Ndërlidhjet

MOORE: "DUHET TË PËRFUNDOHET PROCESI I DEZINTEGRIMIT TË ISH - JUGOSLLAVISË


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

EVROPA E LIRË
Zoti Moore, vendet e Ballkanit perëndimor kërkojnë integrim sa më të shpejtë në strukturat euroatllantike. Disa ditë më parë Romano Prodi tha se dyert e Unionit janë të hapura për të gjitha vendet e rajonit. Është kjo gjë e realizueshme?

PATRIK MOORE
Së pari duhet të theksoj që deklarata e zotit Prodi është shumë pozitive pasi që nga samiti i Bashkimit Evropian në Kopenhagë vitin e kaluar, të gjitha shenjat e treguara kanë qenë që Bashkimi Evropian nuk është ende i përgatitur të mendojë për anëtarë të rinj. Pra kjo ishte një shenjë pozitive. Duhet thënë se disa vende të rajonit janë shumë larg plotësimit të kërkesave për anëtarësim në Unionin Evropian. Së pari, siç e dimë, Kosova nuk ka të zgjidhur ende statusin e vet. Së dyti, ka vende që nuk kanë filluar bisedimet për Stabilizimin dhe Asociimin. Shqipëria shpresojmë t’i fillojë së shpejti, por nuk duket se ka ndonjë shpresë për Jugosllavinë ose Bosnjën në të ardhmen e afërt. I vetmi vend në Ballkanin përëndimor që po i afrohet kushteve dhe ka një përparim të qartë është Kroacia, e cila, siç e tha edhe Papandreu duket se ka gjasa të pranohet në vitin 2007.
Por çfarë është e re dhe çfarë ka ndryshuar këtu përveç deklaratës së zotit Prodi. Mendoj se presidenca aktuale greke e Bashkimi Evropian është mjaft serioze dhe do të pasohet nga presidenca italiane dhe rrjedhimisht mund të presim një vëmendje më të madhe nga ana e Brukselit për rajonin e Ballkanit dhe mendoj se kjo ëshë pozitive. Por, do të ketë eventualisht edhe probleme që nuk duhet të nënçmohen.

RFE/RL
Zoti Moore, ka disa probleme të shfaqura. Një prej tyre është nëse disa vende të Ballkanit perëndimor mund të plotësojnë qoftë dhe minimumin e standardeve të Bashkimit Evropian.

PATRIK MOORE
Sigurisht. Ajo që pret Bashkimi Evropian nga kandidatët është shumë e qartë. Kanë kapitujt e veçantë dhe kuadrin ligjor që u'a prezantojnë vendeve kandidate dhe që ato duhet ta plotësojnë. Pra këto janë gjëra mjaft të qarta, ndonëse që zgjasin dhe të komplikuara....Por, ku qëndron problemi i standardeve.
Së pari, kemi çështjen e statusit që ndikon në Kosovë dhe Mal të Zi, kemi problemin e strukturave mafioze që shkojnë nga qarqet qeveritare, ushtarake e parlamentare dhe deri tek bota e biznesit sidomos në Bosnjë dhe Serbi- Mali i Zi. Por, çfarë ka pozitive që krijon optimizëm. Kur njerëzit të arrijnë të kuptojnë se ku qëndrojnë interesat e tyre, ku qëndron mirëqënia, ata do të marrin gjërat në duart e tyre dhe do të ushtrojnë presion mbi politikanët që të ndryshojnë diçka.
Por, tu rikthehemi standardeve minimale. Duhet të kemi parasysh që Unioni Evropian nuk duhet t’i ndryshojë standardet minimale në mënyrë që të mos lihet përshtypja se për Kroacinë dhe Slloveninë janë shtruar standarde të vështira ketë standarde të vështira, ndërsa tjera dhe më të lehta pastaj për vendet e tjera të rajonit. Kroatët dhe sllovenët mund të thonë që ne jemi trajtuar më keq, kemi paguar çmim më të lart, se vendet e tjera, sepse kjo pastaj do të krijonte një situatë e pakëndshme.

RFE/RL
Një ndër pengesat kryesore në rrugën e integrimit në strukturat euro-atllantike është çështja e statusit të Kosovës dhe Malit të Zi. Disa analistë thonë se me status të pazgjidhur nuk mund të ketë stabilitet në rajon?

PATRIK MOORE
Sigurisht që Kosova dhe Mali i Zi, siç thatë ju, janë thelbësore në këtë aspekt. Do të doja t’u rikujtoja dëgjuesve tuaj komentet e bëra nga Sonja Biserko, e Komitetit të Helsinkit në Beograd, në të cilat ajo tha se Serbia ka humbur shumë kohë, energji dhe vëmendje në çështjen e Malit të Zi, duke nënkuptuar këtu edhe Kosovën. Llogjika e gjërave është se procesi i dizintegrimit të ish- Jugosllavisë duhet të përfundohet dhe vetëm pasi ky proces të ketë përfunduar mund të flasim për një formë të re asociimi brenda strukturave të Bashkimit Evropian dhe kjo është e rëndësishme. Kjo na tregon një rrugëdalje nga kjo dilemë. Papandreu në turneun e tij nëpër Ballkan javën e kaluar theksoi rëndësinë e përqëndrimit drejt një të ardhmeje evropiane dhe të të menduarit në terma evropiane dhe jo nacionale.....
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG