Ndërlidhjet

B. HAXHIU:"DEJTONI I RI PËR KOSOVËN - JASHTËZAKONISHT I PAPRANUESHËM"


Intervistë e Baton HAXHIUT, analist - dhënë radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Ka patur vlerësime të ndryshme lidhur me motivet e vrasjes së fundit në Pejë. Sa kanë ndikuar këto vlerësime në ndarjen brenda institucioneve të Kosovës?

BATON HAXHIU
Absolutisht ndarjet nuk kanë filluar sot, kanë filluar gjatë luftës dhe pas luftës, pasi secili dëshiron t’i marrë heronjtë për veten e tij, kryesisht për konceptet e tij politike. Unë mendoj se ky keqpërdorim po shkakton ndarje të mëdha në strukturat politike të Kosovës dhe kjo ndarje po bëhet për motive politike. Ende nuk e dimë kush janë vrasësit, ende nuk e dimë kush është adresa e vrasësve dhe ne menjëherë dalim me atribute politike se këto janë vrasje politike. Në vrasjet politike hyjnë të gjitha ato vrasje të cilat kanë një adresë, ku qëndron një informacion politik mbrapa tyre dhe ku dëmtohet formacioni tjetër politik. Unë për momentin mendoj se nuk kemi asnjë të dhënë se vrasjet janë politike dhe deri sa ta vërtetojë gjyqi dhe policia nuk mund të quhet ndryshe përveçse një krim. Mendimi im është se ngutja në deklarata i shkakton dëm procesit politik dhe shkakton ndarje të mëdhaja në mes të forcave politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat sipas jush janë rrugët për të dalë nga dhuna politike dhe dhuna në përgjithësi?

BATON HAXHIU
E para duhet të respektojmë shtetin ligjor. E dyta Kosova duhet të dalë nga situata e të qënurit peng të luftës, dhe së treti të mos i ndajmë heronjtë sipas liderëve politikë apo sipas institucioneve. Heronjtë janë ata të cilët kanë luftuar për Kosovën dhe ndarja në heronjtë “e mi“ apo të “dikujt tjetër” e shkakton këtë situatë që kemi. Mendoj që debati në parlament është i domosdoshëm që ta dimë se cila ka qenë lufta në Kosovë dhe cili ka qenë dimensioni i ashtuquajtur institucional dhe i atij që quhet Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kalojmë në një situatë tjetër zoti Haxhiu. Kryeministri i Serbisë Zoran Gjinxhiç ka thënë se pavarësia nuk është temë tabu, por njohja e pavarësisë do të hapte çështjen e ridefinimit të kufijve në Ballkan. Si i definoni ju këto qëndrime?

BATON HAXHIU
Për mua nuk është asgjë e re. Ky qëndrim i serbëve është i vjetër edhe para kohës së Millosheviçit, edhe pas kohës së tij, edhe tani pas luftës. Domethënë pozicioni serb përball Kosovës nuk ka ndryshuar prandaj duhet vetëm një qëndrim kosovar rreth kësaj. Unë mendoj që kërkesa e Zoran Gjinxhiç për një Dajton të ri është kërkesë jashtëzakonisht e papranueshme, por politikisht shumë delikate. Sa i përket kësaj a duhet një Dajton i ri apo jo, për këtë do të vendosë bashkësia ndërkombëtare dhe nuk mund të vendosë as Serbia as Kosova. Para së gjithash unë mendoj se megjithatë për Kosovën do të vendoset ndonjëlloj Dajtoni, nuk dua të them një Dajton i ri, por një lloj i tij, dhe statusi i ri i Kosovës do të përcaktohet atje, normalisht duke respektuar edhe vullnetin e popullit të Kosovës, por nuk ka garanci që tërësia territoriale e Kosovës do të mbetet kjo që është tani kur të hyjnë në negociata bashkësia ndërkombëtare, serbët dhe shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia ndërkombëtare ka përcaktuar disa prioritete për këtë vit, përfshirë këthimin e serbëve dhe sigurinë. Sa mendoni është i përgatitur terreni për përmbushjen e këtyre synimeve?

BATON HAXHIU
Për përmbushjen e synimeve të sigurisë duhet të pajtohen të gjitha palët, edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe shqiptarët edhe serbët. Unë mendoj se nuk kemi pajtueshmëri të mjaftueshme politike. Kjo papajtueshmëri politike po shkakton ekscese politike, domethënë nuk kemi kooperim institucional dhe kemi shantazhe politike. Mbi këto procese po ndërtohet edhe një imazh jo i sigurtë për të ardhmen e Kosovës. Unë mendoj që krijimi i standardeve që ka kërkuar zoti Shtajner janë ndoshta prioritetet kryesore para se të vendoset statusi i Kosovës.

Intervistoi: Nadie AHMETI
XS
SM
MD
LG