Ndërlidhjet

F. MINNI:"RRETHANAT AKTUALE NUK MUNDËSOJNË KTHIMIN E FORCAVE TË SIGURIMIT SERB NË KOSOVË"


Intervistë e komandantit të KFORI-it, gjen. Fabio MINNI për radion Evropa e Lirë

RFE
Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali italian Fabio Minni ka pohuar se kërkesa e autoriteteve serbe për kthimin e forcave serbe të sigurimit ka më shumë karakter politik se sa praktik. Komandanti i KFOR-it, ka shpjeguar se megjithë faktin se me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është i paraparë kthimi i një numri të caktuar të personelit serb, vendimin për një kthim të këtillë nuk mund ta miratojnë autoritetet serbe.

MINNI
“Kryeministri serb Zoran Gjingjiq ka të drejtë të kërkojë cfarë të dojë, por edhe ne kemi të drejtë të përgjigjemi duke thënë se rrethanat aktuale politike që do të mundësonin kthimin e personelit serb në Kosovë nuk ekzistojnë”, tha zoti Minni.

RFE
Standardet përpara definimit të statusit përfundimtar është çështja rreth së cilës ai tha se pajtohet tërësisht me shefin e administratës së Kombeve të Bashkuara, Mihael Steiner, duke vlerësuar se përmbushja e këtyre standardeve do të mundësonte ndërtimin e një shoqërie demokratike.

MINNI
“Këto standarde nuk mund të jenë pengesë për zhvillimin e Kosovës apo edhe definimin e statusit politik, ato paraqesin një mjet shtesë për të mundësuar fillimin e procesit për përcaktimin e të ardhmes politike”, tha komandanti i KFOR-it, duke e emëruar krjimin e një shoqërie shumëkombëshe si sfidën më të madhe me të cilën përballen autorietetet vendore. Ai tha se realizimi i kësaj detyre, megjithatë është i mundshëm.

MINNI
“Nuk ka më vend në botë për njëkombësi apo jotolerancë e një komuniteti etnik ndaj tjetrit”, tha komandanti i KFOR-it për të shtuar se Kosova mund ta krijojë një shoqëri shumëkombëshe, por rruga deri tek kjo shoqëri mund të jetë e veshtirë për shkak të zhvillimeve në të kaluarën. Në këtë rrafsh ai tha se realizimi i procesit të kthimit të personave të zhvendosur dhe integrimi i tyre në shoqëri do të ndihmonte në krijimin e një jete shumëkombëshe. Çështja e kthimit është emëruar si prioritet i forcave paqeruajtëse, së bashku me përpjekjet për të luftuar dhunën ndëretnike, por edhe ndërshqiptare. Duke folur ndërkaq për funksionimin e institucioneve vendore, gjenerali italian tha se këto institucione janë duke bërë një punë shumë të rëndë, meqë rruga të cilën e kanë marrë është shumë e vështirë.

MINNI
“Këto institucione tash kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe unë mendoj se duhet t’i kenë ato, por njëkohësisht duhet t’i kenë edhe mjetet e nevojshme për t’i zbatuar këto përgjegjësi”, tha komandanti i paqeruajtësve, duke i porositur këto institucione se ato mund të diskutojnë për statusin politik të Kosovës, por jo edhe t’Iiharrojnë obligimet që kanë për të mundësuar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

XS
SM
MD
LG