Ndërlidhjet

P. MUR:"NUK DO TË KETË ROL TË BEOGRADIT NË TË ARDHMEN E KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, një ditë pas krijimit të Unionit të ri të Serbisë dhe Malit të Zi, kryeministri serb Zoran Gjinxhiç ka thënë se do të nxitë fuqitë perëndimore të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës në qershor. A është kjo gjë realiste?

PATRIK MOORE
Mendoj se nuk është aspak realiste dhe mendoj që Gjinxhiç e di këtë gjë. E kemi parë kohët e fundit intervistën me ambasadorin amerikan në Beograd zotin Montgomeri, komentet e zotit Havier Solana në Beograd, kemi dëgjuar komentet e zotit Shtajner në Nju Jork dhe është mjaft e qartë se nuk ka asnjë pjesëtar të komunitetit ndërkombëtar që është i gatshëm t’i japë Gjinxhiçit atë që do, bisedime ose ndarje, apo çfarëdo tjetër që ai kërkon. Dyshimi im personal është se ajo që po ndodh në Serbi tani është ristrukturim i spektrit politik. Kemi Gjinxhiçin dhe Labusin me partinë e tyre G 17 + e cila po merr një pjesë të hapësirës politike të reformatorëve. Gjinxhiç që e ka ndarë shpesh këtë hapësirë politike, po i vë theksin çështjeve, me të cilat mund të fitojë më shumë votues nga mbështetësit nacionalistë të Koshtunicës. Ai thotë gjëra që mendon se do të jenë të këndshme për mbështetësit e Koshtunicës. Nuk mendoj se propozimet e tij janë realiste. Nuk mendoj se në këto momente është realist një ndryshim i madh dhe befasues në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, liderët shqiptarë të Kosovës kanë thënë se Beogradi nuk duhet të ketë qasje në zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Cili do të ishte komenti i juaj?

PATRIK MOORE
Kjo do të jetë një çështje e vështirë pasi që, siç e kam thënë disa herë në intervistat paraprake me ju, është e qartë se Beogradi e ka humbur luftën në 1999 dhe ata që humbin luftrat duhet të presin të humbin territore. Sigurisht nuk do të ketë një rol të Beogradit në të ardhmen në Kosovë. Por kam një dyshim që komuniteti ndërkombëtar do t’i lejojë Beogradit të ketë një farë roli në bisedime, duke e justifikuar këtë me prezantimin e çështjes së pakicës serbe. Kjo do të jetë një gjë e jo e urtë si për komunitetin ndërkombëtar, ashtu dhe për serbët, sepse në të ardhmen do të jenë serbët e Kosovës ata që do të duhet të merren me shqiptarët në Kosovë dhe do të duhet të merren me ta si bashkëqytetarë të të njëjtit shtet. Sa më parë të fillojnë serbët të merren me gjërat e tyre, t’i zgjidhin problemet e tyre vetë, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Më kujtohet që në dhjetor peshkopi Artemije u takua me Gjinxhiçin në Beograd dhe rezultati i këtij takimi ishin titujt nëpër gazetat e Beogradit ku thuhej se për Kosovën nuk do të vendoset në Dedinje. Kjo është e vërteta. Nuk është Beogradi, por janë serbët e Kosovës që duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, po që nuk mund t’i marrin nëse vazhdimisht bojkotojnë parlamentin ose konfrontohen ndërmjet veti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, disa nga komuniteti ndërkombëtar po kërkojnë dhënien e më shumë kompetencave kosovarëve dhe më shumë përgjegjësi për zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

PATRIK MOORE
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, pasi askush nuk mund të presë që Kosova të bëhet e pavarur, ose të bëhet një zonë e vetëqeverisur në sytë e të huajve, nëse njerëzit nuk përgatiten për këtë. Dhe ata nuk mund të përgatiten të marrin në dorë jetët e tyre, nëse trajtohen si fëmijë. Prandaj mendoj se ky sugjerim i fundit nga ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Xhon Negroponte, për një kalim gradual të kompetencave nga UNMIK-u në parlament dhe në institucionet vendore është shumë i mençur. Siç e përmenda edhe në përgjigjen time të parë kur po përballeshim me zotin Gjinxhiç, për këdo tash të bëjë një lëvizje të papritur, do të ishte jo e urtë. Nëse Gjinxhiç kërkon hapjen e bisedimeve, kjo do të thotë që shqiptarët e Kosovës duan pavarësinë e menjëhershme, ndërsa kjo do të thotë që UNMIK-u të vendosë që çdo gjë të mbetet ashtu siç ka qenë pa asnjë fleksibilitet sa i përket qeverisjes vendore dhe edhe prerogativavae të institucioneve të Kosovës. Ky është një këndvështrim ekstremist pasi qoftë bisedimet e menjëhershme të Gjinxhiçit, qoftë pavarësimi i menjëhershëm, qoftë pozicioni i linjës së ashpër i rolit të UNMIK-ut ndaj Parlamentit të Kosovës nuk do të jetë produktiv. Mendoj se duhet të dëgjojmë atë që tha ambasadori Negroponte për kalimin gradual të pushtetit në duart e kosovarëve që kanë të bëjnë me ardhmërinë e tyre.


Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG