Ndërlidhjet

FUQIA E SHIRAKUT RRËMBEN


WALL STREET JOURNAL

"Nuk është sjellje e mirë. Ata e lëshuan rastin të heshtin". Këto fjalë të presidentit francez Zhak Shirak i mbushën titujt. Ishin të pamatura, të ngathta dhe jo politike. Por sharjet e Evropës së Re nga Evropa e Vjetër nuk janë të reja.
Gushtin e kaluar për shembull, Rumania e nënshkroi marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, duke premtuar të mos i ekstradojë amerikanët në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Rumania aplikoi t'i bashkangjitet Bashkimit Evropian, kurse unioni nuk ishte i kënaqur. E regjistroi pakënaqësinë me Rumaninë, dhe pastaj ua tërhoqi vërejtjen vendeve tjera kandidate të mos nënshkruajnë marrëveshje të ngjashme me Shtetet e Bashkuara.
Disa muaj më parë, kryeministri i Çekisë ishte sulmuar shkaku i deklaratave rreth Jaser Arafatit. "Gjuha e tillë nuk pritet nga një vend që pretendon të jetë anëtar", thanë zyrtarë të Bashkimit Evropian, duke iu kërcënuar aplikimit të Republikës Çeke.
Një kohë të gjatë po shihet ndarja midis Evropës së Re të sapo çliruar, dhe Evropës së Vjetër, të përqëndruar rreth Francës dhe Gjermanisë.
Deri sa qendra e gravitacionit e ndikimit amerikan është zhvendosur drejt Lindjes, nuk është e rastit që presidenti Bush në darkë e ftoi vetëm presidentin e Polonisë. Polakët, ashtu si fqinjët tjerë evropianë, kanë përvojë të hidhur me jetën në tirani, nga e cila u çliruan me fuqinë e Amerikës. Francezët dhe të tjerët që javën e kaluar demonstronin nëpër Evropën Perëndimore, kanë 6 dekada që janë çliruar. Ata mendojnë se liria gjendet në ajrin që e thithin, e jo në gjakun e derdhur, ku një sasi jo e vogël ishte gjak amerikani.
Dallimi i përvojave e sjell edhe dallimin e politikave. Kur 13 vende u vunë në mbështetje të Shteteve të Bashkuara ndaj Irakut, Shirak e humbi gjithë durimin. Qortimi i tij ndaj evropianëve lindorë, më shumë demonstroi se mosmarrëveshja aktuale midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara nuk ka të bëjë me Irakun.
Kuptohet, Franca ka kontrata dhe kredi që mund të rrezikohen nëse Sadami përmbyset, ndërsa liderët francezë kanë duart e ndyra nga marrëveshjet e ndyra, të cilat do të dalin në shesh kur të hapen arkivat pas Sadamit.
Megjithate, kundërshtimet e gjata të Francës ndaj Shteteve të Bashkuara tregojnë se Franca ka shkuar përtej opstrukcioneve, dhe është angazhuar në një sabotazhë aktive, sa që merr guximin t'i sulmojë shtetet e dobta që janë vënë në anën e Amerikës.
Përse? Sepse Franca e ka parë një rast për ta ndryshuar dinamikën e botës pas Luftës së Ftohtë. De Goli dhe pasardhësit e tij u përpoqën që Franca t'i shkëputë lidhjet me strukturën ushtarake të NATO-s.
Por me përfundimin e epokës së sovjetikëve, gjërat ndryshuan. Sistemi unipolar me Shtetet e Bashkuara mbetet dominant dhe i pasfidueshëm. Kurse Franca e sheh krizën e Irakut si mundësi për të dalë në skenë, për ta sfiduar sistemin e tillë, dhe për të siguruar një rol unik për vete. Franca u vu në ballë të bllokut opozitar të Gjermanisë, Rusisë, Kinës dhe ndoshta edhe vendeve tjera të vogla që e sfidojnë politikën amerikane.
Bota nuk është unipolare. Ne sapo jemi dëshmitarë të thyerjes serioze të unipolaritetit pas Luftës së Ftohtë, dhe atë jo nga vendet që pritej si Rusia apo Kina, por nga Franca. Franca nuk don të bëhet lider i ri në Evropë, por synon të bëhet fuqi udhëheqëse e polit të ri në botë që do ta kundërshtonte superfuqinë e Amerikës. Në fakt, nuk është edhe një zanat i keq për vendin, lavdia e fundit e të cilit sot konsiston në patrullimin nëpër rrugët e pluhurosura të Bregut të Fildishtë.
XS
SM
MD
LG