Ndërlidhjet

Gjermania njeh shtetin e Kosovës


Angela Merkel

Angela Merkel

Me vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Gjermania u bashkohet fuqive tjera të mëdha që njohën shtetësinë e Kosovës –SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe, Australisë, Turqisë dhe disa vendeve tjera.




Qeveria e Gjermanisë e ka njohur sot Kosovën si shtet të pavarur. Pas këtij vendimi të Qeverisë gjermane, presidenti Horst Koehler do t'i dërgojë një notë diplomatike presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

"Qeveria sot u pajtua për njohjen e Republikës së Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe për fillimin e marrëdhënieve diplomatike", tha zëdhënësi i Qeverisë, Urlich Wilhelm.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, të hënën, pati thënë se Gjermania do ta njihte Kosovën.

Edhe Qeveria e Austrisë sot e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
"I rekomandova qeverisë që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm për njohjen e Kosovës", tha ministrja e Jashtme, Ursula Plassnik, në një kumtesë.

"Sipas ligjit austriak, qeveria i propozon presidentit që Qeversië së Kosovës t'i dërgohet letra e njohjes", thuhet më tutje në njoftim.

Ministri i Jashtëm italian, Masimo D'Alema, tha se në mbledhjen e nesërme të qeverisë mund të miratohet vendimi për njohjen e Kosovës.

Gjatë një interviste për radion italiane, zoti D'Alema tha se pavarësia e Kosovës "ishte e e pashmangshme". Sipas tij, "Kosova nuk mund të jetë gjithmonë nën administratën ndërkombnëtare dhe shtoi se "kosovarët nuk dëshirojnë më të jenë nën dominimin serb".

Nga Osloja raportohet se njohjen e Kosovës e ka paralajmëruar edhe Norvegjia.

"Mund të shpall se Norvegjia do ta njohë pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur", thuhet në njoftimin e ministrit të Jashtëm, Jonas Gahr Stoere.

Kështu, Norvegjia, që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, iu bashkua fqinjëve të saj, Danimarkës, Finlandës dhe Suedisë, që tashmë kanë deklaruar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG