Ndërlidhjet

logo-print

RAMSFELD:"PËRÇARJA BRENDA EVROPËS, HUMBËSE ËSHTË NATO..."


Shkruan: Andrew TULLY



Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, thotë se përçarja brenda NATO-s nuk është përçarje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, por brenda vetë Evropës.
Zoti Ramsfeld thotë se 14 vende evropiane, bashk me Shtetet e Bashkuara, mbështesin planin nismëtar për mbrojtjen e Turqisë në rast të luftës me Irakun fqinj. Këto vende thonë se NATO do të humbas kredibilitetin nëse nuk do të mbrojë Turqinë.
Por, tri vende tjera – Belgjika, Franca dhe Gjermania – kanë vënë veto rreth kësaj ideje duke thënë se bërja e planeve të këtilla dobëson angazhimet për shmangjen e luftës. Nga ana tjetër sekretari Ramsfeld thotë se ky qëndrim ka të bëjë me ata që bëjnë Evropën e vjetër dhe se këto vende në këtë mënyrë kanë izoluar veteveten brenda NATO-s. Zoti Ramsfeld shton se tash NATO ka rrëshqitur më shumë nga Lindja, nga vendet siç janë Polonia, Hungaria, vendet baltike dhe të tjera që kanë dhënë pëlqimin për mbështetjen e Turqisë.
Këto komente Donald Ramsfeld i ka bërë para Komitetit Ushtarak të Senatit Amerikan dhe me këtë rast disa herë është përgjegjur në pyetjet që kishin të bënin me përçarjet brenda NATO-s. Zoti Ramsfeld ka thënë se Aleanca Veriatlantike mbetet e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet tjera anëtare, madje jo vetëm në planin ushtarak:
"Ne na duhet mbështetja politike e ekonomike, por gjithashtu edhe ajo ushtarake. Rrjedhimisht unë jam i pakënaqur me situatën aktuale në NATO, ku disa ende refuzojnë ndihmën për Turqinë", thotë Donald Ramsfeld për të shtuar se përçarja aktuale ka një specifikë unike:
"Përçarja është interesante. Kjo për faktin që përçarja nuk është ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Përçarja është brenda vetë Evropës", tha sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld.
Në vazhdim ai ka vënë në pah se është e mundur që Shtetet e Bashkuara dhe disa vende tjera aleate të NATO-s, të veprojnë pavarësisht në mbrojtje të Turqisë, pa pëlqimin unanim të vendeve tjera që kundërshtojnë një gjë të tillë.
Zoti Ramsfeld që para tri dekadash ka shërbyer si ambasador amerikan në NATO, vë në pah se nëse Belgjika, Franca dhe Gjarmania dëshirojnë që Aleanca të mbetet e fuqishme, ato duhet tu bashkohen 16 vendeve tjera për të mbrojtur Turqinë:
"Ne mund të ndihmojmë Turqinë duke shfrytëzaur 16 vendet, pa ato tri që janë duke bllokuar vendimin e NATO-s, rreth kësaj çështje. Kush është humbës në këtë rast? NATO është humbëse", thotë Donald Ramsfled për të shtuar se është i bindur që pavarësisht nga zhvillimet e tashme NATO do të mbijetoi.
Këto qëndrime të sekretarit amerikan të Mbrojtjes i ka kontestuar një analist amerikan, përkatësisht gjenerali i pensionuar Eduard Atkison. Ai thotë se është çështje e hapur nëse përçarja brenda NATO-s është problem i brendshëm evropian. Ai pohon se shumica e vendeve në Evropën Lindore dhe Julindore janë rradhitur pas Shteteve të Bashkuara, por siç thotë ai ato nuk kanë pasur zgjedhje tjetër politike:
"Nuk mendoj se përçarja është brenda Evropës. Nuk mund të pritni që vendet që një kohë të shkurtër janë në NATO siç janë Hungaria dhe Polonia të marrin qëndrim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara", thotë Eduard Atkison.
Ai konkludon se Shtetet e Bashkuara janë duke rrezikuar kur përpiqen që NATO-n ta angazhojnë në çështjet e çarmatosjes së Irakut.

XS
SM
MD
LG