Ndërlidhjet

logo-print

RAMBUJE - 4 VITE PAS


Iliriana BAJO


Një aeroplan i posaçëm luftarak francez dërgonte 4 vjet më parë, për në bisedimet e Rambujesë në Francë delegacionin e Kosovës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.
Konferenca qe një sfidë për të gjitha palët: shqiptarët, serbët dhe ndërkombëtarët.
Pak ditë pas fillimit të konferencës, ndërmjetësuesi amerikan në takim, ambasadori Christopher Hill, deklaronte se "Kosova ekziston si problem së paku prej një shekulli. Ndonëse jemi në vitin 1999 në një mënyrë ne po përballemi me probleme të shpërbërjes së Perandorisë Otomone”. Madje Hill i vlerësonte bisedimet e Rambujesë si më të vështira se ato në Dejton.
Enver Hasani, këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, duke i vështruar bisedimet në një distancë kohore prej 4 vitesh, thotë se pavarësisht qëllimit final të delegacionit shqiptar, bisedimet qenë të suksesshme:
"Bisedimet nëse shihen nga kjo distancë kohore, bisedimet si bisedime në vetvete kanë qenë të suksesshme dhe kanë hapur rrugën për veprime të mëvonshme ushtarake kundër regjimit serb të Millosheviqit. Parë nga ky prizëm mendoj se kanë qenë të suksesshme", thotë Enver Hasani.
Ndërkaq eksperti serb, Dushan Janjiq, duke folur sot për këto bisedime i cilëson si mundësia e humbur për serbët dhe për paqen:
"Ato janë gjithashtu një mundësi e humbur për t’i ikur luftës. Besoj se shumë njerëz mendojnë kështu. Dhe përfundimisht Rambuje i dha fund një politike të gabuar të Millosheviqit në Kosovë”, pohon Janjiq.
Duke folur për anët e pazbardhura për opinionin nga bisedimet në fjalë, Veton Surroi, pjesëmarrës në delegacionn shqiptar thotë:
“Ajo që zakonisht thuhet se ka mbetur e fshehur është fakti se delegacioni kosovar vetëm në sekondat e fundit ka arritur pajtimin që të shkojë një hap më tutje, pra të japë nënshkrimin e vet dhe të kërkojë kohë për konsultim, me çfarë u fitua marrëveshja e Rambujesë dhe u fitua e drejta për bombardimin e Serbisë”, pohon Surroi.
Ndonëse Rambuje mbetet një moment kyç në historinë e re të Kosovës, duket se një morri problemesh kanë mbetur pa zgjidhur dhe katër vite më pas.
Statusi i pazgjidhur i Kosovës duket të jetë kryesori për ekspertin Enver Hasani:
"Probleme kryesor mendoj se është çështja e statusit të Kosovës, me kuptim pavarësinë, që është vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës. Mendoj është problemi kryesor që nuk është zgjidhur dhe që nuk është hapur ende."
Kjo moszgjidhje e statusit të Kosovës në fakt ka lënë në vend konfliktin shqipataro - serb dhe mban peng marrdhëniet afatgjata mes shqiptarëve dhe serbëve. Zoti Hasani shton:
"Në fakt përveç largimit të represionit, të dhunës serbe, synimit gjenocidal të Millosheviqit dhe drejtimit të tij, pjesa tjetër, dmth marrëdhëniet shqiptaro-serbe mbesin në po atë nivel. Këtu do të thoja ka vetëm transformim të konfliktit, do të thotë ndërhyrja e NATO-s pas Rambujesë dhe kthimi i jetës në një farë normaliteti nuk është veçse një transformim i konfliktit shqiptaro-serb”, thekson Hasani.
Ai më tej nëvizon se Kosova mbetet një demokraci në ndërtim e sipër:
“...sistemet e instititucioneve në Kosovë që janë krijuar mbi bazën e zgjedhjeve të lira janë ende larg standardeve ndërkombëtare të funksionimit, krimi i organizuar është pjesë e përditshmërisë sonë.”
Gjatë këtyre katër viteve ka pasur mendime të ndryshme mbi faktin se çfarë ndikimi ka marrëveshja e Rambujesë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.
Enver Hasani si këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës thotë se ajo sjell dhe pengesa:
“Mendoj se marrëveshja si e tillë jo, por parimet e Rambujesë, parimet mbi të cilat është bazuar Rambujeja sigurisht që janë pengesë serioze për pavarësinë e Kosovës. Sepse më vonë parimet e Rambujesë janë bartur në rezolutën 12 - 44 të Këshillit të Sigurimit », përfundon Enver Hasani.
Duke i hedhur një sy emrave të delegacionit shqiptar në Rambuje, duket se pjesa më e madhe e tyre mbeten ende lojtare kyç të jetës politike të Kosovës.
"Pra ajo filozofi se çdo kohë ka njerëzit e vet e ka këtë kuptim që do të thotë se nënshkruesit e proçesit të rambujesë janë ata që sipas të gjitha gjasave, ata që kanë qenë në Rambuje do ta vulosin dhe fatin e Kosovës, që nënkupton statusin final të saj", sqaron mbi këtë problem zoti Hasani.
I pyetur për evoluimin, e figurave dhe klasës politike të Kosovës nga Rambujeja dhe deri tani publicisti Veton Surroi thotë:
"Mirëpo jetën politike në Kosovë e rendon po ajo mungesë e koncensuesit çfarë e kishte delegacioni ynë para se të vinte në Rambuje.
Une mendoj se ka pasur rregullim politik, posaçërisht pjesa që doli nga UÇK-ja, d.m.th aktivistët që ishin më parë në formacionet e UÇK-së. Nuk ka pasur rregullim brenda LDK-së, përkundrazi mendoj se ka pasur stagnim”, përfundon Veton Surroi.

XS
SM
MD
LG