Ndërlidhjet

V.SURROI:"NGJARJET TRAGJIKE PO SHFRYTËZOHEN PËR AVANTAZHE POLITIKE"


Botuesi VETON SURROI në intervistën dhënë radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Ngjarja e fundit fundit tragjike në Pejë duket sikur ka thelluar dallimet ndërmjet blloqeve kryesore politike në Kosovë. Si e vlerësoni juve gjendjen e këtyre raporteve në këtë moment?

VETON SURROI
Mendoj se kemi hyrë në një fazë kur në mënyrë artificiale po shfrytëzohet ngjarja tragjike, për të krijuar një sërë avantazhesh politike dhe për të rishkruar historinë e sapo përfunduar të luftës në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, cilat blloqe politike po përpiqen ta rishkruajnë këtë histori, siç thoni ju?

VETON SURROI
Është e qartë se zoti Rugova është ai që po i prin kësaj çështjeje duke hapur plagë të vjetra nga koha e luftës, nga koha kur nuk egzistonte koncensusi në shoqërinë kosovare, në shoqërinë shqiptare në Kosovë, dhe në kohën kur bëheshin dallime në mes të të majtëve dhe institucionalistëve etj etj.
Po dalin në shesh të gjitha këto dallime të kota që egzistonin gjatë luftës në Kosovë dhe të cilat e paralizonin pak a shumë jetën politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt si mund të tejkalohen këto dallime, siç i quani ju të kota?

VETON SURROI
Mendoj se duhen përqëndruar së pari forcat në qeverinë, e cila siç e dini, është qeveri e tre partive, katër, së bashku me koalicionin "Këthimi", dhe që do të bëhet një vit nga themelimi i qeverisë, ndërsa tre liderët e partive shqiptare nuk janë ulur për të vlerësuar se si punon qeveria, se çka duhet të punojë më tutje, për cilat çështje janë marrë vesh, për cilat çështje duhet të merren vesh, gjë normale kjo në çdo shoqëri demokratike. Nëse kemi një qeveri koalicioni, atëhere partnerët duhet të ulen dhe të vlerësojnë çka është bërë dhe çka duhet bërë më tutje dhe jo të merren me çështje kush dhe kur luftoi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, duam t’i kthehem edhe njëherë ngjarjes tragjike në Pejë, përfshirë këtu edhe zotin Shtajner kanë kërkuar që udhëheqësit kosovarë të mos nguten me vlerësime politike. Si e shpjegoni juve këtë dukuri, mendoj në gadishmërinë për të dhënë atribute pa e pritur fjalën e organeve të hetuesisë dhe gjyqësisë?

VETON SURROI
Por siç thashë ishte një keqpërdorim i një akti tragjik. Dhe dihet që është keqpërdorur për të krijuar disa pika politike. Mendoj se zoti Shtajner pati absolutisht të drejtë t’ua tërheqë vërejtjen dhe të kanalizojë mendimin politik, aktivitetin politik, në disa çështje që janë më urgjente, më të nevojshme për t’u trajtuar sesa çka ndodhur në vitin 1998 edhe 1997 apo ndonjë vit tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, ka analistë që thonë se situata aktuale në përgjithësi është pasojë e kompetencave të reduktuara të institucioneve kosovare. Në këtë aspekt si e vlerësoni procesin që ishte kohë më parë për transferimin e pushtetit nga ndërkombëtarët te vendasit?

VETON SURROI
Mendoj se ai transfer nuk po bëhet. Mendoj se ilustrative për atë transferë është çështja e buxhetit. Ne kemi një parlament dhe kemi një qeveri, të cilët nuk vendosin për buxhetin e Kosovës. Dhe forma elementare e të vepruarit të një parlamenti dhe qeverie në cilën do shoqëri demokratike është që të vendosin lidhur me ridistribuimin e të ardhurave publike. Në momentin kur nuk mund të merret vendimi për të ardhurat publike, atëhere qeveria dhe parlamenti humbin me të madhe kompetencat e veta. Sepse kompetencat e veta janë të bazuara në faktin se duhet të menaxhojnë me të ardhurat publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit janë aktuale disa deklarata të kryeminsitrit të Serbisë Gjinxhiç, lidhur me statusin e Kosovës, me Dejtonin dhe çështje të tjera. Si i shpjegoni ju këto deklarime të tij, që në një mënyrë dallohen nga deklarimet e deritanishme të zyrtarëve më të lartë serbë dhe jugosllavë.

VETON SURROI
Me sa di unë ajo deklaratë nuk është botuar kund, gjegjësisht është nxjerrë vetëm nga Tanjugu. Dhe unë nuk mendoj se do të ishte një proces i mirëseardhur, një proces i llojit të Dejtonit, sepse siç e dini në Dejton bazamenti themelor negociator ka qenë ngritja e vijave kufitare mes bashkësive etnike. Nëse aplikohet e njëjta metodë në Kosovë, do të kishim përligj-je ndërkombëtare të ndarjes së tanishme të Kosovës të kantoneve apo të asaj që pretendohen të bëhen kantone serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë temë flitet edhe për rolin eventual të Beogradit në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Disa analistë thonë se Beogradi nuk është palë për bisedime....

VETON SURROI
Nuk do mend që Beogradi në një formë apo një tjetër do të kyçet në vendosjen e statusit të Kosovës, sikur për kurgjë tjetër, për vetë faktin se Kosova duhet të krijojë një atmosferë të mirëbesimit me fqinjët e vet. Pra, Kosova do të ketë kohë dhe nevojë të dialogojë me Beogradin, por ajo që mendoj se është substanciale është se Beogradi ka humbur të drejtat e të qenit vendosës ekskluziv. Roli i Beogradit duhet të jetë më i kufizuar në dy aspekte formale. Së pari sigurimi i të drejtave minoritare për serbët e Kosovës dhe së dyti krijimi i një ambIenti të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve. Nuk ka dyshim se Kosova në formën e vet të shtetit të pavarur do të duhet gjithsesi të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë si shtet i pavarur.
Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG