Ndërlidhjet

B. REXHEPI:"BISEDIMET E DREJTËPPËRDREJTA PRISHTINË - BEOGRAD TË PAFRYTSHME NË KËTË MOMENT"


Intervistë e kryeministrit të Kosovës, BAJRAM REXHEPI


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër cila është arsyeja e ftesës suaj drejtuar tre liderëve politikë të Kosovës për një takim në zyrën tuaj?

BAJRAM REXHEPI:
Ju e dini se qeveria ka dalë nga marrëveshja e tri subjekteve kryesore politike. Ne faktikisht i kemi bërë dhjetë muaj punë dhe do të shikojmë pozicionin e tyre nëse janë të kënaqur me punën e qeverisë. Mendoj se në vitin 2003 kur pritet një angazhim edhe më i madh i qeverisë, duhet të bëjmë një funksionalizim më të mirë të qeverisë dhe të shikojmë nga tre liderët politikë se a kanë sugjerime, a përkrahin, a e mbështesin apo kanë ndonjë vërejtje në punën e qeverisë. Dhe, tjetra është se si qeveri, duam t’i paraqesim disa prioritete të cilat mendojmë t’i kemi në vitin 2003. Pra duam të diskutojmë për arsye se edhe një herë gjatë përpilimit të programit qeveritar, ato tetë pikat e marrëveshjes i kemi kyçur në program, prandaj është një gjë e interesit të përbashkët. Ndërsa, mundësia ndër të ndryshme është që nëse dëshirojmë tre liderët partiakë, përkatësisht edhe kryetari i Kosovës, zoti Rugova, mund t’i paraqesin dhe mund të diskutojmë nëse është në interesin e tyre ose nëse propozojnë diçka të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq ka bërë disa deklarata lidhur me bisedime eventuale për statusin e Kosovës, duke ftuar tërthorazi edhe institucionet e Kosovës që të bisedojnë drejtpërdrejt me Beogradin. Sa janë të pranueshme kërkesat e tilla për ju?

BAJRAM REXHEPI:
Po, së pari, këto nuk janë ftesa zyrtare. Kjo ka dalë edhe në opinion. Pastaj ka dilema se në një intervistë që i ka dhënë revistës “Der Spiegel”, a është keqinterpretuar, nëse ka qenë intervistë apo ka qenë konstruim, prandaj janë çështje që dalin nëpër media. Megjithëse unë nuk kisha dashur t’i komentoja këto, parimet tona janë të njohura se në dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë, nuk mund t’i zgjidhim çështjet. Këtë e kam deklaruar disa herë dhe qëndroj më tutje në këto deklarata. Për të biseduar, bisedimet duhet të bëhen ndërmjet Kosovës dhe faktort ndërkombëtar, ku edhe fqinjët nuk mund të eliminohen nga këto bisedime si palë e interesuar, mirëpo se kush do t’i përfaqësojë këto bisedime me faktorin ndërkombëtar, duhet të vendosin të gjitha institucionet dhe liderët kryesor politik ta bëjnë një platformë të përbashkët, ta autorizojnë një grup i cili do të zhvillonte këto bisedime nëse arrihet në një fazë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti kryeministër, agjencitë serbe ju kanë cituar të keni thënë se jeni të gatshëm për një takim me kreun e Beogradit, por ju duhet miratimi i institucioneve të Kosovës…. A do ta qartësonit pak më shumë këtë qëndrim…

BAJRAM REXHEPI:
Jo, ne jemi të gatshëm, në nuk duam të mbetemi të izoluar. Unë kam thënë gati decidivisht, kështu siç po e them edhe tash se jemi të interesuar të kemi rapore të mira me të gjithë fqinjët në rajon, sidomos me fqinjët e parë, mirëpo për një bisedë direkte as nuk jam i gatshëm, as kamë thënë se jam i gatshëm. Sigurisht se unë nuk mund t’i atribuoj vetvetes më tepër kompetenca sesa kam. Kjo është një çështje madhore ku të gjithë bashkërisht duhet ta bëjmë atë platformë të përbashkët dhe janë modalitetet se si do të shkojë, përmes bisedimeve me faktorin ndërkombëtar dhe si… Pra, ka opinione të ndryshme dhe këto janë çështje që ndoshta brenda këtij viti do të bëhen përgatitje dhe në një të ardhme të afërt edhe të fillojë ky proces. Mirëpo, kontaktet e drejtpërdrejta janë të pafrytshme për këtë moment dhe mendoj se jam keqinterpretuar…

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, zoti kryeministër a ka qeveria e Kosovës dhe institucionet në përgjithësi një vizion se cili do të jetë modeli më i përshtatshëm për t’iu qasur zgjidhjes së statusit përfundimtar?

BAJRAM REXHEPI:
Ne kemi vizion, por nuk mjafton vetëm vizioni i qeverisë. Duhet të paraqiten ide të ndryshme dhe në fund të përgatitet një platformë e përbashkët…

Intervistoi: Rrahman PACARIZI
XS
SM
MD
LG