Ndërlidhjet

logo-print

PATRICK MOORE: AMERIKA DHE DISA NGA ALEATËT KËRKOJNË VEPRIM TË SHPEJTË DHE TË VENDOSUR


“Duhet të them që sekretari amerikan i mbrojtjes Rumsfeld, pavarësisht nga ajo që ndokush mund të mendojë për komentet e tij, kishte të drejtë kur tha se Gjermania dhe Franca nuk duhet të njehësohen me Evropën” – thotë, pos tjerash, Patrick Moore, analist i Radios “Evropa e Lirë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, tashmë është e qartë se ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe disa aleatëve evropianë ka dallime serioze reth Irakut. Sekretari amerikan i Mbrotjes, Donald Rumsfeld, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me kundërshtimin evropian përkatësisht të Francës dhe Gjermanisë për përdorimin e forcës në Irak, tha që këto shtete janë pjesë e “Evropës së vjetër” - përballë vitalitetit të “Evropës së re”. Cili do ishte komenti juaj?

PATRICK MOORE
Ajo, të cilës iu referua Rumsfeldi është diferenca midis Francës e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara në këto dy çështje; Ato duan që inspektorët të kenë një mundësi të pafund për të realizuar ato që shumë amerikanë i cilësojnë si ekspedita në errësirë, dhe duan një rezolutë të dytë që do t’i japë Francës dhe Rusisë mundësinë që të përdorin veton dhe Gjermanisë mundësinë që t’a kundërshtojë atë. Me “Evropën e re” z. Rumsfeld kishte parasysh shtete të tilla si Polonia, Republika Çeke, Hungaria, shtetet baltike që janë mbështetës së Shteteve të Bashkuara, por nuk duhet të harrojmë se kur iu referua “Evropës së re”, iu referua gjithashtu vendeve të Evropës perëndimore sidomos Italisë, dhe Spanjës. Dikush e ka përmendur kohët e fundit se është shumë interesante të shikohet se vendet që i kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara dhe dinamikën e politikës së tyre, janë vende që kanë një qasje dinamike të tregut të lirë ndaj ekonomive të tyre, kurse Franca dhe Gjermania janë shembuj klasikë të vendeve që nuk janë të gatshme të ballafaqohen me reforma sociale dhe në punësim për të thjeshtësuar rrjetet e mëdha burokratike që kanë zhvilluar 40 vitet e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, disa analistë thonë se Iraku është vetëm simptomë e mosmarrëshjes, por cili është shkaku i vërtetë i mosmarrëveshjeve ndërmjet aleatëve të vjetër?

PATRICK MOORE
Është mjaft e qartë që ka dallime esenciale këtu… Çështja thelbësore midis Shteteve të Bashkuara dhe disa aleatëve evroperëndimorë dhe vetë Bashkimit Evropian si organizatë është qasja e ndryshme ndaj forcës. Kjo e ka burimin nga eksperiencat e ndryshme. Shtetet e Bashkuara kanë një forcë të jashtëzakonshme që së fundi u provua në Kosovë se mund të përdoret shumë efektivisht nëse aplikohet seriozisht, po ashtu edhe në luftën e Gjirit Persik në 1991. Ndërsa Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë patur një eksperiencë krejt tjetër. Pasi doli nga kthetrat e luftës së dytë botërore, Evropa Perëndimore krijoi dhe zhvilloi një kulturë politike që vuri një theks shumë të madh në institucionet për zgjidhjen paqësore të konflikteve... Lidhur me reagimin ndaj sulmeve të 11 shtatorit, apo kohët e fundit, ndaj prezencës së armëve të shkatërrimit në masë në Irak ashtu siç thonë amerikanët, ka ndryshime në opinione lidhur me mënyrat se si duhet të përgjigjen. Pra duket që Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e tyre kërkojnë një veprim të shpejtë dhe të vendosur, ndërsa Franca dhe Gjermania kërkojnë një mënyrë më të ngadaltë…

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se presidenti i Shteteve të Bashkuara do të siguroj mbështetjen e aleatëve apo do të filloj veprimet ushtarake kundër Irakut me Britaninë por pa Francën dhe Gjermaninë?

PATRICK MOORE
Së pari do të thoja se ka më shumë shtete sesa vetëm Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Do të jenë polakët, spanjollët, ndoshta italianët, do të jetë një ekuipazh çek i luftës kimike, do të ketë batalione nga Evropa Lindore dhe nga disa partnerë të Evropës Perëndimore. Duhet të them që sekretari amerikan i mbrojtjes Rumsfeld, pavarësisht nga ajo që do të mendojë gjithsecili për komentet e tij, kishte të drejtë kur tha se nuk duhet të njehësohet Gjermania dhe Franca me Evropën, edhe pse udhëheqësit francezë dhe Gjermanë shpesh herë sillen sikur kanë të drejtën të flasin në emër të të gjithë Evropës perëndimore dhe Lindore. Personalisht, si shumë vëzhgues në mediat perëndimore, mendoj se Franca ka interesa shumë të mëdha tregtare në Irak. Dhe e dinë mjaft mirë se nëse nuk do marrin në veprimet ushtarake kundër Irakut, mund të humbin vendin në tryezën e bisedimeve pas përfundimit të konfliktit. Jam i sigurt që francezët do të gjejnë një mënyrë për të marrë pjesë që të mos humbin pjesën e tyre. Sa i përket Gjermanisë ka dy skenarë: ose do ndryshoj qëndrimin e vet dhe të fshihet pas Francës duke marrë pjesë në luftë nën pretekstin se po bëjmë atë që po bëjnë dhe francezët, ose do të gjendet në një situatë që është provuar të jetë shumë e rrezikshme në shekullin e 20, kur mbeti e izoluar dhe do të ndjekë politikën e vet që nuk shkon me të njëjtin hap me fqinjët e saj.
Intervistoi Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG