Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: AJO QË DISKUTOHET ËSHTË MËNYRA E ÇARMATIMIT TË IRAKUT


"Franca dhe Rusia kanë interesa të forta nafte në Irak dhe më lejoni të them edhe diçka tjetër… pasi ky argument ka qarkulluar shumë: që amerikanët e duan luftën për shkak të naftës. Nëse do të donin naftë, nëse nafta do ishte shqetësimi i tyre, këtë problem ata do të mund ta zgjidhnin shumë shpejt…nuk ka nevojë për luftë - e vetmja gjë që nevojitet është vënia e sanksioneve ndaj Irakut në prodhimin e naftës" – thotë Patrick Moore, analist i "Radios Evropa e Lirë".

RADIO EVROPA E LIRË
Franca dhe Gjermania vazhdojnë ta kundërshtojnë luftën e mundshme, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut. Disa analistë thonë se ky pozicionim mund të krijoj ndarje të thella brenda Natos. Si i shpjegoni ju këto zhvillime?

PATRICK MOORE
Shohim se njëra nga ndarjet më të mëdha qëndron në faktin se Franca dhe Gjermania kanë marrë një pozicion që duket të ketë si qëllim pengimin e synimeve të Shteteve të Bashkuara...jo vetëm në Kombet e Bashkuara. Por, ajo që është më e rëndësishmja, është kërkesa e Turqisë për mbrojtjen e saj në rast nevoje, një e drejtë legjitime e çdo anëtari që të kërkoj mbrojtje... Bllokimi nga ana e Francës dhe Gjermanisë me mbështetjen e Belgjikës është konsideruar, ashtu siç sugjeruat ju, si një zhvillim kryesor negativ. E dimë që francezët shpeshherë mbajnë qëndrime të tilla teatrale për të riafirmuar pozicionin e tyre në botë. Por çështja e Gjermanisë ka qenë pak më e ndërlikuar. Së pari - kancelari Shrëder i përdori temat e antiluftës dhe temat e antiamerikanizmit, thjesht, për t'u rizgjedhur në shtatorin e kaluar. Së dyti - ai nuk e ka treguar veten të jetë shumë i interesuar apo kompetent sa u përket marrëdhënieve të jashtme dhe kjo tash ka disa konsekuenca tragjike për Naton...Së fundit - ai e ka ulur veten në pozicionin e partnerit të ri të Francës. Kur para pak kohësh u shpall deklarata e përbashkët e Francës, e Gjermanisë dhe e Rusisë, kancelari Shrëder nuk ishte i pranishëm por presidenti francez Shirak e shpalli së bashku me presidentin rus Putin në Paris…Kjo është një dëshmi e qartë që zoti Shirak tani flet si për Gjermaninë ashtu dhe për vendin e vet dhe ky nuk është një zhvillim për të cilin Gjermania duhet të jetë krenare. Është akoma më keq për Gjermaninë pasi në veprimet e fundit francezët do ta gjejnë si gjithmonë një mënyrë që ta zënë trenin amerikan para se ai të largohet nga stacioni, pra nuk do të mbesin jashtë, ndërsa zoti Shrëder është në një pozitë të vështirë pasi partitë opozitare po e kundërshtojnë jo vetëm në çështjet ekonomike por edhe në politikën e tij të jashtme, duke mbështetur për herë të parë pozicionin amerikan. Pra duket se pozicioni i zotit Shrëder në vendin e tij është shumë i dobësuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në disa analiza ishte shkruar se "nëse kjo është ajo që Amerika merrë nga Natoja, mbase ajo mud ta shqyrtoj largimin e saj nga kz insntitucion i Luftës së Ftohtë dhe të riformoj një aleancë të vendeve që i kuptojnë kërcënimet për rendin e ri botëror". Cila është porosia e këtyre fjalëve?

PATRICK MOORE
Së pari nuk jam plotësisht dakort me këto fjalë pasi Natoja ka mbi 50 vjet si organizatë dhe për shkak të një kundërshtimi, i nisur së pari nga Belgjika dhe e mbështetur nga Gjermania dhe Franca, Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin atë...Pra, nuk do të shohim një riformim të Aleancës... ajo që do të shohim është ai që amerikanëve u pëlqen ta thërrasin "koalicionin e gatishmërisë". Ashtu siç e ka thënë dhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Rumsfeld nuk merret koalicioni për të bërë detyrën por caktohet detyra që duhet bërë dhe pastaj koalicioni që ta kryejë këtë detyrë. Pra amerikanët do të caktojnë detyrat e tyre, dhe pastaj do të shohin se kush do t'i ndjekë. Të gjitha këto zhvillime që ju i keni përmendur janë shumë të papërshtatshme për shumë antëarë të rinjë të Natos - për të cilët aleanca është përgjigja për problemet e tyre historike të sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se çështja e çarmatosjes së Irakut, që është e paraparë me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, po krijon hendek të thellë ndërmjet aleatëve shumë të afërt. Disa analistë thonë se disa vende evropiane janë shumë të angazhuara për ti ruajtur interesat e tyre në Irak?

PARTICK MOORE
Po keni shumë të drejtë dhe është shumë e sigurt sa i përket Francës dhe Rusisë... të dyja këto shtete kanë interesa të forta nafte në Irak dhe më lejoni të them edhe diçka tjetër pasi ky argument ka qarkulluar shumë: që amerikanët e duan luftën për shkak të naftës. Nëse do të donin naftë, nëse nafta do ishte shqetësimi i tyre, këtë problem mund ta zgjidhnin shumë shpejt…nuk ka nevojë për luftë - e vetmja gjë që nevojitet është vënia e sanksioneve ndaj Irakut në prodhimin e naftës. Por Franca dhe Rusia kanë interesa specifike për naftën aty dhe nuk duan t'i humbin prandaj duan të jenë të sigurtë që kur amerikanët dhe Britanikët të nisin operacionet e tyre, ata të mos mbesin jashtë... Siç e kemi thënë edhe në intervistat e mëparshme, ajo që duan këto vende, sidomos francezët, është një vend në tryezën e bisedimeve kur të përfundoj gjithçka. Ju e filluat pyetjen tuaj me çarmatimin e Irakut. Të gjithë pajtohen që Iraku duhet të çarmatoset…pra nuk ka asnjë mosmarrëveshje në këtë pikë. Ajo që diskutohet është, thjesht, mënyra e çarmatimit. Intervistoi Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG