Ndërlidhjet

MOSPAJTIMI AMERIKANO - EVROPIAN RRETH IRAKUT


Jeffry DONOVAN


Kriza rreth Irakut ka shkaktuar tensionime të jashtëzakonshme në raportet e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane dhe veqanërisht me Gjermaninë dhe Francën. Parisi dhe Berlini kanë kundërshtuar synimin e Uashingtonit për të filluar konfliktin eventual me Irakun, nëse Sadam Hyseini do të refuzonte çarmatosjen nga armët për shkatërrim në masë.
Në këtë temë gjatë javës është zhvilluar polemikë ndërmjet sekretarit amerikan të Mbrojtjes Donald Ramsfeld dhe ministrit të jashtëm gjerman, Joshka Fisher.
Donald Ramsfeld ka thënë se Franca dhe Gjermania paraqesin Evropën e vjetër duke shtuar se vitaliteti i Evropës qëndron te demokracitë e reja në Lindje:
"Ju jeni duke menduar për Evropën si Gjermani dhe Francë. Unë nuk mendoj ashtu. Mendoj se kjo është një Evropë e vjetër. Nëse shikoni NATO-n evropiane sot, do të shihni se qendra e gravitetit është duke u bartur nga Lindja", ka thënë Donald Ramsfeld për të shtuar:
"Gjermania ka qenë problem dhe Franca ka qenë problem.", ka thënë Ramsfeld për të sqaruar në vazhdim:
"Shikoni shumicën e vendeve tjera evropiane. Ato nuk janë me Francën dhe Gjermaninë. Ato janë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka konluduar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld.
Fjalimi i zotit Ramsfeld shkaktoi reagime të shpejta në Gjermani dhe Francë. Ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher tha se komentet e Ramsfeldit ishin iracionale.
"Zoti Ramsfeld ka cilësuar evropianët të vjetër. Gjithsesi, ata sa i përket krijimit të shtetit dhe kulturës janë më të vjetër se Shtetet e Bashkuara. Nuk dëshiroj të bëjë asnjë koment tjetër", ka thënë Joshka Fisher.
Zëdhënësi i qeverisë franceze Zhan Fransoa Kope u përgjegj duke thënë se "të jesh i vjetër do të thotë të jesh i urtë".
Analistët kanë hetuar se vendet e posa pranuara në NATO, siç janë Hungaria, Çekia ose Polonia janë duke u solidarizuar më shumë me pozicionimin e Amerikës rreth Irakut se sa disa vende tjera që më shumë se 5 dekada janë anëtare të NATO-s.
Në këtë kontekst, Ministria e Jashtme hungareze ka deklaruar se do të dëshironte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit para fillimit të luftës me Irakun, por do të mbështet luftën e Amerikës madje edhe pa rezolutë. Zëdhënësi i Ministrisë hungareze, Tomas Tot thotë:
"Si numër një, ne dëshirojm zgjidhje paqësore. Së dyti, nëse zgjidhja ushtarake shtrohet si domosdoshmëri ajo duhet të realizohet me rezolutë të Këshillit të Sigurimit, por nëse kjo është e pamundur atëherë më mirë është të intervenohet pa te, se sa të pritet", thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme hungareze, Tomas Tot.
Për dallim nga Gjermania dhe Franca asnjë nga vendet e pranuara në NATO në 4 vitet e fundit nuk ka kundërshtuar intervenimin ushtarak amerikan në Irak.


XS
SM
MD
LG