Ndërlidhjet

DJERRINA E KOTËSIVE DHE PLOGËSHTISË


Shkruna: Milazim KRASNIQI


Dimri i ashpër i Kosovës sivjet karakterizohet edhe nga disa dukuri që zbulojnë gjendjen prej djerrine psikosociale dhe socialkulturore në këtë vend. Dukuria e parë ka të bëjë me rritjen në normë të numrit të qenëve endacakë të cilët tashmë kanë marrë jetën e një fëmije në Turiqecë të Drenicës dhe janë promovuar edhe me disa sulme ndaj banorëve të kryeqytetit. Dukuria e dytë ka të bëjë me rritjen në shifrën prej 50 % të dëshirës së popullatës kosovare që të largohet nga ky vend. Këto dy dukuri e kanë të përbashkët deprimimin dhe mosfunksionimin e shoqërisë kosovare, sipas atyre standardeve elementare të një shoqërie që ofron siguri dhe shpresë. Nëse qentë endacakë terrorizojnë qytetarët, kjo do të thotë se pushtetet komunale nuk kanë arritur që të fusin në prioritetet e punëve të tyre mbrojtjen e njerëzve, së paku nga keqbërës të identifikueshëm. Por kjo do të thotë po ashtu që vetë qytetetarët nuk kanë një përkushtim ndaj vetë organizmit për çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre si komunitete të caktuara. Për rrjedhojë rritja e numrit të ikanakëve potencialë nga Kosova në fakt ka të bëjë me mosdefinimin e të ardhmes në kuptimin elementar të fjalës. Edhe pse egziston një periudhë më shumë se dhjetë vjeçare testimi të pluralizmit partiak, shenja themelore dalluese e organizimit të sotëm, sidomos në ambientet rurale është identifikimi sipas farefisit. Bile kjo formë e ndarjes më të shumtën shkon e shtrihet në vetë organizmin partiak. Kështu, nëse një person me ndikim i një fisi është në një parti, në atë rast edhe anëtarët e tjerë pothuajse kolektivisht janë në atë parti. Kjo mënyrë e rreshtimit e bën shoqërinë fragmentare në njërën anë, dhe konfliktuale në anën tjetër, për pasojë ajo nuk mund të organizohet, bie fjala as në nivelin sa të mbrohen fëmijët nga qentë endacakë, ndërsa në fshatrat kosovare gjenden gjithandej burrat që mbërdhezen në debate të kota politike, madje edhe për zhvillimet rreth Irakut, por që nuk e luajnë këmbën të organizojnë bashkëpunimin lidhur me gjërat që kanë të bëjnë me sigurinë e fëmijëve të tyre. Në një ambient të tillë, prodhues i kotësive dhe i plogështisë, pas tre vjetëve pritjeje nuk është e habitshme rritja e numrit të të rinjve, të cilët si zgjidhje shohin ikjen nga vendlindja e tyre. Prandaj sot është e nevojshme që krahas aksioneve konkrete të administratës për mbrojtjen e fëmijëve nga qentë endacakë, të promovohen aktivitete sociale dhe kulturore në komunitete, gjë që do të rikthente shpresën e njerëzve për një jetë të qetë në këtë vend. Ky do të ishte një investim serioz i pushtetit më parë se fjala vjen, shtrirja e tubave të kanalizimeve, për të cilat ekzaltohen komunarët para kamerave. Në fund të fundit banorët e Kosovës nuk janë makinë votuese për të cilën duhet të kujtohen vetëm kur janë fushatat elektorale, sepse po të marrin shtrirje dukuritë e evidencuara në fillim të këtij teksti, mund të vijë puna të mos ketë as votues të mjaftueshëm - disa i hanë qentë e së paku gjysma e popullsisë mund të iki nga sytë këmbët, siç tregon anketa më e fundit.
XS
SM
MD
LG