Ndërlidhjet

logo-print

A. DEMAÇI:"NUK DUHET PARAGJYKUAR PUNËN E TRIBUNALIT TË HAGËS"


Adem DEMAÇI, analist dhe veprimtar i të drejtave të njeriut në Kosovë

EUROPA E LIRË
Zoti Demaçi, trupat ushtarake të KFOR-it arrestuan tre shqiptarë të Kosovës, të cilët më pas u tha që akuzohen nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Si e shihni ju zgjerimin e aktakuzave në Hagë tani edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Ndodhi ajo që është pritur prej kohësh këtu, në mos për asgjë tjetër, për të demonstruar dhe për të treguar para botës se Tribunali i Hagës nuk është duke ndjekur vetëm kriminelët në Serbi, por me të njëjtën mënyrë është duke i ndjekur edhe kriminelët në Kosovë. Mirëpo ne kemi pak rezerva në këtë barazi, në këtë simetri që bëhet midis shqiptarëve dhe serbëve, pasi shqiptarët ishin në kryengritje për pavarësinë e tyre, për lirinë e tyre, kurse serbët ishin pushtues, të cilët përdorën mjete të egra për t'i mbajtur edhe më tutje shqiptarët të pushtuar.
Ne më shumë kemi vërejtje edhe ndaj mënyrës së burgosjes, e cila u bë me shumë forca, e cila është bërë në mënyrë aspak të sjellshme, aspak ashtu si u ka hije forcave ndërkombëtare, të cilat mundohen të përfaqësojnë një botë demokratike etj. Janë lënë fëmijët të rrinë në borë një orë, dy orë, tre orë, janë sjellë keq me anëtarët e familjes etj. Nuk di, këta tre vetë që janë arrestuar nuk kanë qenë të njohur, nëse në të vërtetë kanë bërë diçka me kokën e tyre gjatë kohës së luftës apo kanë bërë diçka me urdhër, etj etj, apo është një keqkuptim. Këtë do ta përcaktojë e do ta sheshojë gjyqi i Hagës, të cilin popullata jonë ende ka besim se është një gjyq i paanshëm që mbështetet në fakte të pamohueshme materiale.

EUROPA E LIRË
Vendet e tjera të ish-Jugosllavisë ndërkohë i kanë marrë sugjerimet e Tribunalit për bashkëpunim me Hagën. Në këtë aspekt sipas mendimit tuaj zoti Demaçi, cili do të jetë reagimi i institucioneve të Kosovës sa i përket bashkëpunimit me Hagën, dhe efektet e bashkëpunimit apo mosbashkëpunimit në anën tjetër?

ADEM DEMAÇI
Në Kosovë, këto mekanizmat tona vendore nuk kanë asgjë në dorë në këtë punë. Ju e patë që edhe burgosjet e deritashme që janë bërë, edhe burgosja e djeshme është bërë fare pa i pyetur këto institucionet tona, kështu që ato nuk kanë fare ndikim në këtë punë. Unë besoj se edhe po të pyeteshin institucionet tona s'kanë asgjë kundër që nëse në të vërtetë dikush është i dyshuar të shkojë në Hagë. Nuk besoj se ka njeri në Kosovë që do të pranonte të ikte, të fshihej apo t'i largohej mundësisë së ballafaqimit me Gjykatën e Hagës, pasi unë besoj se kriminelë në kuptimin se si po mundohet Haga të gjejë tek shqiptarët, kriminelë të tillë nuk ka. Megjithatë ne nuk duhet të paragjykojmë punën, por duhet të lemë që Gjykata e Hagës vetë ta konstatojë këtë gjë.

EUROPA E LIRË
Pak më parë zoti Demaçi thatë se është pritur që në Hagë të dërgohen edhe shqiptarët. Çfarë sipas mendimit tuaj do të ndryshojë paraqitja e shqiptarëve në bankën e të akuzuarve?

ADEM DEMAÇI
Po unë mendoj se meqë filloi ky proces, besoj se do të shkojë me një ritëm pak më të shpejtuar. Siç po duket ata kanë preferuar që të fillojnë me njerëz të themi të kategorisë së tretë, ose të dytë dhe nuk kanë filluar nga kreu, por kanë filluar nga poshtë. Ne do të dëshironim të konstatohet se shqiptarët kanë bërë një luftë çlirimtare dhe nuk mund të akuzohen si kriminelë, dhe që Gjykata e Hagës do të heqë dorë nga ajo pjesë ku do të mundohej të bëjë një farë barazpeshe në mes. Kanë bërë krime serbët, kanë bërë krime shqiptarët e le ta vazhdojnë kështu si ka qenë puna. Mirëpo megjithatë nuk mund të dimë se si do të zhvillohen punët. Le t'ja lemë të ardhmes.

Intervistoi: Zijadin GASHI
XS
SM
MD
LG