jetë koha e fillimit të zgjidhjes së statusit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cilat janë përparësitë dhe mangësitë që i shihni në rrugëtimin drejt fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Fillimisht dobësi është qeverisja aktuale që nënkupton një kthim prapa me këtë strukturë, me këtë qasje të re politike, me këtë qeveri të regresit, të izolimit dhe të paperspektivës për vendin dhe qytetarët. Vlerësoj se si sinjal pozitiv është opozita konstruktive, dinamike e alternativave, por në të njëjtën kohë, qasja e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Gjithashtu, shpresoj se në të ardhmen do të kemi një tendencë, por edhe një punë të përbashkët të pozitës dhe të opozitës për çështjet e përbashkëta në mënyrë që çështjen e statusit politik ta kemi si prioritet të përbashkët të gjithë, pasi fundja vullneti i qytetarëve të Kosovës është vullnet i të gjithëve. Është përgjegjësi e çdo lideri politik që të punojë për implementimin e vullnetit të qytetarëve, sepse pavarësia nuk është shpikje e këtij apo atij lideri, por është përcaktim i qartë i çdo qytetari.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, cili mund të jetë roli i Beogradit dhe i vendeve fqinje, si dhe i bashkësisë ndërkombëtare në gjithë këtë proces?

HASHIM THAÇI
Është qasje e gabuar e qeverisë aktuale që ka theksuar se do të diskutojë statusin e Kosovës me Beogradin. PDK është e vendosur dhe kështu edhe do të ndodhë, se nuk do të ketë asnjë dialog me Beogradin për statusin politik. Për statusin politik të Kosovës do të vendosë populli i Kosovës – këtë status e ka vulosur dhe firmosur lufta e përgjakshme e UÇK-së, vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe perspektiva evropiane e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, cili do të jetë roli i bashkësisë ndërkombëtare?

HASHIM THAÇI
Bashkësia ndërkombëtare do të luajë rolin e saj të rëndësishëm, siç e ka luajtur rolin e vet determinant në procesin e çlirimit të vendit, siç është duke e luajtur rolin e vet të rëndësishëm edhe tash në kohën e transicionit dhe demokratizimit të Kosovës dhe shoqërisë së saj. Jam i bindur se Grupi i Kontaktit do të jetë ai që do të luan rolin e vet udhëheqës në vlerësimin pozitiv të standardeve dhe hapjen e perspektivës së drejtë për zgjidhjen e statusit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, në fillim të vitit të ardhshëm pritet të rinisë dialogu për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Si e shihni Ju këtë çështje?

HASHIM THAÇI
Dialogu duhet të ndodhë me të gjithë fqinjët e Kosovës-një dialog i interesit reciprok, i nevojave, shpresës dhe vullnetit të mirë. Dialogu për çështje teknike duhet të ndodhë edhe me autoritetet e Beogradit, por gjithnjë duke pasur parasysh që interesat që prezantojnë këta përfaqësues të jenë të përgjegjshëm edhe para institucioneve, pra qeverisë dhe parlamentit dhe në këtë kuadër flas edhe për procesin e decentralizimit. Mendoj se kjo çështje duhet më në fund të hapet së diskutuari edhe në parlament, sepse nuk është përfshirë as në programin qeveritar, apo vetëm kalimthi, por në të njëjtën kohë mendoj se për këto çështje shumë të diskutueshme, problematike e të ndieshme duhet të kemi një debat publike dhe duhet të nxirret ligji për decentralizimin dhe pastaj mund të hapet perspektiva e reformimit të pushtetit loakl, që mbi të gjitha ka interesin e qytetarit të Kosovës dhe jo të atij apo këtij etniteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, kur u përmend programi i qeverisë, me rastin e prezantimit të programit i keni rekomanduar qeverisë së Kosovës që të përqendrohet më shumë në pozitën e pakicave kombëtare. Çfarë konkretisht mund të bëjnë udhëheqësit e Kosovës për pakicat kombëtare e veçanërissht për serbët?

HASHIM THAÇI
Dua ta theksoj edhe një herë se programi i qeverisë së re është një program jo për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, jo program i zhvillimit ekonomik, i mirëqenies së qytetarëve, jo program i integrimit të Kosovës në strukturat veriatlantike, jo i përkushtimit për ngadhënjimin e demokracisë qytetare, por është një program i përkthyer mirë, është një program i thatë dhe besoj se në këtë drejtim duhet edhe më tepër të përkushtohemi që të kuptojmë të gjithë se zgjidhja e drejtë e çështjes së minoritarëve është çelësi për statusin politik, por edhe për demokratizimin e vendit. PDK i ka rekomanduar edhe qeverisë së re projektin e vet për zgjidhjen e çështjeve të domosdoshme, që është zgjidhja e drejtë e çështjes së minoritarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, keni thënë se partia juaj do të jetë një opozitë konstruktive. Cili do të jetë roli juaj si opozitë në proceset e përgjithshme që e presin Kosovën gjatë vitit të ardhshëm?

HASHIM THAÇI
PDK do të luajë rolin e saj aktiv, të përgjegjshëm, funksional dhe të opozitës si alternativë dhe jo e konfrontimit. Ne do të shikojmë të gjejmë pikat e bashkëpunimit, në mënyrë që të përhpejtojmë zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, të implementimit të standardeve, të zhvillimit ekonomik, por edhe të një legjislacioni bashkëkohor. Në kuadër të kësaj, në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, jemi duke përpiluar programin e funksionimit të një kabineti të qeverisjes së mirë në kuadër të PDK-së, që do të jetë një qeverisje e sfidimit me ide, projekte e alternativa për qeverisjen aktuale.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, zoti Thaçi, cili do të ishte mesazhi Juaj për vitin 2005?

HASHIM THAÇI
Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë një vit të ri, të suksesshëm, punë të mbarë e më të lumtur!

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG