Ndërlidhjet

logo-print

SHKAQET E (MOS)MIRATIMIT TË DEKLARATËS SË PAVARËSISË


Shkruan: Shkelzen MALIQI


Shkakun kryesore pse është shtyrë nisma e shpalljes së pavarësisë duhet ta kërkojmë në qëndrimin e prerë dhe presionet e mëdha të faktorëve ndërkombëtarë kundër këtij akti. Nismën e shpalljes së pavarësisë ndërkombëtarët e vlerësonin si një hap të pamatur, të njëanshëm dhe të parakohshëm. Për më tepër ata thonin se kuvendi i Kosovës nuk ka kompetenca dhe autorizime për të vendosur për statusin e Kosovës. Edhe po t'a shpallnin deklaratën me shumicë votash, që nismëtarët nuk e kishin siguruar, kjo deklaratë nuk do të kishte ndonjë vlerë, pasi nuk do të njihej ndërkombëtarisht. Shtetin e Kosovës siç parashihej nuk do ta njihte as Shqipëria e lëre më ndonjë shtet tjetër. Kosova kështu do të ishte një shtet i vetëshpallur dhe krejtësisht i izoluar. Çka është më keq, institucionet e Kosovës, kuvendi dhe qeveria nuk do të kishin mundësi të jetësonin deklaratën e pavarësisë pasi Kosova që nga viti 1999, administrohet nga misionet ndërkombëtare dhe ato misione, konkretisht UNMIK-u dhe KFOR-i, kanë marrë mbi vete rolin e instancës sovrane në Kosovë. Publikimi i nismës pa e patur shumicën e votave nuk i ka dhënë iniciativës seriozitetin e duhur. Nisma kështu që nga fillimi është vlerësuar më shumë si një bllof dhe një lojë politike, dhe jo deklarim serioz për një çështje jetike për Kosovën. Nismëtarët si duket kanë llogaritur qëndrimin e njohur të të gjithë deputetëve shqiptarë të kuvendit si dhe të disa të partive të minoriteteve, pro-pavarësisë së Kosovës, mirëpo ky disponim i shumicës dërmuese të deputetëve nuk ka mundur të aktivizohet në këtë moment thjesht ngaqë në shumicën e tyre megjithatë mbizotëron realizmi në vlerësimin e mundësisë që pavarësia të shpallet me një procedurë të shpejtë, pa i siguruar parakushtet e duhura. Mirëpo një pjesë e deputetëve në të vërtetë mendojnë se kuveni i Kosovës e ka shpallur pavarësinë në vitin 1990 që pastaj është fuqizuar edhe me referendumin e vitit 199, edhe përsëritja e këtij akti nuk ka shumë kuptim. Të tjerët kanë patur hamendje të arsyeshme për efektet e deklaratës së pavarësisë në rrethanat aktuale. Sidoqoftë mbizotërimi i realizmit ndër kuvendarët edhe ndër forcat politike tregon se politikanët kosovarë edhe pse të gjithë janë dakort se duhet të egzistojë një politikë më aktive refuzuese ndaj pretendimeve të Serbisë, nuk duan që kjo për pasojë të ketë prishjen e raporteve me ndërkombëtarët. Kosovarët duhet të presin të paktën bartjen e kompetencave nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës që të mendojnë më seriozisht për shpalljen e pavarësisë. Shpallja e pavarësisë në kohën kur kosovarët i kanë kompetencat e kufizuara nuk ka aspak kuptim. Ndërkohë duhet të fillojë edhe procesi i negociatave për definimin e statusit final të Kosovës, gjë që do të siguronte parakushtet e duhura që shpallja e pavarësisë të mos kuptohet si akt i njëanshëm.
XS
SM
MD
LG