Ndërlidhjet

H. HYSENI:"KËRKOJMË TË SQAROHET PERSPEKTIVA E KOSOVËS"


Hydajet HYSENI, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Si kishit për t'i rrumbullaksuar reagimet në Kosovë pas ngritjes së aktakuzave nga Tribunali i Hagës?

HYDAJET HYSENI
Po e veçanta e këtyre reagimeve mund të shprehet mbase më së miri edhe në sloganin dhe grafitin që është shfaqur në këto protesta: "Kundërshtojmë akuzën, jo Hagën". Dhe vërtet në Kosovë askush nuk kundërshton Gjykatën e Hagës, por akuzën, e cila për nga mënyra sesi është gatuar, sajuar, kryesisht e mbështetur nga fakte të dyshimta e të gënjeshtra, nga dëshmitarë të qenë ose të paqenë, por të instrumentalizuar, mënyra disi misterioze, e pazakonshme se si është lëshuar ajo, pa një farë lajmërimi paraprak dhe sidomos mënyra kuazi-spektakulare dhe kuazi konspirative si është vepruar në këtë rast, duke pamundësuar procesin normal të bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës, për të cili janë deklaruar edhe individualisht edhe si subjekte, si institucione, ka krijuar përshtypjen që pas kësaj akuze fshihen motive politike, që janë të drejtuara jo vetëm kundër personaliteteve të Kosovës, por edhe kundër vlerave të luftës në Kosovë, vlerave të realitetit të ri në Kosovë, kundër institucioneve pjesë e të cilëve janë edhe ata dhe si e tillë edhe një akuzë e politizuar kundër procesit të normalizimit dhe demokratizimit dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hyseini, kohët e fundit, disa liderë kosovarë kanë shfaqur pakënaqësi me punën e UNMIK-ut. Ku qëndojnë rrënjët e këtij fenomeni?

HYDAJET HYSENI
Ka pakënaqësi të dyanshme, ka dhe kritika natyrisht. Por unë mendoj se UNMIK-ut nuk i vjen asgjë e keqe nga kritikat dashamirëse dhe avancuese të kosovarëve dhe institucioneve kosovare, siç nuk i vjen as Kosovës dhe institucioneve tona, asgjë e keqe nga vërrejtjet dhe kritikat miqësore të ndërkombëtarëve. Kosova dhe UNMIK-u, ose më mirë të themi institucionet kosovare dhe UNMIK-u kanë një synim të përbashkët: normalitetin, demokratizimin, dhe evropianizimin e shoqërisë së re kosovare. Në këtë mënyrë synohet edhe ndërtimi i të ardhmes së saj të lirë, demokratike dhe evropiane. Ky do të thoja është interes i dyanshëm, madje më shumë është një interes universal global. Kosova përbën mbase rastin më të mirë unik, për të dëshmuar përparësitë e një qasjeje të re globale do të thosha preventive, paqekrijuese dhe paqeruajtëse në zonat e konfliktit. Nuk e gjen asgjë e keqe misionin e UNMIK-ut nga ky proces. E keqja mund t'i vijë eventualisht nga prirjet gjithnjë më të hapura dhe gjithnjë më agresive për të bllokuar procesin, për t'a ngatërruar atë, për t'a komplikuar, për t'a pamundësuar dhe në këtë mënyrë edhe për të diskredituar edhe realitetin e ri në Kosovë, edhe praninë ndërkombëtare në Kosovë, edhe angazhimin ndërkombëtar në Kosovë, dhe në një mënyrë për të diskredituar dhe për t'a kontestuar në mënyrë të pakthyeshme edhe gjithë angazhimin e mëparshëm në Kosovë. Mendoj se rreziku mund të vijë nga këto tendenca.

EVROPA E LIRË
Zoti Hyseini, tani është aktualizuar çështja e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u te institucionet vendore. A mendoni se ky proces do të kalojë pa thyerje të mëdha dhe si do të ndikojë ai në skenën politike të Kosovës?

HYDAJET HYSENI
Misioni ndërkombëtar të Kosovë ka patur qëllim të qartë dhe të deklaruar: normalizmin e gjendjes në Kosovë, ndërtimin e institucioneve në Kosovë dhe krijimin e parakushteve për një zgjidhje të drejtë të qëndrueshme dhe efektive të së ardhmes së Kosovës. Mendoj se një synim i tillë mund të arrihet vetëm me një angazhim përplotësues midis pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve kosovare dhe jo me përplasje midis këtyre dy anëve. Ky proces s'ndodh por rrjedh, jo gjithmonë edhe pa vështirësi, megjithatë tendencat për të komplikuar dhe për të bllokuar procesin nganjëherë edhe vënë në pyetje suksesin. Nuk mund të ecë shpejt dhe të arrijë me kohë atje ku synon, ai që nuk e di se ku po shkon. Për fat të keq është krijuar përshtypja sikur ka një udhëkryq. Jo vetëm prania ndërkombëtare në Kosovë le përshtypjen se nuk është e qartë e ardhmja e këtij procesi, por në një farë mënyre synohet t'i imponohet edhe Kosovës një mjegulli e tillë dhe mendoj kjo edhe pengon procesin e normalizimit dhe rrumbullakësimit të misionit ndërkombëtar në Kosovë. Ne nuk kundërshtojmë standardet e kërkuara. Janë në interesin tonë prandaj edhe na motivon kërkesa për të patur një realitet sa më evropian dhe një kualitet sa më të avancuar. Ajo që kërkojmë ne është të sqarohet perspektiva, të sqarohet e ardhmja cila është, ku po shkojmë? Dhe pastaj kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare të na motivojnë dhe të na shtyjnë, stimulojnë që të përshpejtojmë dinamikën e procesit për të cilin jemi përcaktuar në mënyrë të pakthyeshme.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG