Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: SIGURISHT NUK DO TË KETË NJË ROL TË BEOGRADIT NË TË ARDHMEN NË KOSOVË


“...por kam një dyshim që komuniteti ndërkombëtar do t’i lejojë Beogradit të ketë një farë roli në bisedime, duke e justifikuar këtë me çështjen e prezentimit të pakicës serbe” – thotë analisti i Radios “Evropa e Lirë”, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, një ditë pas krijimit të Unionit të ri të Serbisë dhe Malit të Zi, kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq ka thënë se do të nxitë fuqitë perëndimore të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës në qershor. A është kjo gjë e realiste?

PATRIK MOORE
Mendoj se nuk është aspak realiste po ashtu si mendoj që Gjingjiq e di këtë gjë. E kemi parë kohët e fundit intervistën me ambasadorin amerikan në Beograd, zotin Montgomeri, komentet e Havier Solanës në Beograd, pastaj kemi dëgjuar komentet e z. Steiner në Nju Jork dhe është mjaft e qartë se nuk ka asnjë pjesëtar të komunitetit ndërkombëtar që është i gatshëm t’i japë Gjingjiqit atë që do, bisedime apo ndarje apo çfarëdo tjetër që ai kërkon. Dyshimi im personal është se ajo që po ndodh në Serbi tani është ristrukturim i spektrit politik. Kemi Gjingjiqin dhe Labusin me partinë e tyre G 17+ e cila po merrë një pjesë të hapësirës politike të reformatorëve. Gjingjiq, që e ka ndarë shpesh këtë hapësirë politike, po i vë theksin çështjeve, me të cilat mund të fitojë më shumë votuesë nga mbështetësit nacionalistë të Koshtunicës. Ai thotë gjëra që mendon se do të jenë të këndshme për mbështetësit e Koshtunicës. Nuk mendoj se propozimet e tij janë realiste, nuk mendoj se në këto momente është realist një ndryshim i madh dhe befasues në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, liderët shqiptarë të Kosovës kanë thënë se Beogradi nuk duhet të ketë qasje në zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Cili do të ishte komenti juaj?

PATRIK MOORE
Kjo do të jetë një çështje e vështirë pasi, siç e kam thënë disa herë në intervistat paraprake me ju, është e qartë se Beogradi e ka humbur luftën në 1999 dhe ata që humbin luftrat duhet të presin të humbin territore. Sigurisht nuk do të ketë një rol të Beogradit në të ardhmen në Kosovë. Por kam një dyshim që komuniteti ndërkombëtar do t’i lejojë Beogradit të ketë një farë roli në bisedime, duke e justifikuar këtë me çështjen e pakicës serbe. Kjo do të jetë një gjë jo e urtë si për komunitetin ndërkombëtar, ashtu dhe për serbët, sepse në të ardhmen do të jenë serbët e Kosovës, ata që do të duhet të merren me shqiptarët në Kosovë dhe do të duhet të merren me ta si bashkëqytetarë të të njëjtit shtet. Sa më parë të fillojnë serbët të merren me gjërat e tyre, t’i zgjidhin problemet e tyre vetë, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Më kujtohet që në dhjetor peshkopi Artemie u takua me Gjingjiqin në Beograd dhe rezultati i këtij takimi ishin titujt nëpër gayetat e Beogradit, ku thuhej se për Kosovën nuk do të vendoset në Dedinje. Kjo është e vërteta. Nuk është Beogradi, por janë serbët e Kosovës që duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, po që nuk mund t’i marrin nëse vazhdimisht bojkotojnë parlamentin ose luftojnë ndërmjet veti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, disa nga komunitetit ndërkombëtar po kërkojnë dhënien e më shumë kompetencave kosovarëve dhe më shumë përgjegjësi për zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

PATRIK MOORE
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, pasi askush nuk mund të presë që Kosova të bëhet e pavarur ose të bëhet një zonë e vetëqeverisur në sytë e të huajve, nëse njerëzit nuk përgatiten për këtë. Dhe ata nuk mund të përgatiten të marrin në dorë jetët e tyre, nëse trajtohen si fëmijë. Prandaj mendoj se sugjerimi i fundit nga ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Xhon Negroponte, për një kalim gradual të kompetencave nga UNMIKu në Parlament dhe në institucionet vendore është shumë i mençur. Siç e përmenda dhe në përgjigjen time të parë kur po përballeshim me zotin Gjingjiq, për këdo tash të bëj një lëvizje të papritur, do të ishte jo e urtë. Nëse Gjingjiq kërkon hapjen e bisedimeve, kjo do të thotë që shqiptarët e Kosovës duan pavarësinë e menjëhershme...ndërsa, mëtutje, kjo do të thotë që UNMIKu të vendosë që do gjë të mbetet ashtu siç ka qenë pa asnjë fleksibilitet sa i përket qeverisjes vendore dhe edhe prerogativave të institucioneve të Kosovës. Ky është një këndvështrim ekstremist pasi qoftë bisedimet e menjëhershme të Gjingjiqit, qoftë pavarësimi i menjëhershëm, qoftë pozicioni i linjës së ashpër i rolit të UNMIK-ut ndaj Parlamentit nuk do të jetë produktiv. Mendoj se duhet të dëgjojmë atë që tha zoti Negroponte për kalimin gradual të pushtetit në duart e kosovarëve që kanë të bëjnë me ardhmërinë e tyre.
Intervistoi Melazim Koci.
XS
SM
MD
LG