Ndërlidhjet

B. KOSUMI:"SERBIA NUK ËSHTË PARTNER NË VENDOSJEN E STATUSIT FINAL TË KSOOVËS"


Bajram KOSUMI, nënkryetar i AAK-së dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, disa analistë thonë se nëse parlamenti do të miratonte deklaratën për pavarësinë e Kosovës nuk duhet përjashtuar mundësia që ajo të anulohet, parlamenti të shpërndahet dhe rrjedhimisht të krijohet një vakum politik në Kosovë. Si i anticiponi ju këto zhvillime të mundshme?

BAJRAM KOSUMI
Mund të jetë gjithçka, por një rrjedhë e natyrshme e punës do të ishte ndryshe. Rrjedha në përputhje me procedurat dhe me të gjitha proceset politike në Kosovë do të ishte e kundërta: Kuvendi i Kosovës e miraton deklaratën e pavarësisë dhe e obligon qeverinë e Kosovës të fillojë një varg negociatash me UNMIK-un për të arritur disa marrëveshje dhe ato marrëveshje do të jenë; marrëveshja për formimin e të gjitha institucioneve të Kosovës, ashtu siç është e paraparë edhe në rezolutën 1244; bartja e tërësishme e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet vendore dhe hartimi i orarit për këtë bartje;
hartimi i propozimit për ridefinimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë.
Po ashtu qeverisë i mbetet fillimi i negocimit të një marrëveshjeje të re me NATO-n për një prezencë afatgjatë të saj në Kosovë. Kjo është rrjedha e natyrshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, por megjithatë disa të tjerë thonë se deklarata e pavarësisë mund të ndalë disa procese politike në Kosovë, p.sh të ngadalësojë bartjen e kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët. Sa qëndrojnë sipas jush këto vlerësime?

BAJRAM KOSUMI
Unë mendoj se është një vonesë tepër e madhe rreth kompetencave në Kosovë, pasi tani është edhe problem se ka një farë konflikti të kompetencave, është një farë gjendje e pushtetit me dy pushtete. Mirëpo pavarësisht nga kjo unë mendoj se duhet të bëhet kjo bartje ndërsa deklarata për pavarësinë e Kosovës edhe jetësimi i saj ndalon disa procese të tjera, ndalon procesin e rikthimit të Kosovës në Serbi çka është duke u punuar me të madhe dhe politika e Beogradit është duke i keqpërdorur serbët e Kosovës për këtë çështje dhe për çka mjerisht ka përkrahjen e disa shteteve të huaja.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, kohët e fundit kryeministri serb Zoran Gjinxhiç gati çdo ditë del me deklaratat për kthimin e forcave serbe në Kosovë. Disa thonë se Gjinxhiç është duke shfrytëzuar krizën rreth Irakut, disa të tjerë se kemi të bëjmë me deklarata për konsumim të brendshëm. Cili është mendimi juaj?

BAJRAM KOSUMI
Ndoshta të dyja nga pak, por megjithatë mendoj se është një çështje tjetër në pyetje. Është çështja se Serbia është në ofenzivë, jo për të zgjidhur statusin e Kosovës, por për të fituar pozitën e faktorit ndikues në statusin përfundimtar të Kosovës. Ky është thelbi i çështjes. Serbia tani nuk është në një pozitë të tillë dhe ajo po dëshiron ta përdorë Mitrovicën për këtë çështje, është duke i përdorur serbët e Kosovës për këtë çështje, që kur të vijë dita e vendosjes së statusit final të Kosovës, ajo të jetë faktor vendosës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, ka që thonë se Beogradi nuk është palë në bisedimet e ardhshme kushtuar statusit final të Kosovës dhe se këtë rol duhet ta kenë serbët e Kosovës. Cili është mendimi juaj?

BAJRAM KOSUMI
Absolutisht kjo është një e vërtetë e plotë. Serbia ka patur sovranitetin mbi Kosovën për 100 vjet dhe për 100 vjet tre herë ka tentuar t’i shfarosë fizikisht shqiptarët. Dhe së fundi Serbia ka humbur sovranitetin mbi Kosovën me luftë. Por Serbia nuk ka të drejtë as politike as ligjore, fundja as duhet të lejohet që ajo të pyetet për fatin e Kosovës. Dhe është një gabim i madh politik, i gjithë politikanëve duke përfshirë edhe zotin Shtajner kur barazon dhe thotë se as Beogradi dhe as Prishtina nuk do të ndikojnë njëanshëm në statusin final etj etj. Qytetarët e Kosovës këtë e kanë çështje egzistenciale, pra që të vendosin për fatin e tyre, ndërsa Serbia nuk është partner në vendosjen e statusit final. Serbia duhet të jetë dhe është partner për të biseduar për serbët e Kosovës, për të drejtat e tyre, për çështjet ndërkufitare, për raporte të mira të fqinjësisë dhe për të gjithë problemet që janë trashëguar nga periudha e kaluar dhe nga lufta, por jo partner në vendosjen e statusit final.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG