Ndërlidhjet

N. DACI:"SHTAJNER KA KEQINTERPRETUAR MIKËPRITJEN KOSOVARE"


Intervistë me Nexhat DACIN, kryetar i Kuvendit të Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, mbrëmë kryeadministratori Shtajner duke iu drejtuar opinionit kosovarë ka thënë se institucionet e Kosovës po e arsyetojnë shpesh mospunën e tyre me mungesën e kompetencave, ndërsa ka pohuar se është i gatshëm të bartë më shumë përgjegjësi te vendorët nëse institucionet e këtushme tregohen më efikase. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të zotit Shtajner?

NEXHAT DACI
Përshtypjet e mia janë që për një vit qëndrimi në Kosovë, zoti Shtajner mbanë vetëm fjalime teorike. Kësaj radhe në atë empirizëm të tij ka mjaftë të vërteta që ilustrojnë naivitetin tonë, të institucioneve, besimin tonë në bashkësinë ndërkombëtare, dhe do të thoja në atë anën pozitive, mikëpritjen kosovare që është keqinterpretuar nga zoti Shtajner. Unë do të thoja që pajtueshmëria duhet të jetë me të, sepse një pjesë në institucione tona ka qenë tepër, tepër tepër, e ndëgjueshme, faktikisht ka qenë një “sustë” e Shtajnerit. Fundi i 2002-shit, seanca e fundit plenare e atij viti i ka bërë të njohur edhe kosovarëve edhe bashkësisë ndërkombëtare se ajo do të ishte periudha e fundit në të cilën institucionet vendore hulumtuan kapacitetet vepruese të Shtajnerit dhe të vetat dhe është një përshtypje e imja që ne jemi sjellë tepër shumë në mënyrë vazale ndaj UNMIK-ut. Prandaj vendimi i Parlamentit është që do ta kryejë këtë vit punën e vet sipas përgjegjësivetë mara nga elektorati vendorë, por edhe nga parimet e politikës ndërkombëtare, ndërsa mendoj që zoti Shtajner e ka kuptuar porosinë e institucioneve kosovare dhe në qoftë se e vazhdon vetëm me premtime terorike dhe nuk realizon asgjë nga ato do të hasë në një përgjigje jashtëzakonisht, politikisht të pjekur po edhe të fuqishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga përvoja e vitit të kaluar është parë se zoti Shtajner ka ndërhyrë shpesh në punën e Kuvendit. A është krijuar ndonjë mekanizëm komunikues mes Kuvendit dhe Zyrës Ligjore të Shtajnerit në lidhje me përshpejtimin e procedurave për miratimin e ligjeve?

NEXHAT DACI
Zoti Shtajner, vitin e kaluar e ka shfrytëzuar maksimalisht autoritetetin që i kanë dhënë Kombet e Bashkuara dhe nuk ka nënshkruar ligje të cilat e rregullojnë esencën e jetës në Kosovë edhe pse ato ligje janë përgatitur nga ekspertë të Brukselit e Uashingtonit. Është përgatitur edhe mekanizëm i bashkëpunimit me UNMIK-un. Parlamenti në asnjë mënyrë nuk mendon t’i ndërprejë kontaktet dhe bashkëpunimin me UNMIK-un dhe bashkësinë ndërkombëtare, përkundrazi do të jemi partnerë më të fuqishëm, por do t’i bëjmë punët në përgjegjësi me drejtësinë ndërkombëtare dhe nevojat e elektoratit tonë. Prandaj, nuk do të ketë më zvarritje të tilla. Në qoftë se Shtajner vazhdon më mosnënshkruarjen e ligjeve të përgatitura nga ekspertë ndërkombëtarë, Parlamenti ndoshta do të vendos që të mos i dërgon fare ligjet në nënshkrim . Ndërsa në bisedat që i kam pasur në biseda me shefat e grupeve parlamentare të partive në koalicion jemi të mendimit që qytetarët e Kosovës duhet të sillen dhe t’i respektojnë ligjet që i nxjerr Parlamenti i vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ndërkohë, sa mendoni se ka një komunikim dhe punë efikase ndërmjet institucioneve të Kosovës, sidomos gjatë këtij viti i cili po vlerësohet të jetë si një vit i sfidave drejt përgatitjes së Kosovës për përmushjen e parakushteve për drejtimin e saj kah finalizimi i statusit të saj?

NEXHAT DACI
Unë mendoj që po bëhet marketing i tepërt në këtë drejtim, marketing politik ose partiak dhe i panevojshëm. Do të thoja që bashkëpunimi i institucioneve qeverisëse në Kosovë në pjesën e dytë të 2002-shit, ishte një bashkëpunim krejtësisht normal, njëbashkëpunim i duhur dhe pa asnjë pengesë do të zhvillohet, sepse të gjitha institucionet janë të vetëdijshme se 2003-shi është pika e thyerjes për të mirë apo për të keq në Kosovë. Këtë përgjegjësi e kanë të tri institucionet, presidenca, parlamenti dhe qeveria dhe është një marrëveshje e plotë në mes të kryeministrit dhe timit, që ne të punojmë me përgjegjësi, por në interes të jetës në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, nga pikëpamja e juaj sa konsideroni se ky vit mund të jetë përcaktues sa i përket të ardhmes së Kosovës?

NEXHAT DACI
Une ua kam bërë të njohur tërë bashkësisë ndërkombëtare që në Parlament kam ardhë me një strategji që qershori i 2003-shit, do të thotë mesi i 2003-shit do të jetë periudha e përcaktimeve vendimtare për ardhmërinë e Kosovës. Dhe, jam shumë i bindur se institucionet kosovare kanë kapacitet veprues dhe nëse në qoftë se nuk e aktivizojmë këtë kapacitet, unë mendoj se duhet të shkojmë nga pozicionet, nuk e meritojmë ta udhëheqim Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund të ndërlidhemi tash në zhvillimet e djeshme në pjesën veriore të Kosovës ku subjekte politike të minoritetit serb shpallën një lloj autonomie të kësaj pjese. Cili është qëndrimi i juaj si kryetar i Parlamentit dhe cili konsideroni se do të jetë qëndrimi i Kuvendit në lidhje me këto vendime të subjekteve serbe?

NEXHAT DACI
Unë mendoj që Parlamenti duhet ta shpallë inekzistent një organizim të tillë. Mendoj që në përgjithsi në sigurimin e tërësisë territoriale të Kosovës nuk janë përmbushur qëllimet e ardhjes së UNMIK-ut në Kosovë. Rezultatet janë inekzistente. Tolerimi i strukturave paralele të Serbisë në Kosovë duhet të adresohet drejtpërsëdrejti në UNMIK. Prandaj, mendoj që ky vit duhet të jetë vit i ekzistencës edhe për UNMIK-un edhe për institucionet e Kosovës. Cila do palë që nuk i kryen punët e veta duhet të shkojë pa asnjë zvarritje.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, Kuvendi i Kosovës në seancën e ardhshme do të diskutojë situatën e sigurisë. Bazuar në kompetencat që i ka Kuvendi, çka mund të bëjë në përmirësimin e kësaj situate dhe në përmirësimin e qarkullimit të lirë në Kosovë në përgjithësi si një prej parakushteve kryesore që bashkësia ndërkombëtare ia ka vënë Kosovës?

NEXHAT DACI
Objektivisht Parlamenti ka pak mundësi veprimi, por ka mundësi të pakufizueshme për të kërkuar informatë valide për atë se çka bëhet në Kosovë. Nuk është e mjaftueshme të deklarohet zero tolerancë ndaj krimit, kërkohet të veprohet kundër krimit. Parlamenti i Kosovës me këtë dëshiron t’i tregoj opinionit vendorë, por porosinë edhe atij ndërkombëtar se është i gatshëm t’i marrë përgjegjësitë në duart e veta. Do të kërkojmë rritjen e autoritetit të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të TMK-së në këtë sferë dhe jam absolutisht i bindur, që nëse kosovarët marrin më tepër fuqi veprimi në sigurinë e vet shpirtnisht janë të interesuar që qytetarët e Kosovës të jenë më të sigurtë, sepse të gjitha strukturat e dinë që ky është kushti kryesorë për pranimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, si entitet në vete, si shtet i veçantë.
Intervistoi: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG